Nxënësit dhe studentët në Filipine duhet të mbjellin të paktën 10 pemë në mënyrë që të mbarojnë shkollën fillore, shkollën e mesme dhe universitetin. Nisma vjen nga një projekt-ligj i miratuar nga Kongresi i Filipineve në fillim të këtij muaji.
“Mbill pemë, nëse dëshiron të diplomohesh” – kjo është një mënyrë efikase se si mund të mbillen 175 milionë pemë brenda një viti! Kështu të paktën është menduar të veprohet në shtetin e Filipineve.
“Kongresi i Filipineve ka miratuar zyrtarisht një projektligj ku thuhet se të gjithë studentët e shkollave fillore, të mesme dhe të universitetit duhet të mbjellin të paktën 10 pemë në mënyrë që të diplomohen”, thuhet në stacionin ndërkombëtar televiziv, CNN.
Sipas projekt-ligjit pemët mund të mbillen në pyje, rezerva, zona urbane, vende të braktisura minierash, ose në një territor indigjen. Sipas CNN, pemët duhet të jenë gjithashtu të përshtatshme për klimën e zonës, dhe preferohen llojet autoktone të pemëve.
Qëllimi i projekt-ligjit është promovimi i “përgjegjësisë ndër-gjeneruese” mbi mbrojtjen e mjedisit. Konkretisht projekti quhet “Trashëgimia e Diplomës për Aktin e Mjedisit” dhe ai është prezantuar nga kongresmeni, Gary Alejano.
N. Allkja Biçaku
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.