Faktet që çdo mësues duhet t’i dijë rreth traumave të fëmijërisë

Për fëmijët që kanë përjetuar trauma, të mësuarit mund të jetë një luftë e madhe. Ndaj ju si mësues duhet të informoheni rreth këtij fenomeni, edhe pse jeni me pushime. Për të qenë sa më profesional në punën tuaj dhe mbi të gjitha mbështetës për fëmijët që përjetojnë trauma, ndiqni këto këshilla.

Me pikëllimin, trishtimi është i dukshëm. Me traumën, simptomat mund të shkojnë kryesisht të panjohura, sepse ato imitojnë probleme të tjera si për shembull  zhgënjimin, ose vështirësi për t’u përqendruar në një punë apo çështje të caktuara. Fëmijët shpeshherë diagnostikohen me ankth, çrregullime në sjellje ose çrregullime të vëmendjes por është e vështirë të  kuptohet nëse kanë trauma që i drejtojnë  simptomat dhe reagimet e tyre. Për fëmijët që kanë përjetuar trauma, të mësuarit mund të jetë një luftë e madhe.

Doktori dhe psikologu klinik i Starr Commonwealth Dr. Caelan Soma ofron këto këshilla për të kuptuar fëmijët që kanë kaluar trauma në jetën e tyre dhe strategjitë që mund t’i ndihmojnë ata.

1. Fëmijët që kanë përjetuar trauma nuk ju bezdisin.

Nëse një fëmijë ka probleme me ndryshime momentale nga jeta e tij apo nuk ka bërë detyrat e kërkuara nga mësuesi, nuk do të thotë që ka për qëllim ta bezdisë atë. Mos harroni se fëmijët mund të shpërqendrohen për shkak të një situate në shtëpi që i bën ata të shqetësohen. Në vend që t’i qortoni nxënësit  kur janë vonë,  apo kur nuk kanë bërë detyrat e shtëpisë, mundohuni ta kuptoni  atë fëmijë. “Ndërroni mendimin tuaj dhe mbani mend që fëmija që ka përjetuar trauma nuk po përpiqet të ju bezdisë”, thotë Soma.

2. Fëmijët që kanë kaluar trauma shqetësohen për atë që do të ndodhë më pas.

Një rutinë e përditshme në klasë mund të jetë qetësuese, kështu që përpiquni të siguroni strukturë dhe parashikueshmëri kur është e mundur nga ju si mësues. “Meqenëse fjalët nuk i bëjnë menjëherë përshtypje fëmijëve që kalojnë trauma të ndryshme, ata kanë nevojë për shenja të tjera shqisore”, thotë Soma. Përveç shpjegimit se si do të mund të jetë dita juaj së bashku në klasë, bëni diçka ndryshe, si p.sh vendosini të gjithë fëmijët në një veprimtari apo lojë që nuk e keni bërë më parë.

3. Edhe nëse situata nuk duket aq e rëndë në sytë tuaj, rëndësi ka mënyra se si fëmijët me traumë ndihen.

Mundohuni të mos e gjykoni traumën e fëmijërisë. Si mësues të kujdesshëm duhet t’i kushtoni rëndësi mënyrës se si fëmija ndihet ndaj stresit. Duhet të përpiqeni t’a kuptoni atë nëse nuk jeni njohur ende me problemin që e shqetëson, për shembull, një fëmijë që jeton në varfëri mund të shqetësohet për familjen që  kanë probleme të ndryshme me shtëpinë apo si do e sigurojnë ushqimin. Ky lloj stresi në vazhdim mund të shkaktojnë traumë. “Çdo gjë që e mban sistemin tonë nervor të aktivizuar për më shumë se katër deri në gjashtë javë, përcaktohet si stresi post-traumatik”, thotë Soma.

4. Trauma nuk lidhet gjithmonë me dhunën.

Trauma shpesh shoqërohet me dhunë, por fëmijët gjithashtu mund të vuajnë nga trauma apo situata të ndryshme si divorci i prindërve, një veprim që ata mund t’i shqetësojë shumë. “Të gjithë fëmijët, që përjetojnë situata të tilla herë pas here përjetojnë stres ekstrem”, shprehet  Soma. 

5. Ju nuk duhet të dini domosdoshmërish shkakun e traumës që të ndihmoni fëmijët.

Në vend që të përqendroheni në specifikat e një situate traumatike, përqendrohuni në mbështetjen që mund t’u jepni fëmijëve apo nxënësve që vuajnë nga trauma të ndryshme. “Në vend që të çoni kuriozitetin tuaj deri ne fund duke mësuar çdo detaj të historisë së fëmijës, shihni realisht atë që po përjeton ai, lëndimin, zemërimin, shqetësimin”, thotë Soma. Privatësia është një çështje e madhe në punën me fëmijët që vuajnë nga trauma, dhe shkollat shpesh kanë një protokoll konfidencialiteti që mësuesit duhet të respektojnë. 

6. Fëmijët që pësojnë trauma kanë nevojë të ndiejnë se sa të dobishëm janë. 

“Gjeni mundësitë që t’i lejoni fëmijët të vendosin dhe të arrijnë qëllimet, sepse vetëm kështu ata do të ndihen të mirë motivuar”, sugjeron Soma. Caktojuni atyre punë në klasë që t’i bëjnë mirë. Për shkak se trauma është një përvojë e ndjeshme, fëmijëve u duhet më shumë sesa inkurajim, ata duhet të ndiejnë vlerën e tyre përmes detyrave konkrete.

7. Ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë midis stresit dhe të mësuarit.

Kur fëmijët janë të stresuar, ata e kanë të vështirë të mësojnë. Ndaj, krijoni një mjedis të sigurt dhe pranues në klasën tuaj duke i lënë fëmijët të kuptojnë situatën e tyre dhe i mbështesni ata. “Fëmijët që kanë përjetuar trauma kanë vështirësi në mësime nëse nuk ndjehen të sigurt dhe të mbështetur,” thotë Soma. “Sa më shumë që përpiqet mësuesi ta bëjë fëmijën të ndjehet më i qetë dhe më pak i shqetësuar për t’u përqendruar në detyrën e caktuar, aq më shumë përformanca pozitive do të shihni nga ai fëmijë. Pra ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë midis uljes së stresit dhe rezultateve në mësime.  

8. Vetë-rregullimi mund të jetë një sfidë kryesore për fëmijët që vuajnë nga trauma.

Disa fëmijë me trauma rriten me prindër emocionalisht të padisponueshëm. Pasoja e këtij rasti është pamundësia për tu qetësuar, kështu që fëmijët mund të zhvillojnë sjellje shpërqendruese dhe të kenë probleme me përqendrimin. Për t’i ndihmuar ata të përballen, ju mund të planifikoni pushime të rregullta për trurin e tyre. Tregojini klasës në fillim të ditës se kur do të kenë ata pushim për kohën e lirë apo për të luajtur një lojë. Një fëmijë mund të jetë në gjendje të realizojë një detyrë për 20-minuta, por nëse e di që do të ketë një pushim para detyrës tjetër.

9. Është mirë t’i pyesni fëmijët se çfarë mund të bëni për t’i ndihmuar ata. 

Ju mund t’i pyesni drejtpërdrejt se çfarë mund të bëni për t’i ndihmuar fëmijët me trauma. Ata mund të kërkojnë të dëgjojnë muzikë me kufje ose thjesht të vendosin kokën në tryezën e tyre për disa minuta. Soma thotë: “Ne duhet t’u shkojmë prapa dhe t’i pyesim ata si si mund t’i ndihmojmë dhe nëse ka diçka që mund të bëjmë për t’i bërë të ndjehen edhe pak më mirë?” 

10. Ju mund të mbështesni fëmijët me trauma edhe nëse ata nuk janë pjesë e klasës suaj.

Kur ju vëreni sjellje problematike tek një fëmijë apo disa të tillë, qoftë edhe të klasave të tjera, keni mirësinë, por tregohuni edhe profesionistë që të flisni me kolegët tuaj, pse jo me të gjithë stafin e shkollës, për të gjetur forma se si mund t’ ndihmoni këtë kategori fëmijësh. Kujtojani të gjithëve që të pyesni më parë se “çfarë po ndodh me atë fëmijë?”, në vend që të thoni  “Çfarë problemi mendor ka ai fëmijë?”.  Ky është një ndryshim i madh në mënyrën se si ne i shohim fëmijët. Nuk duhet të paragjykojmë asnjëherë, nuk e dimë së çfarë ai fëmijë po bluan në mendjen e tij; cili është problemi që e shqetëson; a është i kërcënuar nga dikush! Asnjëherë nuk dihet situata në të cilën një fëmijë  ndodhet, për këtë arsye duhet të tregohemi të matur dhe të përgjegjshëm për të ndihmuar përpara se sa të paragjykojmë.

Evalina Rami

© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Viti i ri shkollor (2020-2021), 74% e ndjekësve të Portalit Shkollor Albas votojnë kundër mësimit online, japin sugjerimet

Next Article

Fituesi i çmimit “Libri i karantinës”, Ervin Nezha: Në letërsi imagjinata mund luajë një rol më të rëndësishëm se gjuha apo eksperienca letrare

Related Posts