Jetë pa tinguj!

Fëmijët që nuk flasin e nuk dëgjojnë bëjnë pjesë te kategoria e personave me aftësi të kufizuara. Por përpos mungesës së dy shqisave të rëndësishme, gjuhës dhe të dëgjuarit, ata dinë të jenë unik dhe nxënës të shkëlqyer.

Instituti i nxënësve që nuk dëgjojnë është një institucion shtetëror, ku të gjitha shërbimet janë falas. Drejtuesja dhe mësueset e këtij institucioni kërkojnë që sa më shumë prindër të mësojnë për ekzistencën e tij dhe shërbimet që ofrohen që para se të trokasin në dyert e klinikave private dhe të paguajnë qimet e kokës për kujdesin ndaj fëmijëve të vijnë të shohin çfarë pune bëhet në këtë institucion.

JETË PA TINGUJ 

(dedikuar fëmijëve që s’flasin e s’dëgjojnë) 

Fëmijët që nuk flasin e nuk dëgjojnë janë ajo pjesë e shoqërisë shqiptare të cilët hyjnë tek kategoria e personave me aftësi të kufizuara. Por përpos mungesës së dy shqisave të rëndësishme, gjuhës dhe të dëgjuarit, ata dinë të jenë unik dhe nxënës të shkëlqyer.  Ata kanë ëndrra si çdo fëmijë e madje shkëlqejnë edhe në shkollë. Ëndrrat e pasionet e secilit prej këtyre fëmijëve shembin çdo mur që i pengon të integrohen normalisht në shoqëri pasi ata dinë më shumë se kushdo tjetër të shohin më mirë ,të ndjejnë më afër, të prekin e të komunikojnë pothuaj gjithçka që perceptojnë sipas mënyrës së tyre unike.

Historitë e dhimbshme të këtyre fëmijëve janë aq të ngjashme, aq edhe të ndryshme  nga njëra-tjetra. Këta fëmijë jetojnë në metropol, por edhe në zonat më të thella të vendit, e megjithatë kjo nuk përbën ndryshim për asgjë.

Në rastin më të mirë, ata kanë diçka të çmuar që i shoqëron gjatë jetës, është dashuria dhe pasioni.

Institucioni i vetëm që kujdeset për ta dhe i fal shumë shpresë dhe dashuri është instituti i nxënësve që nuk dëgjojnë e nuk flasin.

Këta fëmijë nuk flasin, nuk dëgjojnë, nervozohen sepse askush në këtë botë nuk i kupton si ndihen apo çfarë duan. Të jesh pranë këtyre fëmijëve, të shikosh jetën e tyre të dhimbshme dhe fatin mizor që i vret ditë për ditë nga pak, është si të shikosh në një betejë  luftën midis fatit të shurdhër dhe shpresës  që vjen dhe shuhet. Këto qenie janë të shpërfillura jo vetëm nga shoqëria, por edhe nga vatra familjare. Është pikërisht kjo vatër  që i braktis ata nëpër ato të pakta institucione që punojnë për jetën e autikëve, e i lë këta fëmijë nën errësirën shurdhuese të harresës. Këta fëmijë janë qenie me gojë por nuk flasin, kanë veshë por nuk dëgjojnë. Mes kësaj xhungle paradoksesh ata vriten nga mungesa e përkujdesjes dhe dashurisë. Kanë nevojë për një dorë të ngrohtë që flokët e tyre të përkëdhelë e dashuri të rrezatojë.

Përse fati përkrah dhe mbështjell krahët e atyre që për të nuk kujtohen dhe lë në harresë ata që Zotit i luten çdo ditë për një fije dritë shpresë? Fati është lajkatar e luan me jetët e vogla e të pashpresa të këtyre fëmijëve. Kur ju dhuron një rreze dashurie këtyre qenieve, mbrapsht të kthehet një diell mirësie. Pse janë të dënuar kur faj nuk kanë? Ndoshta jemi ne të shurdhër që botën e tyre nuk e dëgjojmë. Ndoshta jemi ne të verbër që botën e tyre nuk shikojmë. Ndoshta …

Edhe pse nëpër media flitet e përflitet për sensibilizim, në horizont nuk shfaqet një i tillë. Janë të shumtë ata që luajnë rolin e spektatorit në këtë arenë të madhe gladiatorësh, por ka edhe nga ata që me shpirt e me zemër kanë ndërtuar një rrugë drejt shpëtimit për këta fëmijë. Janë në fakt këta misionare që përveç asaj që japin nga vetja e tyre, marrin shumë nga eksperienca humane me këta fëmijë.

Të zbulosh botën e brendshme të këtyre fëmijëve është po aq e vështirë sa dhe e bukur. Ata janë njerëz, të cilët me vështrimin e këtyre fëmijëve, kthehen në botën e tyre, kthehen në dhimbjen e tyre, por kthehen edhe në lodrat e tyre, në këngët e tyre, në ëndrrat e tyre, ne imagjinatën e tyre… Të gjithë mund të bëjmë diçka sado të vogël për të mbushur hapësirën e madhe boshe, jo me objekte të materializuara por me një pjesë të asaj që ndodhet në kraharorin tonë të majtë e që na bën ne të marrim titullin “qenie humane”. Ata kanë nevojë për shumë dashuri nga ne. Duhet ta shërojmë këtë fenomen sepse ky ka bërë që shoqëria jonë të përjetojë ende krizën e identitetit shoqëror dhe atë shpirtëror.

Diskriminimi që përjetohet nga shumë fëmijë me paaftësi në të dëgjuar nënkupton se ata kanë më pak mundësi që të kenë  qasje në përkujdesje shëndetësore ose në arsim se sa fëmijët e tjerë. Kjo po ashtu mund të dëmtojë edhe vlerësimin që ata kanë për veten e tyre dhe ndërveprimin me të tjerët dhe i bën ata më të cenueshëm nga dhuna, abuzimi dhe shfrytëzimi. Zakonisht këta  fëmijë shmangen nga shoqëria e sotme, si dhe përbuzën dhe diskriminohen në mënyra të ndryshme.

Shumica e njerëzve e konsiderojnë një njëri me aftësi të kufizuar si të paaftë për të përballuar jetën, duke e lidhur çdo aktivitet njerëzor me aftësinë e kufizuar. Të marrim punësimin. Punëdhënësit, që zakonisht janë persona pa aftësi të kufizuara, kanë vështirësi të punësojnë persona me aftësi të kufizuara, pasi nuk kanë besim në aftësitë e tyre. Ata i diskriminojnë haptazi dhe madje i përcjellin me keqardhje te porta, duke u premtuar punë për një herë tjetër. Ata i paragjykojnë në bazë të kufizimit të tyre, pa u dhënë shansin të shfaqin cilësitë e tjera mendore e fizike që mund të kenë. Edhe media ka ndikimin e saj. Shpesh në historitë personale ose të familjeve të personave me aftësi të kufizuar media nuk nxjerr në pah jetën e tyre normale, por thekson aspektin e të qenit “ndryshe”. Madje është traditë që edhe personazhet negative në filma shfaqen me një problem fizik. Ose në rastet kur janë personazhe pozitivë, janë të mëshiruar nga të tjerët për shkak të aftësisë së kufizuar.

Edhe në jetën e përditshme shumë prej nesh kur tregojmë një histori rreth një personi me aftësi të kufizuar, theksojnë problemet e këtij personi në përballimin e jetës, vështirësitë që ai has në jetën e përditshme, duke filluar nga mos të dëgjuarit, ngjitja e zbritja e shkallëve, ndjekja e shkollës, gjetja e një pune, vështirësitë për të krijuar një lidhje dashurore etj. Ndodh jo rrallë që këta persona njihen në lagje pikërisht me emrin e sëmundjes së tyre. Pa dashje edhe familjarët tyre ndihmojnë në forcimin e bindjes se ata nuk dinë të bëjnë asgjë. Madje nuk mungojnë rastet kur familjarët, të lodhur e të privuar në një farë mënyre në lirinë e tyre, të abuzojnë me gjendjen shëndetësore të të afërmit të tyre, përmes injorimit, neglizhimit, dhunimit, poshtërimit etj. Në formën dhe mënyrën e tyre ata e kanë aftësi të brendshme të cilat duhet të jesh i aftë ti zbulosh. Ekziston për këtë kategori nxënësish Instituti i nxënësve që nuk dëgjojnë ku jepet shërbim falas. Ofrohet shërbim nga shteti Shqiptar si në arsim ashtu edhe në mjekësi me standarde bashkëkohore. Gjithashtu është shumë e rëndësishme të theksohet se në këtë institut nxënësit kryejnë dhe mësim profesional prsh; rrobaqepësi, punë me dru, pikturë, këpucar. Në këtë mënyrë ata aftësohen nga ana profesionale për të ardhmen e tyre. Duhet të gjithë ne , një mëndje e një zëri të japim kontributin tonë në mirë informimin e këtij institucioni, rëndësinë që ka për të ardhmen e këtyre fëmijëve.

Ajo që duhet të bëjmë është të sensibilizojmë shoqërinë në përgjithësi, mbarë njerëzit për resurset sociale, për të menduar seriozisht dhe fuqimisht në të gjitha aspektet e veprimtarisë që synojnë trajtimin sa më të mirë dhe integrimin e kësaj pjese të konsiderueshme në nevojë. Unë personalisht si mësuese në këtë institucion e  konsideroj ndihmën ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara jo vetëm si Institucion Bamirësie, por edukim, arsimim dhe profesionalizëm, gjithashtu edhe për t’i integruar sa më mirë në shoqëri, për t’i mbrojtur nga cenet e plagët e sotme sociale. Thelbësore është ndihma e sa më shumë njerëzve pasionantë që nuk kursejnë asgjë për këta fëmijë; për këtë shtresë që duhet të na ngjajë me qerpikët e syve të shoqërisë…

Vetë personat me paaftësi në të dëgjuar nuk e shohin veten si të paaftë, dhe kanë të drejtë. Koha ka treguar që shumë personalitete botërore, që kanë pasur një aftësi të kufizuar, kanë bërë shkencë, art dhe politikë. 

Dhuroni sa më shumë ndjenja gëzimi

Dhuroni sa më shumë dashuri

Dhuroni sa më shumë mirësi

Dhuroni sa më shumë shprese për këta fëmijë

Ata kanë nevojë për ne dhe ne kemi nevojë për ta.

Silvana Cane, mësuese

© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Kreativiteti lind edhe nga shikimi

Next Article

“Më i miri” apo “më i sjellshmi”?

Related Posts