Pavarësisht gjithçkaje dalëngadalë do të kuptoni që vitet e shkollës së mesme janë të arta dhe herë pas here do të bëheni nostalgjik e ashtu me mall do të kujtoni gjithçka: shokët, zënkat, sukseset, mësuesit, aktivitetet e ndryshme…
Mbuluar nga tisi i kohës, ditët bëhen javë, javët bëhen muaj, e muajt bëhen vite… dalëngadalë përfundoi dhe një vit shkollor, e së bashku me të dhe një cikël arsimor. Por përfundimi i këtij cikli tregon që ju tashmë i keni ndërtuar themelet e personalitetit tuaj e ne mësuesit së bashku me prindërit kemi kontribuar që këto themele të jenë të forta e të fuqishme për të përballuar e për t’ia dalë me sukses përgjatë sfidave të jetës.
Fundi i shkollës së mesme lajmëron një fillim të ri tepër të rëndësishëm në jetën tuaj… atë të universitetit. Pavarësisht gjithçkaje dalëngadalë do të kuptoni që vitet e shkollës së mesme janë të arta dhe herë pas here do të bëheni nostalgjik e ashtu me mall do të kujtoni gjithçka: shokët, zënkat, sukseset, mësuesit, aktivitetet e ndryshme e shumë gjëra që ndoshta sa kohë ishit këtu nuk i vlerësuat sa duhet.
Ishte kënaqësi dhe sfidë për mua që t’ju ndiqja nga afër përgjatë këtyre viteve… isha dëshmitare e maturimit tuaj, e gabimeve, e sukseseve. Ju pashë dhe më patë si një familje të dytë, ju mësova dhe më mësuat shumë gjëra. Do të jem me ju përgjatë gjithë rrugëtimit tuaj e nëse jo fizikisht, me zemër po.
Ju uroj nga zemra suksese pafund!
E mos harroni:
– vlerësoni dhe përfitoni nga çdo çast i jetës,
– nëse nuk u kushtohet rëndësi gjërave të vogla nuk mund të arrini tek të mëdhatë,
– vendosni objektiva dhe punoni fort që t’i arrini,
– jetoni çdo moment dhe zbukurojeni me dashurinë për Zotin.
Kam shumë për të thënë, por dalëngadalë do e mbyll letrën time për ju… ju uroj suksese dhe mos harroni jam gjithnjë mbështetje për ju kudo që të jeni.
Me dashuri
Mësuesja kujdestare
Erjonilda Dojka