Mësuesi Bledi Lipo, bazuar në eksperiencën e tij shumë vjeçare në mësimdhënie, ka shkruar mbi cilësitë që duhet të ketë një edukues për të mundësuar efektivitet në punë e që nxënësit, sipas tij, të pësojnë një rezonancë intelektuale, shpirtërore dhe emocionale në formimin dhe në edukimin që do marrin.
Disa cilësi që një edukues duhet të ketë për të mundësuar një mësimdhënie efektive, e cila ndikon dhe bën që nxënësi të pësojë një rezonancë intelektuale, shpirtërore dhe emocionale në formim dhe edukim. Në ndërveprimin me nxënësit na duhet së pari të kuptojmë se:
1-Të gjithë nxënësit kanë nevojë për ne si mësues, por mënyra se si ata kanë nevojë për ne është e ndryshme. Çka na detyron të njohim nga afër aftësitë e tyre të të nxënit, stilet, nevojat, mundësitë, kapacitetet dhe faktorët e tjerë të jashtëm.
2-Duhet që “prodhimit të duarve tona” t’i shtojmë diçka nga shpirti dhe zemra në mënyrë që t’i afrohet konsumatorit me cilësi sa më të lartë.
Pra ne duhet të mundësojmë ngritjen e nivelit të ndërveprimit me nxënësit duke garantuar dy komponentë:
- Kompetencën profesionale në mënyrën se si i qasemi dhe ndihmojmë të nxënit dhe edukimin.
- Sinqeritetin për të treguar se ne jemi aty për të mirën e nxënësit dhe se nxënësi nuk është mjet, por është qëllim.
Nëse ende nuk kemi përmbushur këto dy komponentë edhe ndërveprimit tonë me nxënësit do t’i mungojë diçka esenciale.
3– Bëhu i arritshëm nga te gjithë, mos krijo barriera ndërmjet teje dhe atyre që të rrethojnë në mënyrë që çdokush të përfitojë nga ty! Sa më i afërt dhe sa më pranë asaj që i mungon nxënësit, aq më lehtë do të ndërveproni me nxënësin duke ndikuar në formimin dhe edukimin e tij!
4-Lexo dhe përgatitu çdo ditë, që të ofrosh një gotë me ujë duhet të kesh detin pas.
Përgatitja e mirë e mësimit, planifikimi me detaje i hapave të tillë si aktivitete hyrëse, tërheqja e vëmendjes, ilustrimi me shembuj, të zbatuarit, ndërveprimi me përmbajtjen, zgjedhja e metodave përmes së cilave nxënësve do t’u lehtësohet të nxënit, përfshirja në plan e asaj çka përjetojnë nxënësit sipas kontekstit të shkollës, situatave studimore të të nxënit të ngjashme me kontekstin, realitetin apo edhe lidhja me temat ndërkurrikulare, janë cilësi që i lejojnë edukuesit të rrisë rendimentin e transmetimit dhe ndikimit të mësimnxënies dhe sidomos edukimit si proces paralel.
5-Nëse vetëpërmbajtjen nuk e ke cilësi të lindur, atëherë trajnohu për të arritur këtë virtyt.
Një orë mësimore ka 45 min ndërveprim me nxënësit, çka kërkon nga edukuesi të jetë i vetëpërmbajtur për të menaxhuar me sukses nevojat e të nxënit dhe të papriturat gjate procesit.
6-Çdo mësim duhet të ngrihet në nivel edukimi!
Krahas kompetencave të lëndës u kushtojmë rëndësi të veçantë ndërlidhjes mes atyre kyçe dhe atyre të fushës duke synuar ndërtimin apo konsolidimin e kompetencave kyçe…
Fjala bie gjatë mësimit të konceptit “Zinxhirë ushqimorë, nxënësit mësojnë të respektojnë diversitetin e racave njerëzore dhe se njeriu nuk duhet dhe nuk e “ha njeriun.”
Një nxënësi mund të mos i duhet asnjëherë të dijë se sa muaj fle ariu polar apo sa kilogramë mish i duhet për t’u ushqyer, ndërkohë i duhet të njohe dhe respektojë shokët pavarësisht ngjyrës, etnisë, fesë etj, mësuesit dhe prindërit gjatë ndërveprimit me ta.
7-Bëhu si doktori që kuron me fjalë dhe jo si gjykatësi me të dënuarin!
Mësuesit mund dhe i duhet të ndërmarrë masa në lidhje me edukimin e nxënësve përmes disiplinës. Kështu fjalët, këshillat, veprimet e tij duhet të vinë të urta, në kohën dhe vendin e duhur, në dobi të nxënësit duke synuar edukimin dhe jo nënçmimin e tij.
8-Të shqetësohet vetëm për kultivimin e vlerave në kohën, mënyrën dhe vendin e duhur dhe të mos brengoset nëse jo çdo herë ka arritur rezultatin e dëshiruar!
Edukimi mund të japë frytet e veta edhe në paskohë, kështu edukuesi është si bujku i zemrave, ajo çka ka kultivuar mund të japë frute edhe në brezninë e dytë, nëse jo në të parën, njëjtë si ato farat që harron ketri andej këtej përmes së cilave rriten fidanë dhe hedhin shtat drurë të mëdhenj me frute.
Lisi fillon nga një farë, lumi nga një pikël, kështu çdokush mund të bëhet një numër me peshë!
9-Përputhe fjalën me veprën!
Më shumë ndikon vepra e një njeriu tek një mijë njerëz se sa fjala e një mijë njerëzve tek një njeri.
Fëmijët shohin tek edukuesi veprat e tij dhe jo vetëm fjalët e tij, ndaj duhet kujdes në filtrimin e veprave kundrejt vlerave që synojmë tek target grupi.
10-Falënderoi fëmijët në publik dhe këshilloi në privat!
Jep këshilla konstruktive fshehtas dhe mos kritiko në publik, përqendrohuni tek sjellja dhe fenomeni që duhet të ndreqim ose rregullojmë dhe jo tek karakteri i personit.
Shkroi Msc.Bledi Lipo
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.