Shkolla Nobel organizoi për të tretin vit radhazi Olimpiadën e Matematikës, presidentja Taçi: Ne promovojmë talentet dhe të menduarin kritik

Shkolla Nobel ka organizuar Olimpiadën e Matematikës “Nobel”, një traditë tashmë e konsoliduar, por që këtë vit vjen me një risi. Në ceremoninë e mbajtur për shpalljen e fituesve, përveç certifikatave u dhuruan edhe libra për të mësuarin kritik. Më të mirët përfituan disa bursa studimi.

Shkolla Nobel vazhdon të rritet, duke nxitur dhe stimuluar interesimin ndaj të mësuarit kritik dhe promovuar talentet veçanërisht ndaj lëndës së Matematikës. Me këtë qellim është organizuar për të tretin vit radhazi Olimpiada e Matematikës. Në këtë olimpiadë morën pjesë mbi 140 nxënës nga të gjitha shkollat publike dhe jopublike të Tiranës. 

Pjesëmarrësit në këtë olimpiadë,ndryshe nga vitet e mëparshme, i përkisnin klasave nga e para në të nëntën. Për secilën klasë u ndanë tre çmime: çmimi i parë, i dytë dhe ai i tretë. Por jo vetëm kaq, dy vitet e fundit në olimpiadën e matematikës janë përfshirë edhe fëmijët e parashkollorit. 

Në një prononcim për Portalin Shkollor, pas ceremonisë së mbajtur me këtë rast, Presidentja e shkollës “Nobel”, znj. Anika Taçi është shprehur optimiste që të tilla olimpiada do të zhvillohen edhe në lëndët e tjera shkencore në të ardhmen, ndërsa sugjeron se të tilla iniciativa duhet të ndërmerren nga të gjitha shkollat e vendit për të stimuluar talentin e fëmijëve tanë. 

“Shkolla Nobel është kthyer në një nga organizatorët kryesorë të Olimpiadave të ndryshme mes shkollash për të promovuar dhe stimuluar talentet e kujtdo. Aktualisht këtë olimpiadë e zhvillojmë vetëm në lëndën e matematikës dhe po mendojmë ta zgjerojmë edhe në lëndët e tjera shkencore. Dua të theksoj se ky është viti i parë ku i kemi përfshirë të gjitha klasat e ciklit fillor dhe të mesëm. Ndërsa është viti i dytë që olimpiadën e matematikës e organizojmë edhe për klasat e parashkollorit. Mendoj se është një iniciativë e cila duhet të ndërmerret edhe nga shkolla te tjera te vendit, shkak rritja e interesit të prindërve dhe nxënësve për të marrë pjesë në kompeticione të tilla. Jetojmë në një shoqëri kaotike ku edhe shpërqendrimi i fëmijëve nga rrjetet sociale dhe teknologjia është i madh. Kjo çon në rritjen e një indiferentizmi dhe humbjeje interesi edhe në rastet e pranisë së një talenti specifik. Numri i lartë i nxënësve në klasat e shkollave publike e bën të vështirë punën e personalizuar dhe shpesh talentet dhe prirjet lihen të pa zhvilluara apo stimuluara”, ka thënë kështu presidentja e shkollës “Nobel”, Anika Taçi, teksa më pas ka rrëfyer diçka për veçantinë e lëndës shkencore ne gjuhen angleze që aplikohet në shkollën që ajo udhëheq. 

“Shkolla jonë, pikërisht në kuadrin e stimulimit të talenteve, ka futur në programin e saj, një nga lëndët shkencore ‘Science’ të Pearson Edexcel në gjuhën angleze. Një program i njëjtë me atë të Cambridge por që e bën më të kuptueshëm dhe përdorueshëm nga nxënësit tanë, falë metodës praktike të implementuarit të koncepteve shkencore të biologjisë, kimisë dhe fizikës. Qëllimi ynë nuk është thjesht t’i orientojmë drejt lëndëve shkencore, por t’i familjarizojmë ata me metodologjinë e huaj dhe sidomos atë angleze, në mënyrë që nxënësit tanë, fëmijët tanë, në momentin që zgjedhin të studiojnë jashtë të ndihen komodë dhe të barabartë me bashkmoshatarët e tyre. Shkolla ‘Nobel’ nuk synon të jetë një shkollë ndërkombëtare, por një shkollë shqiptare me program të larmishëm që i përgatit fëmijët e saj 360 gradë dhe në çdo aspekt. ‘Science’ studiohet që në klasën e parë deri në klasën e 12-të dhe në klasën e 7-të zhvillohet një testim ku më pas nxënësit pajisen me një certifikatë njohje të viteve shkollore nga çdo vend i botës”, ka thënë nder te tjera Znj.Taçi. 

Por nisur nga kjo eksperiencë, ne e kemi pyetur znj.Taçi nëse është vënë re ndonjë lloj specifike te pjesëmarrësit në olimpiadë, si pozitive ashtu edhe negative.

 Ajo na është përgjigjur kështu: “Si anë pozitive mund të theksoj se çdo vit e më shumë shtohet interesimi i fëmijëve për të marrë pjesë në këto olimpiada. Stafi ynë i shkollës ka qenë gjithmonë ai që e ka iniciuar dhe promovuar këtë iniciativë duke hartuar teste të nivelit të lartë dhe duke i korrigjuar ato sipas standardeve. Por ajo që vëmë re shpesh si mangësi është fakti se nxënësve, në përditshmërinë e tyre, nuk u kërkohet argumentimi i rezultatit të problemeve dhe ndodh që kjo mangësi t’u kushtojë pikë duke i lënë shpesh vendin zhgënjimit. Pavarësisht këtij fakti ne mundohemi t’i stimulojmë duke u dhuruar përveç certifikatave, libra të llojit enciklopedi, ushtrime matematikore, kuriozitete si dhe libra shqiptarë e të huaj. Një tjetër fakt qe na prek është se me rritjen në moshë e klasë, bie edhe interesi në pjesëmarrje, gjithashtu edhe numri maksimal i pikëve të grumbulluara. Kjo, mendojmë, ndodh si pasojë e një rënieje të interesit për të mësuar dhe kultivuar talentin. Shkolla jonë lufton çdo ditë për zhdukjen e këtij fenomeni. Zhvillimi i Olimpiadave të ndryshme synon, pikërisht, arritjen e këtij qëllimi”. 

Në fund të ceremonisë, fituesit e çdo klase janë pajisur me certifikatë ndërsa atyre u janë shpërndarë edhe libra me titujt të ndryshëm nga ALBAS. Disa prej fituesve u janë ofruar edhe bursa shkollimi. 

Kënaqësi për këtë bashkëpunim ku u mirëpritëm nga një shkollë elitare qe operon suksesshëm prej 17 vitesh, duke diplomuar nxënës që sot mbulojnë pozicione strategjike në kompani dhe institucione vendase e të huaja.

Një shkollë që nxjerr nobelistë me rezultate të larta në provimet e maturës dhe formon njerëz që arrijnë të fitojnë bursa studimi brenda dhe jashtë vendit.

Sipas drejtuesve të saj, çelësi i suksesit nuk është vetëm një. Fillimisht synohet përzgjedhja e një stafi njerëzor, qytetar dhe i përgatitur, drejtuar dhe orientuar nga një bord me vizion. Bashkëpunimi i ngushtë midis mësuesve, nxënësve dhe prindërve i bën më efektive arritjet. 

Gjithashtu, nje program i larmishëm mësimor me orë shtesë të lëndës së shkencës “Science” në anglisht, orët e kërcimit etj., cojnë në kompletimin e tij. Një punë e personalizuar në bazë nivelesh çon në një stimulim të prirjeve të secilit. 

Vlen të përmenden klubet mësimore dhe argëtuese që ndihmojnë në zhvillimin psikomotor të nxënësve. Rrjedhojë e vizionit largpamës janë implementimi i metodave alternative të mësimdhënies (përdorimi i videoprojektorëve etj) si dhe një infrastrukturë që përfshin klasat e mëdha me maksimumin 20 fëmijë, laboratorët e ndryshëm, dhe ambientet sportive si fusha, por sidomos pishina olimpike dimërore ku mësohet dhe zhvillohet sporti i notit. 

Nxënësit nuk regjistrohen këtu vetëm dhe thjesht për të studiuar në një shkollë. Ata bëhen pjesë e një familje të madhe. Shumë lehtë gjen tek ta sensin e përkatësisë ku janë pranuar si individë dhe ku problemet ndahen me të tjerët në mënyrë që suksesi të triumfojë.

Përgatiti Nanila Allkja Biçaku

© Portali Shkollor– Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

“Disa ngërçe dhe zgjidhje në realitetin e arsimit të sotëm”, nga Evans Drishti

Next Article

“Disa ngërçe dhe zgjidhje në realitetin e arsimit të sotëm”, nga Evans Drishti

Related Posts