Rëndësia e mënyrës së komunikimit gjatë shpjegimit në klasë

Shpjegimi në klasë, komunikimi ballë për ballë, shkëmbimi i mendimeve në formën e pyetje-përgjigjeve, rritin interesin e nxënësve. Mënyrat e komunikimit apo gjestet janë një mjet i rëndësishëm për të kuptuar se si flasim, si mendojmë.

Gjatë zhvillimit të mësimit në klasë, është i pashmangshëm komunikimi mësues-nxënës. Dhe gjatë komunikimit, jo pak herë vihet re shoqërimi i fjalëve me lëvizje duarsh dhe me një mimikë të caktuar. Roli i këtyre gjesteve është një tregues mjaft i rëndësishëm në mënyrën se si ne komunikojmë dhe mendojmë. 

(1) Gjesti shoqëron mendimet e folësve (shpesh mendimet e pathëna jo vetëm të mësuesve, por edhe të nxënësve), madje qoftë edhe vetëm pak vëmendje, mund të ndihmojë një mësues që të kuptojë ekspresivitetin, natyrën, bagazhin e informacionit të nxënësit. Pra, mund të shërbejë si një dritare për ta njohur dhe për ta kuptuar më mirë nxënësin gjatë komunikimit. 

(2) Gjesti mund të ndryshojë mendimet dhe reagimet e bashkëfolësve. Për shembull, një gjest inkurajues i një mësuesi (një shprehi më e qetë në fytyrë, shoqërimi i shpjegimit me lëvizje duarsh, por jo në mënyrë të nervozuar) ka fuqinë për të ndryshuar mënyrën se si nxënësit të përqendrohen, të ndryshojnë kursin e të mësuarit. Ndikimi është gjithnjë pozitiv: më shumë vëmendje, më shumë rezultat. 

Por komunikimi nëpërmjet gjesteve mund të shërbejë jo vetëm për mënyrën e shpjegimit, por edhe të vlerësimit në klasë.

Gjestet që nxënësit shfaqin në mënyrë spontane kur flasin, kur pyesin për paqartësitë, janë një tregues mjaft i mirë që mësuesit të kuptojnë apo të depërtojnë në mendimet e tyre. Madje shoqërimi i një përgjigjeje me gjeste i një nxënësi në klasë, mund t’i shërbejë mësuesit për ta vlerësuar atë. Kjo, pasi gjestet e nxënësve shpesh shfaqin informacion për mënyrën se si ata mendojnë e që s’mund ta shprehin në të shkruar. Pra, gjestet mund t’u sigurojnë mësuesve informacion të rëndësishëm për njohuritë e nxënësve të tyre. 

Pra, komunikimi luan një rol kryesor. Ky komunikim shoqërohet me anë të gjesteve, të cilat, në mënyrën e tyre, janë tregues. Së pari, gjesti pasqyron atë që nxënësit dinë dhe prandaj mund të shërbejë si një dritare drejt mendimeve të tyre. E rëndësishme është, se kjo dritare shpesh zbulon mendime që nxënësit as nuk i dinë se i kanë. Inkurajimi i tyre që të përfshihen në komunikim, apo në bashkëbisedim, ka fuqinë të zbulojë te mësuesi mendime mjaft të dobishme për t’i njohur ata. Së dyti, komunikimi i shoqëruar me gjeste, mund të ndryshojë rrjedhën e këtij komunikimi. Për shembull, gjesti inkurajues ka fuqinë të ndryshojë dhe të ndërtojë një gjuhë komunikimi më të mirë (ose mund ta dëmtojë atë në rastin e kundërt). 

Përfundoj, shpjegimi në klasë, komunikimi ballë për ballë, shkëmbimi i mendimeve në formën e pyetje-përgjigjeve, rritin interesin e nxënësve. Mënyrat e komunikimit apo gjestet janë një mjet i rëndësishëm për të kuptuar se si flasim, si mendojmë, por, më e rëndësishmja, janë nxitës që gjithçka që shpjegohet të dëgjohet dhe të përvetësohet më mirë. 

Nga Artemisa Bushi, redaktore 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Aktiviteti në shkollën "Shën Jozefi Punëtor”, Ipeshkvi Gjergj Meta apel të rinjve: Kanuni nuk vlen sot si ligj

Next Article

Rëndësia e mënyrës së komunikimit gjatë shpjegimit në klasë

Related Posts