Dua të kthehem dje!

Kam mall të jem një vajzë e vogël si dikur, të shkarravitem me buzëkuqet e sime mëje, t’ja vesh këpucët e të mërzitem kur ajo nuk më lë të mbaj edhe fustanet e saj.

Kam mall të jem e vogël e të bëj pyetje naive, t’i shtrëngoj dorën tim eti e të pohoj se “ai i di të gjitha”.

Kam mall për veten fëmijë, ku zgjedhja e fustaneve të kukullës bëhej motiv dite, ndërsa sot më duhet t’i jap motiv fustaneve për t’ja veshur ditës…

E urrej faktin se si nuk i besova kurrë të rriturve kur më thoshin se do të më marrë malli për këto ditë e do t’i kujtoj gjithmonë, se sa të thjeshta ishin gjërat e përherë të kishe dikë që kujdesej për ty! Nxitoja të rritesha, të bëja gabime, të pendohesha, nxitoja t’i ikja vetes!

Dua të rikthehem dhe njëherë në bankën e klasës së gjashtë, të përjetoj dhe njëherë të voglat emocione për djalin që të gjitha pëlqenim, të mos më zërë gjumi për një provim të nesërm e të ankohem se “gjithë hallet  e botës” duhet t’i kaloj unë…

Kam mall për veten fëmijë….

Sesi kërkoja vëmendje me çdo kusht e nuk e pranoja kurrsesi se jam e llastuar! Kam mall të fle herët e të zgjohem për të parë kukullat e preferuara, të luaj jashtë shtëpisë e të kthehem duke qarë se vrava gjurin, të mësoj biçikletën, të provoj pianon, të filloj baletin, të gjitha…

Kam mall për vajzën e vogël që kam qenë, ëndrrat e të cilës nuk kishin kufi, që besonte në një botë ku çdo gjë është e mundur, me një zemër plot e të pathyer…

Dua të mbaj të lidhur fort fëmijën e të rriturën brenda meje, dua të mos e humbas veten me kuriozitetin e asaj që isha dikur, të mos heq dorë nga dëshira e fustaneve, të besoj fort se njerëzit që dua janë të përjetshëm, kam mall të jem naive… jemi veshur keqaz me mosbesim!

Kam mall të luaj symbyllas,

T’i mbyll sytë për çdo dëshirë që refuzon të më plotësohet.

T’i mbyll e t’i fshihem edhe njëherë lojës së pisët të të rriturve!

Të vrapoj për të gjetur një vend ku e liga s’më sheh dot,

Të t’i fitoj të gjitha lojërat,

E në fund të më gjesh aty ku nisi!

(Desantila Vatnikaj)

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

31 maji, Dita Botërore e Luftës Kundër Duhanit

Next Article

13-vjeçari shqiptar triumfoi në konkursin ndërkombëtar

Related Posts