Fiqiri Çifliku nga MASR ka pohuar për Portalin Albas, se punësimi i mësuesëve të rinj shtesë vjen si nevojë e zhvillimit të mësimit me turne. Punësimi i tyre do të bëhet me kontratë afatshkurtër, por me pagë të plotë deri në përfundim të kontratës, ku dhe do të përzgjedhen tek portali “Mësues për Shqipërinë”.
Fiqiri Çifligu, Përgjegjës i Sektorit të Burimeve Njerëzore, Shërbimeve dhe Statistikës, ka treguar për portalin Albas se si veprohet me mësuesit e rinj ose jo në profesion, të cilët punësohen vetëm për periudhën që mësimi do të zhvillohet me turne. Ndër të tjera ai ka treguar mbi mënyrën se si janë paguar, por edhe sa afatgjate është kontrata e tyre. Për më shumë lexoni intervistën e mëposhtme.
Si po veprohet me ata mësues, të rinj ose jo në profesion, të cilët po punësohen prej zhvillimit të mësimit me turne për këtë vit shkollor jo të zakontë? I zgjidhni në bazë të renditjes së Portalit “Mësues për Shqipërinë” apo ka një mënyrë tjetër?
Mënyra kryesore e përzgjedhjes është portali “Mësues për Shqipërinë”. Të gjithë mësuesit e renditur në portal njoftohen, njëkohësisht dhe ata që pranojnë të punësohen menjëherë duke mbuluar nevojat emergjente për stafin mësimor që mungon. Ndërkohë nëse nuk ka kandidatë në portal që janë të gatshëm për tu punësuar, janë lidhur kontrata me kandidatë të tjerë jashtë portalit të cilët kanë formim në fushën përkatëse por nuk kanë mbyllur ende të gjitha detyrimet ligjore.
Cila është norma e tyre e orëve mësimore dhe a punojnë njëkohësisht në shkollat e mesme dhe ato 9-vjeçare, edhe pse mund të jenë specializuar vetëm në AML?
Në përgjithësi përzgjidhen mësues sipas nivelit arsimor por në rastet kur ka mungesa mund të ndodhë që mësues të AML dhe AMU mund të punojnë në cikle të ndryshme sipas rastit që paraqitet.
Si dhe sado të paguhet kjo kategori mësuesish? Si llogaritet paga e tyre dhe siguracionet?
Të gjithë mësuesit e punësuar do të paguhen me pagë të plotë për gjithë kohëzgjatjen e kontratës duke përfituar të gjitha të ardhurat, por dhe kontributet e sigurimeve shoqëroreapo dhe të orëve shtesë nëse i kryejnë.
Me çfarë kontrate janë të punësuar?
Sigurisht që kjo kategori mësuesit do të punësohet me kontrata afatshkurtra deri në rikthim të mësuesve që mungojnë apo deri në stabilizim të situatës së zhvillimit të mësimit pa turne.
Nëse nuk do të vazhdohet më me mësimin me turne çfarë do të ndodh me ta, do të mbesin të papunë?
Kontrata me këta mësues është e qartë dhe çdo mësues bie dakord me kohëzgjatjen e saj. Sigurisht në përfundim të këtyre kontratave, nëse gjatë vitit do të hapën vende të lira pune pa afat, kjo kategori do të ftohet përsëri për t’u punësuar.
Gjej rastin të falënderoj të gjithë ata profesionistë të cilët kanë pranuar të japin kontributin e tyre në këtë situatë të pazakontë.
Nanila Allkja Biçaku
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.