Aktiviteti në shkollën “Shën Jozefi Punëtor”, Ipeshkvi Gjergj Meta apel të rinjve: Kanuni nuk vlen sot si ligj

Nxënës dhe mësues të shkollës “Shën Jozefi Punëtor” festuan së bashku festat e fundvitit duke organizuar një aktivitet të larmishëm. I pranishëm Ipeshkvi Gjergj Meta u ka bërë thirrje të rinjve se vlerat tradicionale duhet t’u transmetohen brezave, por Kanuni nuk mund të jetë ligj.

Në shkollën e Mesme Profesionale “Shën Jozefi Punëtor” u organizua një aktivitet i larmishëm në prag të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.

Drejtori i Shkollës Michele Leovino uroi të pranishmit që këto ditë festash t’ i gëzojnë me familjet dhe njerëzit më të dashur. “Krishtlindja është festa më e mahnitshme, që ne festojmë. Krishtlindja kudo në botë festohet me gëzim, pasi një nga arsyet është lindja e një fëmijë dhe kjo është një gëzim në çdo familje, që na çon madje edhe në fillesat, në lindjen e Jezusit. Festoni sipas traditës duke adhuruar Jezusin fëmijë dhe duke bërë vepra të mira me paqe e dashuri”, tha ai. 

P. Michele u ndal edhe në përjetimet e takimeve të zhvilluar me të rinjtë të ndarë në 3 grupe: Ditari i Zemrës, Heshtje, Diskutime duke përcjellë mesazhin: “Të reflektojmë me qetësi, paqe dhe dashuri”.


Gjakmarrja vazhdon të mbetet një plagë për Shqipërinë. Ndaj Ipeshkvi i Dioqezës Rrëshen Dom Gjergj Meta kishte zgjedhur pikërisht “Kanunin” si subjekt diskutimi me të rinjtë e  “Shën Jozefit”.


“Subjekti që kam zgjedh është një subjekt mjaft delikat, Kanuni. Kjo rregullore si ligj sot nuk vlen më. Patjetër që në të ka edhe fjalë e vlera njerëzore si: fjala e dhënë, respekti për njerëzit dhe familjen.  Vlerat tradicionale duhet t’ua transmetojmë brezave, por Kanuni nuk mund të jetë ligj për rregullimin e marrëdhënieve shoqërore, ne kemi ligjet. Të rinjtë duhet të informohen dhe të njihen me ligjet. Ne jemi për ligjshmëri dhe garantohet me respektimin e ligjit që janë rregulla të pashkruara, apo ligje të miratuara për të ndërtuar një shoqëri të mirë, demokratike dhe të jetueshme”,
 deklaroi Ipeshkvi Gjergj Meta.

Dom Gjergji vijoi më tej duke theksuar se “Zoti nuk na ka krijuar vetëm, por bashkë. Nëse shikoni një situatë, që ka nevojë për praninë tonë, mos u kurseni bëhuni të afërm dhe ndihmojeni atë, dhe secili nga ne kështu mund të kalojë një Krishtlindje të bukur”. 

Presidentja e Senatit të Nxënësve, Ina Ndoj uroi sa më shumë paqe, harmoni e begati: “Viti i ri të jetë plot me ëndrra si edhe të kemi vullnet për t’i realizuar ato”.

Nxënësit dhe mësuesit u argëtuan me programin artistik të gërshetuar me këngë, valle, recitime, por edhe me dramatizimin e veprës “Prilli i thyer” nga Ismail Kadare. 

Urimi që u përcoll ishte “Gëzuar Krishtlindjet! Një vit i mbarë dhe i paqtë për të gjithë!”

Nga Lindita Kokaj

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Sugjerimi i ditës - Libri “Hoteli përbri kishës dhe disa tregime të errëta”

Next Article

Rëndësia e mënyrës së komunikimit gjatë shpjegimit në klasë

Related Posts