Reagimet e ndjekësve të Portalit Shkollor: Testet e MSH nuk duhet të jenë të njëjta për shkollat profesionale

Ndjekësit e Portalit Shkollor Albas duket se e kanë fokusuar çështjen te shkollat profesionale të cilat sipas tyre duhet të kenë teste të veçanta nga gjimnazet e tjera për të kontrolluar njohuritë e maturantëve, të cilët kanë synim të ndjekin shkollën e lartë, pavarësisht zanatit të fituar.

Testet e provimeve të Maturës Shtetërore të këtij viti kanë marrë gjithë vëmendjen publike. Për testin e gjuhë-letërsisë maturantët u shprehën se ai ishte abstrakt, i ndërlikuar dhe kërkuan rivlerësim të tij duke dalë në protestë përpara Ministrisë së Arsimit. Ndryshe ishte provimi i detyruar i matematikës, sipas tyre ai ishte i lehtë dhe se koha e vënë në dispozicion ishte mëse e mjaftueshme. Nga ana tjetër specialistët e fushës kanë dhënë mendimet e tyre për rastet, ndërsa përfaqësues të MASR kanë dalë me vendime tashmë të qarta. 

Mes këtyre, ndjekësit e Portalit Shkollor Albas duket se e kanë fokusuar çështjen te shkollat profesionale të cilat sipas tyre duhet të kenë teste të veçanta nga gjimnazet e tjera për të kontrolluar njohuritë e maturantëve, të cilët kanë synim të ndjekin shkollën e lartë, pavarësisht zanatit të fituar. Një mësuese komenton kështu: “Absurditet është fakti që gjimnazet dhe shkollat profesionale kanë të njëjtin test, pavarësisht se kanë programe orientuese të ndryshme, pasi programi është më i reduktuar. Aq më tepër ky absurditet vihet re në provimin e gjuhës së huaj. Testi në shkollat profesionale duhej të ishte i nivelit B1, kurse tek gjimnazet i nivelit B2. Testi ishte i njëjtë për të gjithë dhe kjo është një padrejtësi e madhe”. 

Ndërkaq në sondazhet dhe pyetjet që ne si portal kemi ngritur, komentet nga ndjekësit për këtë periudhë provimesh për maturantët kanë qenë të shumta dhe të ndryshme.

Një zëri maturantët-mësuesit-prindërit janë shprehur se provimi i letërsisë ishte shumë i vështirë dhe gati-gati abstrakt e jo i saktë. Sipas tyre për këtë test nuk u bë asnjë tolerim prej situatës që përjetuan veçanërisht maturantët për shkak të mësimit jo normal të zhvilluar për këtë vit nga shkaqe natyrore, si tërmeti i muajit nëntor 2019 dhe pandemia COVID-19. Ndërsa për provimin e matematikës kanë thënë se gjithçka shkoi mirë. Ne kemi shkëputur disa prej komenteve të ndjekësve tanë: 

Komentet për provimin e gjuhë-letërsisë: 

Oltjon Sulçe: Provimi i letërsisë ishte shumë i vështirë, i matematikës shumë i lehtë.

Adriana Perjaku: Në gjuhë nuk kishte dy tekste, por tekste të shkurtra gati për çdo pyetje, të cilat kërkonin shumë kohë. Pyetjet ishin shumë abstrakte sa arrinin deri në dhënien e figurës dhe të rrethosh alternativën e saktë se çfarë përfaqëson ajo (secili mund ta shohë në këndvështrime të ndryshme). Personalisht për mua në letërsi ishin dy nga autorët më të vështirë Lasgush Poradeci dhe Homeri, kur ne prisnim që testi të ishte së paku më i thjeshtë se vitet e tjera, ose me të njëjtin nivel, çuditërisht ishte provimi më i vështirë ndër vite dhe me pyetje të hartuara jo saktë. 

Alain Kelon – Nëse reagimi i publikut rreth testit te gjuhës është spontan dhe negativ ky duhet të jetë një tregues se testi në formulimin e vet ishte një risi dhe progres. Njerëzit përherë i presin me negativitet zhvillimet dhe risitë në jetë. Ky model është mbështetur ne testet e gjuhëve te huaja te nivelit TOEFL. Pikësëpari, nxënësit duheshin familjarizuar me ketë strukturë fill nga klasa e dhjetë dhe jo ditën e provimit te maturës. Pjesa negative e këtij testi qëndron në befasinë (pabesinë) se si u prezantua tek maturantët. Unë di me shumë saktësi se asnjë nga tekstet shkollore që përgatisin nxënësit në gjuhën shqipe nuk janë të strukturuar në mënyrë të tillë që të mbështesin modelin e testit. Dhe pakënaqësia ime e dytë qëndron në testimin njëkohësisht të dy lëndëve të cilat duhet të testohen veçmas nga njëra-tjetra, pra letërsia veç kurse shqipja veç.  Për brezin e maturantëve që iu nënshtruan testit poezia (aq më tepër ajo e Lasgushit) është një realitet letrar i “huaj”. Gjithmonë e më pak të rinjtë po lexojnë poezinë klasike shqiptare. 

Eda Shahini: Test llahtar, i konceptuar jo saktë, nuk nxjerr aspak në pah përgatitjen dhe as formimin e nxënësve. Tërësisht keqdashës. Përveç gjithë të tjerave, maturantët e shkollave profesionale përballen me të njëjtin test me ata të gjimnazit të përgjithshëm. Nuk ka ndodhur kurrë më parë. 

Lindita Lohja Mani (prind): Përcollëm fëmijët në provim. Ishin të qetë. Disa me emocione, por ishin emocione të bukura e dëshirë për të bërë më të mirën. I pritem pas provimit, dolën të ngrysur, të pasigurtë, të çoroditur, nuk dinin çfarë të thoshin. Është hera e parë në 12 vite shkollë që dëgjoj djalin të thotë: shumë i vështire, i çuditshëm dhe jo vetëm djali im, por edhe shokë e shoqe të tij, të gjithë nxënës ekselent, pjesëmarrës e fitues në olimpiada kombëtare, konkurse e konkurrime ndërkombëtare. Dhe jo vetëm nxënësit, por edhe të gjithë administratorët e provimit kishin dalë të shokuar sepse kishin përjetuar zhgënjimin e maturantëve. Të gjithë mësuesit e letërsisë të njëjtin mendim me nxënësit. 

Petraq Tefta Deda: Duhet të mësojnë nxënësit dhe jo të mbajnë mendjen tek kopjimi. Testi është logjik si testi i PISA.

Erald Mekolli: Testi i Gjuhë letërsisë kishte më shumë për të lexuar sesa për të konceptuar apo përsiatur rreth pyetjeve. Nëse lexoje gjithë tezën dhe nëse të duhet ta kuptoje atë për të argumentuar përgjigjet nuk të mjaftonin jo 2 orë por as 4 orë. Kam gati 10 vjet që merrem me Maturën Shtetërore dhe nuk kisha parë ndonjëherë test me 60 pyetje dhe me 15 fragmente! I kanë bërë maturantët sikur po i çojnë në Gijotinë jo si në provim. Duhet të ndryshojë kjo metodë sepse po prishen breza të tërë. Shpresë për të ardhmen.

Blerina Gjyli: Kur shihja ata maturantë që dilnin gati pa ngjyrë në fytyrat e tyre…që pasi i pyesje:- si dolët? Përgjigja e tyre e nëpër dhembur ishte:

– iku mjekësia jonë o zysh;

– iku inxhinieria jonë o zysh…

– iku studimi ynë o zysh…

– na rroftë që mësuam e punuam tre vjet…

– shkuan dëm të gjitha…

Nuk kishte gjë më të dhimbshme… nuk kishte shtrëngim më të madh që të ndrydhte zemrën dhe ndiheshe fare e vogël, e pafuqishme si t’i ndihmoje…Është bërë testimi i letërsisë si nga ata betejat me fat të përcaktuar tragjik, ku maturantët shkojnë për të humbur dhe asnjëherë për të fituar…

Fasli Marku: Këto pyetje nuk vlejnë! Ky test aspak nuk ishte për maturantët. Hartuesit tregojnë kryeneçësinë e tyre, egon e tyre, por kurrë nuk bëjnë lidhjen me kurrikulën e lëndore dhe me realitetin.

Hermes Ismailaj – Nuk është problemi se testi ishte i vështirë dhe nxënësit u vunë në vështirësi, po ngërçi dhe absurdi qëndron në faktin që ky test nuk është punuar nga specialistë të mirëfilltë sepse pyetjet qëndronin jashtë logjikës (disa) ,dhe më e pakuptimta dhe  absurdja qëndron në faktin që u hartua një tezë si për gjimnazin dhe për profesionalin. Ku është përgjegjësia? Ku është zbatuar programi? Mbi ç’baza është ngritur një tezë kaq e komplikuar për të përfshirë dy programe që s’janë të njëjta? 

Eva Dardha: Për mua problemi nuk qëndron tek poezia, e lehtë a e vështirë. Nuk debatoj as për situatën që kaluam. Por, kur nxënësi i nënshtrohet një testimi duhet të jetë i përgatitur, pasi deri në klasën e XII i ka marrë të gjitha njohuritë dhe i ka zhvilluar ndjeshmëritë për të analizuar të gjitha llojet e teksteve letrare. Problemi është te hartuesit e testit si e kanë orientuar nxënësin në analizë. Lasgushi i ka poezitë e vështira, por një test i mirë e orienton nxënësin në rrugën e duhur. 

Komentet për provimin e matematikës: 

Eglantina Salca Veria: Provimi i matematikës filloi me një kontroll të rreptë deri tek “bishti i flokut”, kontrolli fizik dhe shishja e ujit pa etiketë. Nuk lejohej të dilje në tualet. Komunikimi zero. 

Nina Ahmetaj: Provimi i matematikës shkoi shumë mirë, ndryshe nga ç’e  prisnim në fakt. Ishte i thjeshtë, madje më i thjeshtë dhe se modeli. Kuptohet që kishte disa pyetje që bëjnë diferencën, por ishin të zgjidhshme dhe shumë të arsyeshme. 

Frenki Çipi: Shumë mirë shkoi, ishte i thjeshtë për mendimin tim, përjashto disa pyetje që kërkonin pak më shumë arsyetim. 30 minutëshi që u shtua më mirë që u shtua se na dha siguri. Edhe 2 orëshi mund të na dilte por shumë herë më mirë kështu, sepse nuk na la të stresoheshim për kohën edhe ta mbanim mendjen aty. 

Arlind Devole: Provimi i matematikës ishte në përgjithësi i lehtë, me pyetje të cilat nuk preknin skuta të matematikës, por gjëra bazë të cilat ishin lehtësisht të zgjidhshme nga kushdo. Përsa i përket fjalëve që u përhapën se ky test doli përpara se të zhvillonim provim nuk jam në dijeni, celularët nuk u lejuan. 

Albi Tushaj: Provimi ishte shumë i saktë nga ana e vështirësisë dhe strukturës. Gjatë dhënies së provimit nuk patëm asnjë problem, madje kur u dha lajmi i shtimit të numrit të të infektuarve, administratorët bënë dhe një herë një kontroll të higjienës së stafit dhe nxënësve.

Maria Cani: Provimi i matematikës ishte i një niveli mesatar për të mos thënë edhe më i lehtë se kaq. Kishte tre ose katër ushtrime të cilat ishin të një niveli të lartë. Pyetjet ishin brenda programit. Koha ishte e mjaftueshme, pra 2 orë e gjysmë.  Pra gjithçka shkoi mirë. Vetëm se një pyetje (pyetja e 18-të në variantin që më qëlloi mua) kishte dy alternativa të sakta. 

Klodjan Çelmeta: Provimi i matematikës shkoi relativisht mirë. Pyetjet e tezes ishin shumica në nivel mesatar dhe kishte disa pyetje të vështira që bënin dallimin mes notave si dhe duhet përmendur fakti se çdo gjë ishte brenda kurrikulës që zhvillojmë në shkollë. Nuk munguan as në këtë test pyetje logjike (por “justifikohen” me faktin se është matematikë). Koha ishte mëse e mjaftueshme. Pra e përgjithshmja: shumë mirë.

Borana Sulo: Provimi i matematikës ndryshe nga letërsia ishte i arsyeshëm dhe i zgjidhshëm. Nuk kishte ushtrime të panjohura për ne dhe se gjithçka shkoi mirë. Si çdo provim pati disa kleçka të cilat ishin të pritshme, por mund të them me siguri se maturantët nuk kanë mbetur të pakënaqur nga ky testim.

Nanila Allkja Biçaku dhe Parajsa Shtini

© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Merret vendimi nga QSHA: do të vlerësohet shpërndarja e pikëve në bazë të rezultateve të nxënësve

Next Article

Fillojnë punimet për restaurimin e shtëpisë, ku ka jetuar për pak kohë At Gjergj Fishta

Related Posts