Cili është roli i shkollës për parandalimin dhe mbrojtjen e fëmijës nga abuzimi seksual?

Abuzimi seksual i fëmijëve është një nga format më të këqija të dhunës ndaj fëmijëve dhe ka një ndjeshmëri shumë të lartë. Që rastet mos të përsëriten kujtojmë se shkollat duhet të sigurojnë një ambient të sigurt për fëmijët dhe duhet të jenë në gjendje të përcjellin evolucionin e tyre.

Autoritetet e shkollës kanë përgjegjësinë kryesore për kujdesin dhe mirëqenien e nxënësve të tyre. Shkolla është një mjedis i privilegjuar për të parandaluar, njohur dhe ndërhyrë në situata që kërcënojnë mirëqenien dhe zhvillimin e fëmijëve. Kështu, shkollat duhet të sigurojnë një mjedis të sigurt për fëmijët dhe duhet të jenë në gjendje të ndjekin evolucionin e tyre, në mënyrë që të njoftojnë autoritetet kompetente për çdo situatë të identifikuar të cenueshmërisë. Për këtë arsye është përgjegjësi e shkollës që:

▪ Të ketë procedura dhe programe të qarta për mbrojtjen e fëmijëve në shkollë.

▪ Të japë udhëzime të qarta për drejtuesit, mësuesit dhe stafin, lidhur me identifikimin dhe përgjigjen ndaj shqetësimeve për mbrojtjen e fëmijëve dhe mbështetjen e vazhdueshme të fëmijës.

▪ Të caktojë një person përgjegjës për çështjet e mbrojtjes së fëmijëve që ka aftësi, motivim dhe njohuri specifike të kërkuara.

▪ Të monitorojë progresin e fëmijëve që konsiderohen të rrezikuar.

▪ Të kontribuojë në parandalimin e abuzimit seksual të fëmijëve nëpërmjet ofrimit të kurikulës

▪ Ofrimi ose aksesi i trajnimeve për mësuesit dhe anëtarët e ekipit drejtues, për të siguruar që ata kanë njohuri të mira pune për çështjet dhe procedurat e mbrojtjes së fëmijëve.

Shkollat janë efektive sepse ato mund të zbatojnë programe arsimore, të cilat kanë për qëllim të parandalojnë abuzimin seksual të fëmijëve, të përshtatura për moshat dhe nivelet e ndryshme të njohjes. Përmes këtyre programeve u ofrohen nxënësve njohuri dhe shkathtësi për të njohur dhe për të shmangur situatat potenciale seksualisht abuzive dhe me strategji për të penguar qasjet seksuale nga shkelësit. Ato, gjithashtu, duhet të informojnë për ndihmën e duhur që kërkohet në rast abuzimi ose tentim abuzimi dhe pajisjen e të rriturve me strategji për reagimin e shpejtë dhe efektiv të zbulimeve të rastit. Klasat ofrojnë mundësi të mëdha për të nxitur diskutimin dhe reflektimin në lidhje me të gjitha këto çështje. 

Parandalimi duhet të fillojë nga shkolla fillore, sepse viktimizimi i fëmijëve është vërejtur në të gjitha moshat. Mësuesit kanë një rol të rëndësishëm për identifikimin e rasteve të mundshme të abuzimit seksual. Ata janë të rriturit e besuar, të vendosur jashtë rrjeteve të familjes dhe të bashkëmoshatarëve, të mundshëm për të zbuluar një abuzim seksual (Crosson-Toëer, 2003). Përveç zbulimit të abuzimeve shkollat, gjithashtu, kanë rol të veçantë në identifikimin e shqetësimeve dhe fillimin e ndërhyrjeve për mënjanimin e tyre. Meqenëse shkollat janë një nga vendet e pakta ku fëmijët shkojnë pothuajse çdo ditë, mësuesit kanë mundësinë për të parë ndryshimet në pamjen dhe sjelljen e nxënësve.

Marrë nga “Manual për mësues – abuzimi seksual”, ASCAP 

© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Si të shkoni me studime në Amerikë? Ju sjellim eksperiencën e një të riu të suksesshëm

Next Article

Kualifikimi i mësuesve, provimi për vitin 2019-2020 do të jepet më 20-24 korrik

Related Posts