Pas hapjes së muzeut Bunk’Art dhe ‘Shtëpisë së Gjetheve’, tani nxënësit, të rinjtë dhe mësuesit do të informohen në AIDSSH në lidhje me dokumente, ngjarje e njerëz, të njihen me arkivin e këtij autoriteti, po ashtu të vizitojnë burgun e Spaçit, të Burrelit, apo kampin e punës së detyruar në Tepelenë.
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi dhe Kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit” (AIDSSH), Gentiana Sula, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi mbi projekte të përbashkëta me fokus periudhën e viteve “44 – 91”.
Ministrja Kushi u shpreh se të gjithë janë të bindur se vetëm duke parë pas dhe duke e njohur mirë të shkuarën ne mund të gjejmë rrugën e duhur drejt të ardhmes.
“Jam e bindur që kjo marrëveshje bashkëpunimi nuk do të vlejë vetëm për institucionet tona, për nxënësit, të rinjtë apo studentët, por do t’i vlejë të gjithë shoqërisë. Pas hapjes së muzeut Bunk’Art, Bunk’Art 1 dhe ‘Shtëpisë së Gjetheve’, tani u japim mundësi nxënësve që të informohen në AIDSSH në lidhje me dokumente, ngjarje e njerëz, të njihen me arkivin e këtij autoriteti, po ashtu të vizitojnë burgun e Spaçit, të Burrelit, apo kampin e punës së detyruar në Tepelenë” – është shprehur ministrja.
Ajo ka shtuar se nxënësit dhe të rinjtë do të kenë mundësi të bëhen pjesë e projekteve jo vetëm për t’u njohur me këtë periudhë, por edhe për të bërë kërkime shkencore dhe të analizojnë pasojat që i ka sjellë njerëzimit kjo periudhë.
Kjo marrëveshje do të përfshijë edhe mësues të historisë, apo tekst-shkruesit e historisë dhe hartuesit e programeve për tekstet shkollore, pasi ata kanë peshën kryesore për t’i edukuar nxënësit dhe për t’i njohur ata me ngjarjet dhe gjithçka tjetër që lidhet me periudhën dhe pasojat e komunizmit.
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.