Ju mund të përdorni objekte të përditshmërisë tuaj, për të nxitur dhe mbështetur zhvillimin gjuhësor dhe të të folurit të fëmijës tuaj. Ja disa ide….
Kartoni i letrës së kuzhinës
- përdoreni kartonin si një tunel për makinat e fëmijës. Kështu, ju mund të praktikoni zhurmat e makinës, të mësoni fjalë bazike (nisu, ndalo, shpejt, ngadalë), ose të përdorni ndajfoljet e vendit për të përshkruar pozicionin e makinës.
- formoni dylbi dhe kërkojini fëmijës të përshkruajë objekte të ndryshme që shikon në dhomë. Mësojini të përdorë sa më shumë mbiemra përshkrues, si: ngjyra, madhësia, forma, etj.
- ndërtoni një fole për zogjtë, duke e mbushur hapësirën e kartonit me fara, krunde, etj. dhe ta varni në pemë. Ky është një aktivitet i mrekullueshëm për të mësuar komanda të ndryshme.
Kutia prej kartoni
- lyejeni kutinë si një makinë ose lokomotivë dhe i mësoni fëmijës komandat: “nisu” ose “dua prapë”. Këndoni “Rrotat e autobusit rrumbullak” dhe shoqërojeni me lëvizje.
- hapni një vrimë në kuti dhe futni brenda lojëra ose objekte të ndryshme, duke i thënë “Paçim”. Ky aktivitet i mëson fëmijës të përshëndesë.
- fusni një objekt “misterioz” brenda kutisë, përshkruajeni dhe kërkojini të voglit tuaj të gjejë se çfarë ka brenda kutisë.
Kordelet
- mësoni pjesët e trupit, duke vendosur kordelet në kokë, krahë, këmbë, etj.
- bashkoni kordelet e ngjashme në ngjyrë, formë, madhësi dhe tregojini fëmijës pse janë njësoj ose ndryshe.
- fshihni kordelet rreth e rrotull shtëpisë dhe jepini fëmijës instruksione rreth vendndodhjes së tyre, si p.sh. lart, poshtë, mbi, nën, në, mes, brenda, majtas, djathtas, etj.
Gota plastike
- përdorni gotën plastike si mikrofon dhe punoni për imitimin e fjalëve ose fjalive të thjeshta.
- ndërtoni një kështjellë me gotat plastike dhe praktikoni komandat dhe shprehjet “edhe një”, “vendose këtu”, “u rrëzua”, etj.
- shkëmbeni radhën në vendosjen e gotave njëra mbi tjetrën, duke mësuar ndërrimin e radhës gjatë lojës dhe shprehjet “radha ime”, “radha jote”.
Nga Ertiola Lugji, logopede
©Portali Shkollor– Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.