Hapet thirrja për programin kombëtar të praktikave të punës për vitin 2021

Kjo është thirrja e VI që MASR hap për të rinjtë e diplomuar që të marrin pjesë në Programin Kombëtar të Praktikave të Punës. Afati për aplikim është nga data 9 Korrik deri më datë 31 Korrik 2021, ndërsa praktika do të zgjas 3 muaj. Kriteret dhe detaje të tjera i gjeni në artikullin në vijim.

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka shpallur thirrjen e gjashtë të “Programit Kombëtar të Praktikave të Punës”, të cilat do të yhvillohen në Administratën Shtetërore dhe Institucionet e tjera Publike. 

Aplikimi është i hapur për të rinjtë, që përmbushin këto kritere:

  • Të jenë 21-26 vjeç;
  • Të kenë përfunduar minimalisht ciklin e parë të studimeve “Bachelor”;
  • Të mos kenë qenë pjesë e programit gjatë thirrjeve të mëparshme.

Informacionin rreth Programit, institucionet pjesëmarrëse, numrin e praktikantëve dhe profilet studimore të kërkuara mund t’i gjeni në linkun: http://praktika.arsimi.gov.al, nga ku mund të kryeni edhe aplikimin online, pasi të klikoni në dritaren “Aplikimi”. 

Të rinjtë e interesuar duhet të aplikojnë vetëm në një institucion të caktuar, në të kundërt aplikimi i tyre nuk do të merret në konsideratë.

Dokumentet që duhet të ngarkojnë aplikantët janë:

a- CV (jetëshkrimin) e aplikantit;

b- Letra e motivimit

Afati për aplikim është nga data 9 Korrik deri më datë 31 Korrik 2021.


Pas mbylljes së aplikimeve, institucionet përkatëse do të lajmërojnë nëpërmjet postës elektronike të përzgjedhurit për të filluar praktikën 3- mujore, në periudhën 16 gusht 2021 – 16 nëntor 2021.

Pjesëmarrësit do të përfshihen në një përvojë pune, në ndërveprim me profesionistët në administratën publike, institucionet e tjera publike, njësitë e vetëqeverisjes vendore, dhe shoqëritë tregtare, me qëllim përfitimin e njohurive praktike, pasurimin e jetëshkrimit të tyre, zgjerimin e rrjetit të kontakteve, aftësimin e mëtejshëm për punën në grup, përshtatshmërinë me ambientin e punës, ndërmarrjen e iniciativave etj.

Të gjithë praktikantët që e përfundojnë praktikën me sukses pajisen me certifikatë lëshuar nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Departamenti i Administratës Publike dhe periudha tre – mujore e praktikës njihet si përvojë pune nga Departamenti i Administratës Publike.

Ministrja Kushi: Praktikat e punës hapen për 2 mijë të rinj e të reja në të gjithë Shqipërinë

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi nëpërmjet një video-mesazhi përcolli lajmin e hapjes së thirrjes së gjashtë të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës.

“Janë 2 mijë vende praktike të profileve të ndryshme, për të cilat u jemi shumë mirënjohës të gjitha institucioneve që i janë bashkuar kësaj thirrjeje, duke filluar nga institucionet qendrore, ato të vetëqeverisjes vendore, institucionet e pavarura apo edhe shoqëritë e ndryshme tregtare”, – shprehet Kushi.

Pas praktikave 3-mujore që do të zhvillohen mes datave 16 gusht – 16 nëntor, të këtij viti, rreth 200 praktikantë që  do të kenë performancën më të mirë do t’u jepet mundësia e kontratës 1-vjeçare me institucionin ku kanë zhvilluar praktikën e punës. 


“Unë jam me të vërtetë e lumtur që edhe në ministrinë që drejtoj, ka plot të rinj e të reja që kanë përfituar direkt nga thirrjet e kaluara të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës. Ata sot, i kemi kolegë e bashkëpunëtorë të mirë dhe i vlerësojmë shumë për frymën pozitive dhe dinamizmin që kanë sjellë në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë,
” – thotë ministrja në këtë video- mesazh. 

Përgjatë 5 thirrjeve të shkuara të këtij programi janë 3 mijë të rinj e të reja që kanë realizuar praktikën 3-mujore, nga të cilët, rreth 1 mijë më të mirët kanë përfituar kontratë 1-vjeçare pune!

© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Ndryshimi i klimës nga njerëzimi, valët rekord të nxehtësisë 150 herë më të mundshme për të ndodhur

Next Article

Një mendje kurioze

Related Posts