Ekipi i trajnimeve për librin digjital Albas ishte në gjimnazin e Peshkopisë, i cili është pjesë e projektit të Ministrisë së Arsimit për digjitalizimin e teksteve shkollore, ku diskutoi nga afër me mësuesit e kësaj shkolle si dhe mësuesit e gjimnazit të Bulqizës që gjithashtu janë pjesë e projektit pilot të MAS.
Në klasën virtuale të shkollës “Sait Najdeni” na prisnin 30 mësues për të diskutuar për platformën digjitale që ofron Shtëpia Botuese Albas. Mësues të përgatitur dhe gjithnjë të gatshëm për të përqafuar risitë, me qëllimin e vetëm që dija që përçojnë tek nxënësit të jetë në nivelet e duhura, duke sfiduar kështu ashpërsinë e ditëve të ftohta e me dëborë, ku edhe pse mund të mungojë interneti, kurrsesi nuk mund të mungojë puna me librat digjitalë.
Teksa prisnim pak çaste deri në mbërritjen e mësuesve të gjimnazit të Bulqizës patëm rastin të bisedojmë nga afër. Një bashkëbisedim i ngrohtë me mësues besnik të teksteve shkollore të Albas-it.
Mësuesit e gjimnazit të Bulqizës pasi përfunduan mësimin u nisën drejt Peshkopisë. Puna dhe rruga nuk e kishin zbehur aspak interesin e tyre për të qenë pjesë e trajnimit, e madje për të qenë tejet të vëmendshëm e për t’u drejtuar pyetje trajnerëve. Këmbëngulja dhe dëshira e madhe për të qenë të suksesshëm bëjnë që mësuesit, nxënësit dhe prindërit të punojnë për të arritur rezultate të larta e për të studiuar në degët që dëshirojnë. Kushtet e vështira, mundësitë e pakta që ofron një qytet i vogël, pozita gjeografike me dimër të ashpër nxit tek nxënësit dëshirën e madhe për të studiuar shumë që të arrijnë gjithçka që ky vend nuk ua ofron.
Është bashkëpunëtorja e Albas, Drita Kolndreu e cila nis trajnimin duke falënderuar të gjithë mësuesit për pjesëmarrjen në këtë takim, teksa nënvizon se bashkëbisedimet nga afër në çdo shkollë të Shqipërisë janë shumë të rëndësishmë për Shtëpinë Botuese Albas, pasi në këtë formë arrijmë të marrim të gjitha mendimet dhe sugjerimet tuaja për të përmirësuar tekstet tona. Albas ofron mbështetje dhe asistencë teknike në çdo kohë, në çdo shkollë në mënyrë që ju të mund të përdorni efektivisht tekstet digjitale në orën e mësimit. Kolndreu, nëndrejtoreshë e shkollës “26 Nëntori” në Tiranë, ndan eksperiencën e saj si mësuese dhe përdoruese e teksteve digjitale në orën e mësimit dhe prezanton mënyrën e ndërtimit të orëve model. Dalë ngadalë fillojnë edhe pyetjet e para nga auditori, e kështu trajnimi merr trajtën e një bashkëbisedimi.
Është Albi Dudija, përgjegjësi i IT-së pranë Portalit Shkollor i cili merr fjalën për të biseduar për platformën digjitale dhe gjithçka që ofron ajo. Dudija nënvizoi faktin se me librin digjital Albas mund të punoni pa praninë e internetit, i cili ju nevojitet vetëm gjatë procesit të shkarkimit të librit, e pasi ky proces përfundon ju keni marrë librin tuaj digjital. Platforma është menduar për t’iu bërë më të lehtë mësuesve për të përçuar tek nxënësit njohuritë e planifikuara dhe për të arritur objektivat mësimore. Nisur nga eksperienca, tashmë është viti i dytë i librit digjital, janë bërë disa përmirësime në funksion të mësimdhënies efektive dhe me metoda bashkëkohore. Kështu, shton Dudija, ju mund ta keni librin tuaj në 3 pajisje të ndryshme, në shpi, shkollë dhe në telefonin tuaj personal. Ai ftoi të pranishmit të shkarkojnë librat digjitalë në telefona. Të gjithë së bashku në të njëjtën kohë shkarkojnë librat në telefonë duke iu dhënë mundësinë mësuesve ta kenë librin digjitalë në tre pajisje. Dudija asiston mësuesit nga njëra bankë në tjetrën duke u siguruar që procesi i shkarkimit të librit u realizua me sukses.
Në fund të trajnimit mësuesit pajisen me certifikatat e pjesëmarrjes. Albas do të vijojë trajnimet në çdo shkollë, në çdo skaj të vendit kështu që ju jeni të lutur që për çdo vërejtje, sugjerim apo vështirësi që mund të hasni të na shkruani në adresën: info@portalishkollor.al ose në numrin e telefonit 04231 9002 dhe 0697098026.
(Albina Hoxhaj)
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.