Ju njohim me Vivian, një vajzë 15 vjeçare, që sapo mbaroi klasën e nëntë me rezultate shumë të mira. Pasioni i saj më i madh, është noti, të cilin e ushtron prej 10 vitesh. Tashmë, Vivian është bërë një me notin… sakrificat e saj janë shpërblyer me çmime brenda dhe jashtë vendit me titullin Kampione.
Vivian është një vajzë 15 vjeçare, që sapo mbaroi klasën e nëntë me rezultate shumë të mira. Pasioni i saj më i madh, është noti, të cilin e ushtron prej 10 vitesh. Tashmë, Vivian është bërë një me notin, duke qenë se edhe fokusi i saj i ditës është ky sport. Ajo është një vajzë shtatlartë me flokët e gjatë, e thjeshtë dhe plot mirësi.
Dita e saj është aq e ngjeshur me angazhime, sa nuk i mbetet kohë e lirë për të parë televizor, ose të dalë me shoqërinë. Vivian e nis ditën në pishinë dhe e mbyll në palestër. Edukata e stërvitjes për Vivian është shumë e rëndësishme. Tashmë stërvitja është bërë pjesë e saj dhe kjo gjë nuk e mërzit, sepse sakrificat e Vivian janë shpërblyer me çmime brenda dhe jashtë vendit me titullin Kampione.
Po ju jap një përshkrim me detaje të ditës së Vivian, e cila ka shumë ngarkesë, por që ajo e përballon me shumë kurajë, duke ndjekur një regjim të përpiktë sipas ditëve.
Seanca e parë e stërvitjes
Ditën e hënë dhe të mërkurë ajo zgjohet në 5 e 30 dhe shkon për të bërë seancën e parë të notit. Kjo seancë zgjat një orë dhe pasi mbaron niset për në shkollë duke e konsumuar madje mëngjesin në makinë, sepse nuk ka kohë për të humbur, e pret ora e parë e mësimit. Në seancën e mëngjesit e shoqëron babai saj.
Seanca e dytë e stërvitjes
Pasi mbaron shkollën, Vivian zakonisht e shoqëron mamaja e saj në pishinë ku bëhet gati për stërvitjen e dytë e cila zgjat rreth dy orë. Pas seancës ajo stërvitet bashkë me babain e saj në palestër duke bërë ushtrime.
Rreth orës 17.30 Vivian mbaron stërvitjen dhe në orën 18.00 është në shtëpinë e saj pas një dite të ngarkuar plot aktivitete dhe emocion.
Ditët me më pak ngarkesë
Të martën, të enjten dhe të shtunën, Vivian është më pak e ngarkuar, sepse stërvitet vetëm një herë në pishinë dhe një herë në palestër. Në këto ditë, ajo mund të rrijë zgjuar deri rreth orës 22:00. Mund të kalojë një orë duke parë ndonjë film, por jo gjithmonë e çon atë deri në fund. E diela është e vetmja ditë që Vivian e ka pushim dhe përpiqet të pushojë disi dhe të mësojë për ditët e tjera, që i ka më të ngarkuara.
Përgatija e mësimeve
Pasi konsumon vaktin e darkës, Vivian fillon pa humbur kohë, përgatijen për të nesërmen, duke filluar nga lëndët më të vështira. Mundohet që detyrat dhe mësimet t’i mbarojë deri në orën 21.30, sepse stërvitja kërkon rregjim të fortë. Shkolla dhe stërvitja janë vështirë për t’u mbajtur në nivelet e duhura, por Vivian me vullnet të hekurt ja del mbanë.
Pikësynimet e Vivian
Pikësynimi i çdo sportisti është të marrë pjesë në kampionatet botërore ose në olimpiadat, thotë Vivian. Kjo është edhe dëshira e saj. Nuk i pëlqen të mburret për atë ç’ka ka arritur ndër këto vite. Vivian do, që vetë puna e saj të flasë për të. E ka kuptuar që me punën e palodhur dhe me dëshirën e mirë do t’ja dalë të arrijë rezultatet që ajo kërkon. Vivian edhe mund të jetë mërzitur, por me vullnet dhe këmbëngulje ka vazhduar rrugën e saj, pavarësisht pengesave.
Nuk e mohon që ky sport kërkon sakrifica, ka lodhje dhe shumë stërvitje, por ka besim që do të arrijë atë që do, të marrë pjesë në Lojërat Olimpike.
Kampionatet
Vivian e ka kuptuar rëndësinë që ka stërvitja në sportin e notit. Ajo ka dalë disa herë kampione e vendit dhe kjo është shtysë për të, për të vazhduar përpara edhe pse sportit të notit thotë ajo, nuk i jepet rëndësia e duhur këtu te ne, prandaj kjo shpjegon edhe arsyen pse kemi pak notarë ose shumica prej tyre e kanë lënë këtë sport kaq të bukur.
Në kampionatet e zhvilluara në vendet si Kosovë, Maqedoni, Greqi, Itali, Vivian na ka nderuar duke u ngjitur në podium, madje ka marrë edhe titullin Kampione.
Ajo është shumë mirënjohëse ndaj familjes së saj që e ndjek hap pas hapi dhe e mbështesin në rrugëtimin e vështirë që ajo po bën. Titullin kampione ka marrë disa herë dhe kjo përmbush synimet e saj. Vivian tashmë është notare kampione që e ka arritur me punë të palodhur dhe me shumë kurajo, duke mos lënë pas dore as mësimet. Ka pasur edhe mbështetjen e mësuesve ndaj të cilëve ajo është shumë mirënjohëse. Të rinj si Vivian ka plot në vendin tonë.
Vivian shpresojmë që shumë shpejt të marrësh titullin që aq shumë e dëshiron, sepse e meriton, nëpërmjet stërvitjes dhe punës tënde të palodhur. Sa kënaqësi është kur e gjithë puna jote e palodhur, merr çmimin e merituar.
Faleminderit për përvojën tënde kaq energjike dhe që e ndave me ne! Suksese!
Iriana H. Papamihali
Artiste, mësimdhënëse, autore teksteve shkollore
© Portali Shkollor– Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.