Ky është një model testi në lëndën e letërsisë i cili u vjen në ndihmë maturantëve për provimin në këtë lëndë. Ai është hartuar sipas modelit të testeve të Çelësit të Letërsisë dhe Gjuhës shqipe për Maturën Shtetërore, Albas. Në test trajtohet Katedralja e Parisit (Kllapia) e shkrimtarit Viktor Hygo.
Test për maturantët në lëndën e letërsisë
Fragment nga Katedralja e Parisit (Kllapia) e Viktor Hygo
Klod Froloi nuk ndodhej më në katedrale, kur i biri i tij në shpirt e këputi aq papritmas nyjen fatale, me të cilën kishte ngecur edhe vetë. Pasi qe kthyer në sakristi, ai kishte hequr me të shpejtë veladonin dhe stolën, ia kishte hedhur këto sakristanit, të habitur; pastaj kishte dalë nga dera e fshehtë e manastirit, kishte urdhëruar një varkar të Terenit ta hidhte në bregun e majtë Senës dhe së andejmi ishte futur në rrugët kodrinore të lagjes së Universitetit, pa ditur as vetë ku shkonte dhe duke hasur në çdo hap grupe burrash dhe grash që ishin drejtuar te ura SenMishel, për të parë si do ta varnin magjistaren. Ai ishte i zbehtë dhe i shushatur, më i turbulluar, më i verbër dhe më i egërsuar se një zog nate, të cilin e nget dhe e ndjek pas një tufë kalamajsh në mes të ditës. Ai nuk dinte më ku ishte, ç’mendonte dhe nëse shihte një ëndërr apo ishte zgjuar. Herë ecte kuturu, pa e zgjedhur drejtimin, dhe merrte herë njërën rrugë herë tjetrën, i shtytur përpara nga një mendim i vetëm: nga mendimi për sheshin Grev, për sheshin e llahtarshëm Grev, të cilin ai e ndiente ashtu turbull prapa vetes së tij.
Ai kaloi kështu në kodrën Sen-Zheneviev dhe doli, më në fund nga qyteti prej portës Sen Viktor. Vazhdoi të largohej derisa, duke kthyer kokën, mundi të shihte ende kullat që rrethonin Universitetin, si dhe shtëpitë e rralla të lagjeve të jashtme; por kur, më në fund, një bregore e vogël ia fshehu nga sytë krejtësisht atë Paris të urryer, kur kujtoi se ndodhej nja njëqind kilometra larg së andejmi, i degdisur në mes të fushave, në mes të një shkretëtire qëndroi dhe iu duk se aty mund të merrte frymë lirisht.
Atëherë e pushtuan mendime të lemerishme. I bëri një shqyrtim shpirtit të tij dhe iu rrëqeth shtati. Iu kujtua ajo vajzë fatkeqe, që e kishte marrë atë më qafë dhe që, edhe vetë ishte marrë më qafë prej tij. I hodhi një vështrim të hutuar udhës së dyfishtë dhe plot zigzage, që fati i kishte bërë të përshkonin që të dy gjatë jetës së tyre, deri te ai udhëkryq ku ky fat i kishte përplasur ata pa mëshirë njëri me tjetrin. Ai vrau mendjen për marrëzinë e betimeve të përjetshme, për kotësinë e shkencës, të virtytit, të dëlirësisë morale për padobinë e perëndisë. U kap me gëzim pas këtyre mendimeve të mbrapshta dhe, duke u kredhur thellë më thellë në to, ndjeu se po i ziente në kraharor një e qeshur satanike.
Duke e vëzhguar në këtë mënyrë shpirtin e tij, ai e kuptoi se ç’vend të madh u kishte lënë natyra pasioneve dhe atëherë nënqeshi edhe më shumë me hidhërim. Ai e hulumtoi tërë urrejtjen, tërë ligësinë që fshihej në zemrën e tij, dhe duke vëzhguar me syrin e ftohtë të një mjeku që studion një të sëmurë, u bind se kjo urrejtje dhe kjo ligësi nuk janë gjë tjetër, veçse një dashuri e shtrembëruar; se dashuria, ky burim i virtyteve të njeriut, shndërrohet në diçka të përbindshme në shpirtin e një prifti dhe se një njeri si ai bëhet demon, duke u bërë prift. Atëherë ia plasi një gazi të frikshëm dhe pastaj u zbeh papritmas: shikoi anën më të errët të pasionit të tij fatal, të asaj dashurie gërryese dhe helmuese, urryese dhe të papërmbajtur që e kishte çuar ciganen në trekëmbësh dhe atë vetë në skëterrë; ajo ishte dënuar, ai ishte mallkuar. …..
….Oh ajo kudo! Ky mendim i ngulët nuk i shqitej për asnjë çast, e bluante përbrenda, i brente trurin dhe i sfiliste shpirtin! Ai nuk ishte menduar aspak, nuk i vinte keq aspak; gjithçka që kishte bërë, ishte gati ta bënte përsëri. I pëlqente më mirë ta shihte atë vajzë në duart e xhelatit, sesa në krahët e kapitenit; por ai vuante, vuante aq shumë, saqë herë-herë shkulte nga koka tufa flokësh për të parë mos ishte thinjur…
Qe një çast kur i shkoi në mendje se ndoshta pikërisht në atë minutë zinxhiri i shëmtuar, që ai kishte parë atë mëngjes, shtrëngonte tani me një nyjë hekuri qafën e saj të hajthme dhe të hijshme. Ky mendim e bëri t’i dilnin djersë të ftohta në ballë.
Qe dhe një çast tjetër kur, duke qeshur plot ligësi me veten e tij, e përfytyroi Esmeraldën ashtu siç e kishte parë për të parën herë: të gjallë, të shkujdesur, gazmore, të veshur e të stolisur, vallëzuese, krahëlehtë, dhe, fill pas kësaj, Esmeraldën e herës së fundit: me këmishë dhe me litar në qafë, duke ngjitur shkallët ngadalë dhe këmbëzbathur përpjetë shkallëve të thepisura të trekëmbëshit. Ai e përfytyroi aq qartë këtë figurë të dyfishtë, saqë lëshoi padashur një ulërimë të frikshme.
Ndërsa ky tufan dëshpërimi po e mbyste, po e thyente, po e shqyente, po përkulte dhe po shkulte gjithçka në shpirtin e tij, ai i hodhi një vështrim natyrës që e rrethonte. Te këmbët e tija disa pula diçka po çukitnin nëpër driza; brumbujt e ndritshëm zvarriteshin në diell, dhe përmbi kokën e tij vozitnin në qiellin e kaltër shtëllunga resh në ngjyrë argjendi; larg në horizont shtiza e abacisë Sen Viktor priste me obeliskun e vet të përhimët vijën e lakuar të një brengosjeje, dhe mullisi i kodrinës Kopo vështronte, duke fërshëllyer, se si vërtiteshin krahët e papërtuar të mullirit të tij. Tërë kjo jetë e gjallë, e rregullt dhe e qetë, e trupëzuar përqark tij në mijëra forma i shkaktoi dhembje. Ai krisi e iku përsëri ku sytë këmbët.
Kështu brodhi përmes fushave deri në mbrëmje. Ky largim nga natyra, nga jeta, nga vetvetja, nga njeriu, nga zoti, nga gjithçka zgjati tërë ditën. Herë-herë ai binte përmbys në tokë dhe shkulte me thonj kallinjtë e njomë; herë-herë ndalej në mes të rrugës së shkretë të ndonjë fshati, ku e pllakosnin mendime aq torturuese, saqë ai zinte kokën me të dyja duart, sikur mundohej ta shkulte këtë nga supet dheta përplaste përdhe.
Kur po perëndonte dielli, ai e hulumtoi edhe njëherë shpirtin e tij dhe iu duk se pothuaj kishte luajtur mendsh. Furtuna që kishte shpërthyer te ai qysh kur pati humbur edhe shpresën, edhe vullnetin për ta shpëtuar ciganen, nuk kishte lënë në vetëdijen e tij asnjë mendim të shëndoshë, asnjë ide të pacenuar. Mendja e tij dukej se ishte bërë hije e pluhur. Vetëm dy figura kishin ngelur të qarta në vetëdijen e tij: Esmeralda dhe trekëmbëshi; çdo gjë tjetër ishte kredhur në errësirë. Ato dy figura, duke u afruar me njëra-tjetrën, përbënin një grup të llahtarshëm, dhe sa më shumë që ai e përqendronte në to pak vëmendje që i kishte ngelur, aq më shumë rriteshin ato në përpjesëtime fantastike; njëra me hijeshinë, bukurinë, joshjen dhe dritën e vet, tjetra me shëmtimin e vet; më në fund Esmeralda zuri t’i dukej si një yll, kurse trekëmbëshi si një krah i stërmadh dhe eshtak.
1. Hygoi është përfaqësues i:
a. Rilindjes Evropiane,
b. Realizmit Francez,
c. Klasicizmit Francez,
ç. Romantizmit Francez.
2. Karakteristikë e stilit të Hygoit në këtë fragment është:
a. thjeshtësia e rrëfimit,
b. gjuha e pasur figurative,
c. abstraktimi filozofik,
ç. zbërthimi i botës psikologjike përmes kontrastit.
3. Kur rrëfimi është në vetën e tretë, si në këtë fragment, atëherë:
a. vepra fiton objektivitet;
b. rrëfimtari krijon distancë nga ngjarja;
c. rrëfimtari mban qëndrim asnjanës;
ç. të gjitha së bashku.
4. Romantikët e “demokratizuan” letërsinë. Cila nga alternativat e mëposhtme demonstron këtë element?
a. Personazhet janë mbretër, heronj mitikë me fuqi të jashtëzakonshme;
b. heronjtë nuk i përkasin shtresave të larta të aristokracisë, por njerëzve të thjeshtë;
c. heroi, ashtu edhe mjedisi e ngjarja në të cilën gjendet, përfaqëson shumësi vetish të përbashkëta për shumë individë e situata reale.
5. Ky fragment karakterizohet nga:
a. gjendja e rënduar emocionale e personazhit;
b. gjyqi që personazhi i bën vetes;
c. zbulimi i natyrës së vërtetë demoniake të Frolosë;
ç. të gjitha së bashku.
6. Personazhi është:
a. personazh mitik,
b. personazh i jashtëzakonshëm,
c. personazh real,
ç. personazh i trilluar.
7. Duke iu referuar fragmentit të mëposhtëm, thoni çfarë ironizon përmes këtij personazhi Hygoi. “Ai vrau mendjen për marrëzinë e betimeve të përjetshme, për kotësinë e shkencës, të virtytit, të dëlirësisë morale, për padobinë e perëndisë. U kap me gëzim pas këtyre mendimeve të mbrapshta dhe, duke u kredhur thellë më thellë në to, ndjeu se po i ziente në kraharor një e qeshur satanike”.
a. turmat e pazhvilluara, të cilat kishin besim të verbër te kisha katolike;
b. figurën e klerit katolik dhe të pushtetit të tij absolut;
c. vënien në qendër të një personazhi të zakonshëm, siç është Esmeralda.
8. Çfarë e bën të jashtëzakonshëm këtë personazh?
a. Gjendja emocionale në të cilën ndodhet;
b. fakti që është përfaqësues i fjalës së Zotit;
c. karakteri i fortë, i egër dhe i pushtetshëm.
9. Personazhi i Frolos vjen i zmadhuar në një gjendje të përmbysur. Çfarë hiperbolizohet te ky personazh?
a. Pushteti, zotësia e tij;
b. dobësia, ligësia, amoraliteti, xhelozia;
c. marrëdhëniet njerëzore që vendos me njerëzit;
ç. bëmat e tij heroike.
10. Cili veprim i Frolos (personazhit) e bën atë të klasifikohet si personazh romantik në fragment?
a. Dialogimi me natyrën,
b. kulti i ndjenjës,
c. largimi nga realiteti, duke mos e përballuar dot atë.
11. Përshkrimi i gjendjes emocionale në fragmentin e mëposhtëm përcillet përmes:
Ndërsa ky tufan dëshpërimi po e mbyste, po e thyente, po e shqyente, po përkulte dhe po shkulte gjithçka në shpirtin e tij, ai i hodhi një vështrim natyrës që e rrethonte. Te këmbët e tija disa pula diçka po çukitnin nëpër driza; brumbujt e ndritshëm zvarriteshin në diell, dhe përmbi kokën e tij vozitnin në qiellin e kaltër shtëllunga resh në ngjyrë argjendi.
a. përshkrimin e personazheve,
b. përshkrimin e mjedisit,
c. kontrastin artistik,
ç. dialogun midis personazheve.
12. Situata që përshkruhet në këtë fragment është:
a. tragjike,
b. e jashtëzakonshme,
c. absurde,
ç. komike.
13. Edhe pse njeri i Zotit, Frolo:
a. ndërmerr udhëtime të largëta në kohë dhe hapësirë;
b. nuk i shpëton dot gjyqit të vetes dhe fajësisë së mëkatit;
c. dashuron si të gjithë njerëzit.
14. Ç’figurë e mendimit dhe e sintaksës poetike gjendet në fjalinë e mëposhtme?
Ai ishte i zbehtë dhe i shushatur, më i turbulluar, më i verbër dhe më i egërsuar se një zog nate, të cilin e nget dhe e ndjek pas një tufë kalamajsh në mes të ditës.
a. metafora dhe inversioni,
b. shkallëzimi artistik dhe krahasimi,
c. personifikimi dhe përsëritja artistike.
15. Në fragmentin e mëposhtëm, dramaticiteti realizohet përmes:
Vetëm dy figura kishin ngelur të qarta në vetëdijen e tij: Esmeralda dhe trekëmbëshi; çdo gjë tjetër ishte kredhur në errësirë. Ato dy figura, duke u afruar me njëra-tjetrën, përbënin një grup të llahtarshëm, dhe sa më shumë që ai e përqendronte në to pak vëmendje që i kishte ngelur, aq më shumë rriteshin ato në përpjesëtime fantastike; njëra me hijeshinë, bukurinë, joshjen dhe dritën e vet, tjetra me shëmtimin e vet; më në fund Esmeralda zuri t’i dukej si një yll, kurse trekëmbëshi si një krah i stërmadh dhe eshtak.
a. intensitetit të veprimit,
b. zhvillimit të konfliktit,
c. kundërvënien mes personazhit e objekteve,
ç. zgjidhjes së situatës.
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.