Shqipëria humbet përballë Italisë

Kombëtarja shqiptare mbrëmë luajti ndeshjen e radhës kundër Italisë në Palermo për kualifikueset e Botërorit 2018 që do të mbahet në Rusi.

Shqipëria e nisi ndeshjen me titullarë në portë Thomas Strakosha, djali i legjendës së portës shqiptare Foto Strakosha, që debutoj me kombëtaren e parë. Në mbrojtje u vendosen Arlind Ajeti dhe Frederik Veseli në qendër dhe në krahë të mbështetur nga Ansi Agolli dhe Elseid Hysaj. Mesfusha përbëhej nga Blerim Kukeli, Ledian Memushaj, Migjen Basha, Andi Lila dhe Odise Roshi ku dy të fundit duhet të ndihmonin edhe sulmin që udhëhiqej nga Sokol Cikalleshi.

Ndeshja nisi me emocione pasi u kënduan himnet e të dyja kombëtarëve dhe tifozët e respektuan njëri-tjetrin ku kënduan dhe duartrokiten kundërshtarët.

Ndeshja nisi menjëherë me ritëm nga të dyja ekipet dhe që në minutën e parë Shqipëria krijon një aksion model nga krahu i majtë ku Odise Roshi shërben në qendër për Cikalleshin dhe pas një goditje mjaft të mirë fati shpëton portën e Italisë pasi topi shkon ngjitur me cepin e portës. 10 minutat e para Shqipëria po luftonte dhe po luante mjaft mirë por për shkak të një prekje në zonë, Migjen Basha shkakton faull ndaj Belottit arbitri i ndeshjes jep penallti. De Rossi nga pika e 11-metërshit nuk gabon dhe shënon golin e parë për Italinë. Shqipëria mundohet të rikthehet në ndeshje duke qarkulluar topin por pa rezultat dhe pjesa e parë mbyllet 1-0.

Në pjesën e dytë ndeshja nisi përsëri me ritëm nga të dyja ekipet por në minutën e 57 gjyqtari ndërpret ndeshjen pasi tifozët e kombëtares shqiptare fillojnë të krijojnë trazira në stadium duke hedhur tymuese dhe flakadanë në stadium dhe drejt tifozërisë kundërshtare. Sjellje kjo jo e hijshme nga tifozët shqiptarë të cilët nuk kishin ndonjë arsye për të krijuar këtë ndërprerje prej 10 minutash të ndeshjes. Pas ndërhyrjes së sigurisë dhe kapitenit të kombëtares shqiptare, Ansi Agolli dhe lojtarëve të tjerë shqiptarë u bë i mundur qetësimi i tifozërisë dhe ndeshja rifilloj. Gjatë minutave të mbetura Italia rrezikoj portën disa herë por paraqitja e mirë e portierit vetëm 21 vjeç bëri që mos të arrinin të shënonin deri në minutën e 71 ku topi u harkua nga e djathta dhe aty u gjend i vetëm sulmuesi  i Italisë Immobile dhe me një goditje me kokë arrin të mposhti Strakoshën dhe kështu rezultati thellohet 2-0. Në pjesën e mbetur të ndeshjes ritmi u ul ndjeshëm dhe në fund u mbyll me fitoren e Italisë.

Shqipëria pavarësisht humbjes me lojën e bërë në një fushë të huaj dhe për më tepër ndaj një rivali si Italia tregoj edhe një herë që është e aftë të rivalizoje me ekipet më të mira të Europës.

Pas humbjes së mbrëmshme Shqipëria renditet e katërta në grup ndërsa Italia vazhdon në ndjekje të Spanjës e cila fitoj me lehtësi ndaj Izraelit me rezultatin 4-1. Ndërsa ndeshja tjetër e grupit tonë, ajo midis Lihtenshtejnit dhe Maqedonisë u mbyll 0-3 në favor të Maqedonisë. Ndeshja e radhës për kualifikueset e botërorit 2018 për kombëtaren shqiptare është me 11 qershor në Izrael. Ju rikujtojmë se në datën 28 mars Shqipëria do të luajë një ndeshje miqësore ndaj Bosnjës në Elbasan Arena në orën 18:00.

(Arnold Përlala)

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Albas bashkëbisedon me mësuesit për digjitalizimin

Next Article

Kopshti ideal, veshja, hapësira ...

Related Posts