Nxënësit e mi preferojnë më së shumti matematikën

Ilir Kamani, mësuesi matematikës në shkollën 9-vjeçare “Hasan Tahsin” gjatë një interviste na tregon se si është të shpjegosh botën e shifrave, marrëdhënien me nxënësit dhe disa këshilla për nxënësit e tij. Për të gjithë ju që mendoni se matematika është lënda më e vështirë dhe nxënësit i “tremben” asaj, atëherë e keni gabim, profesor Iliri tregon se asnjëherë nuk i ka dëgjuar nxënësit e tij të thonë: “o bo bo kemi matematikë”.

Si është të shpjegosh botën e shifrave?

Të shpjegosh botën e shifrave është ai kalim nga abstraktja tek materia. Numrat t’i kthesh në objekte, objektet në lëvizje, lëvizjen në jetë, njësoj si t’u mësosh fëmijëve të vegjël ecjen.

Çfarë mendoni kur dëgjoni nxënësit të thonë “o bo bo tani kemi matematikë”?

Asnjëherë, në asnjë moment, nuk e kam dëgjuar nga nxënësit e mi këtë shprehje. Në momentin që ndodh kjo, më duhet të gjej një profesion tjetër. Dihet që disa pëlqejnë botën e numrave e të tjerë jo. Detyra dhe dëshira ime si mësues është, që asnjë nxënës, për çfarëdolloj arsyeje të mos e ndiejë dhe mendojë këtë. Ora e matematikës është bashkëbisedim në ato që dihen, krahasim dhe testim në mënyrën se si dihen, e kuriozitet në ato që nuk dihen.

Cila është formula më e dashur për ju?

Çdo formulë që kuptohet, konceptohet, lidhet dhe zbatohet në përditshmërinë tonë.

Cila është ajo shprehje të cilën ua thoni shpesh nxënësve?

Të jenë vetvetja.Të marrin përgjegjësi për të ardhmen e të punojnë sa më shumë, me disiplinë, fokusim, përqendrim, këmbëngulje e dëshirë të pandërprerë vetëm kështu e paarritshmja bëhet e arritshme.

Çfarë ju ka mbetur në mendje nga puna juaj me nxënësit?

Gjithçka, çdo moment i bukur apo trishtë, i vështirë apo i tensionuar. I kam parë tek hedhin hapat e ndrojtur kur vijnë, e sa të sigurtë bëhen ata hapa kur ikin. I kam parë ashtu kaotik e të zhurmshëm kur vijnë, por të qetë, të rregullt dhe të disiplinuar kur ikin. I kam parë në mbërritje, tërësisht të ndryshëm në gjithçka që janë dhe bëjnë nga njeri-tjetri, por që kur e kanë përfunduar shkollën kanë qenë po aq të ndryshëm siç ishin, por dhe kaq shumë të ngjashëm në edukatën e punës, respektin për njeri-tjetrin, natyrën e gjithçka që i rrethon, të ngjashëm në përballje vështirësish e kurajo për të pamundurën.

Si do t’i përshkruanit nxënësit tuaj?

Nxënësit janë krijesa njerëzore në rritje, nxënësit janë fantastik. Janë “buka” dhe “gjella”shpirtërore e çdo mësuesi.

Nëse do ju kërkonim një formulë për lumturinë, si do ishte?

Lumturia është idividuale. Për mua është vetë jeta. Është ajo kënaqësia e gjërave të vogla që bëjmë në përditshmërinë tonë. Është hapja e dritares në mëngjes ku ajri i freskët rreh fytyrën e përgjumur, është kafja dhe aroma e ngrohtë e saj, është buzëqeshja e fëmijës, fjala e mençur e njeriut të ditur, rreshtat e një libri që lexoj, ndjesia e të pasurit pranë njeriun e mirë, ngjyrat e natyrës, era e tokës, uji që rrjedh, përplasja e valës në bregdetin e ashpër, vetmia që me zhyt në mendime, është buzëmbrëmja me gotën e verës në dorë që dridhet prej emocionit dehës t’vajzës së bukur pranë meje. Lumturia? Është “Pasioni për jetën”.

Cili është mesazhi juaj për kolegët tuaj të cilët japin gjithashtu matematikë?

Të ndryshojnë, të rriten, jo vetëm në artin e mësimdhënies, por para se gjithash si qënie njerëzore. Të panjohurën e të vështirën ta përcjellin sa më thjeshtë e sa më prekshëm, në sa më pak kohë. Të hapin e të zgjerojnë mendjen dhe zemrën në mënyrë që të fitojnë atë integritet e dinjitet që koha jua ka zbehur e shuar. Të kuptojnë se pa këto cilësi, virtyte e karakter, jo ata, por askush nuk do të munden kurrë të mësojnë e edukojnë një brez të drejtë e të denjë të së ardhmes.

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Dispozitat normative për sistemin arsimor parauniversitar

Next Article

Fier, nxënësit e shkollës “7 Dëshmorët” botojnë 2 gazeta

Related Posts