Skllevërit e sistemit… arsimor shqiptar!

Mësuesit në shkollat private nuk kanë as pagesat normale të sigurimeve shoqërore. Mësuesit deklarohen me paga qesharake në bankë dhe si pasojë ata dëmtohen drejtpërdrejt për pensionin që do të marrin në të ardhmen.

Sistemi ynë arsimor është ndërtuar mbi sektorin publik dhe privat. Në arsimin bazë tashmë mësojnë mijëra nxënës, duke i dhënë kështu ekonomisë  së vendit një ndihmë të madhe. Në këtë sektor janë punësuar qindra mësues, të cilët janë ndër më të aftët profesionalisht. Në hapat e parë të çeljes së shkollave private (termi jopublik nuk i përmbush kriteret e përdorimit) mësuesit më të mirë u joshën me rroga deri dy herë më të larta sesa ato të arsimit publik për t’u punësuar aty. 

Shkollat e para private u konceptuan si biznese fitimprurese, kryesisht të personave pa përvoje në këtë fushë. Për shumë kohë shkollat private lulëzuan bashkë me ekonominë shqiptare, e cila kishte para në qarkullim. 

Investimet e hedhura në ndërtesa dhe pajisje për këto institucione ishin të vogla dhe nuk u përgjigjeshin nevojave të shoqëerisë sonë për t’iu afruar standardeve evropiane në edukim.

Nga Ministria e Arsimit nuk u këmbëngul që të merrnin liçencë vetëm ato institucione private që plotësonin kriteret ndërtimore specifike për shkollat. Abuzivizmi dhe mungesa e kontrollit të shtetit mbi territorin bëri që jo vetem shkollat shtetërore të mbeteshin pa oborrre dhe palestra, por që kjo të konsiderohej e tolerueshme edhe për investimet private.

Kështu, edhe sot ne vazhdojmë të trashëgojmë në këtë sektor mungesa të mëdha e të pajustifikuara te mjediseve të bollshme, të oborreve me hapësira pushimi e gjelbërimi, të tualeteve  të pamjaftueshme në numër dhe johigjienike, të palestrave dhe sallave multimediale apo klasave të digjitalizuara.

Në këtë fushë sektori privat nuk ka asnjë përparësi ndaj atij shtetëeror, përveç numrit më të ulët të nxënësve në klasa, i cili më shpesh ndikohet nga mjediset e ngushta sesa nga standardet që kanë vënë pronarët.

Por gjendja ka ndryshuar për keq sidomos për aktorët kryesorë të këtij sektori: për mësuesit. Në këta dhjetë vjet, si pasojë e rritjeve të vazhdueshme të rrogave të mësuesve në sektorin shtetëror dhe si pasojë e pavarësisë së pronarëve privatë për vendosjen e pagave, hendeku në shpërblimin e dy palëve është shuar, madje në shumicën e rasteve, pagat janë më të ulëta në sektorin privat.

Kjo është shoqëruar me humbjen e të  drejtave të njohura me ligj dhe ato të përcaktuara nga Marrëveshja e MAS me Sindikatën e Pavarur në vitin 2014.

Mësuesit kanë kontrata diskriminuese, të cilat nuk respektojnë kualifikimin e tyre dhe shkallën e vjetërsisë në arsim, ashtu sic ndodh në sektorin shtetëror. Ata nuk përfitojnë shpërblime apo mirësi të tjera për punën dhe arritjet më të larta. 

Norma mësimore është një ëndërr në xhunglën e privatëve ndonëse ata janë të detyruar me ligj ta zbatojnë atë.

Tashmë është bërë normale që mësuesit në shkollat private të punojne përtej 30 orëve në javë, siç e përcaktojnë Dispozitat Normative…dhe të vijne në shkollë çdo të shtunë për orë mësimi, konsultime, thjesht për figurë e plot pretekse të tjera. Natyrisht pa pagesë shtesë! Kësaj i shtohen orët në të cilat zëvendësojnë kolegët që mungojnë, por nuk u paguhen asnjëherë.

Caktimi i mësuesve për të shoqëruar nxënësit në ekskursione brenda dhe jashtë vendit nuk shoqërohet me pagesë shërbimi, por ata mbeten në mëshirë të shoferëve ose pronarëve të hoteleve e restoranteve.

Ky abuzim prek edhe pushimet e tyre vjetore. Janë të pakët ata mësues që plotësojnë pushimet e tyre gjatë veres, pasi detyrohen të paraqiten në punë për vitin e ri shkollor qysh më 10 apo 15. Në ditët e pushimeve pronarët u përfshijnë javët me shtatë ditë dhe jo me pesë, sa ç’ditë pune faktike janë. Kjo bën që ditët e pushimeve të tyre të reduktohen nga 53 sa parashikon ligji në rreth 45 ditë. Ndërkohë që pronarët privatë shpesh herë gjatë muajve të verës nuk i paguajnë mësuesit, me pretekstin e kontratave 10- mujore…

Një pjesë e tyre detyrohen të promovojnë shkollën në qytet e në fshat, ndonjëherë duke lëvizur me mjetet vetjake të transportit. Atyre u vihen “plane regjistrimi” në raport me rrogën ose me kontratën.

Një persekutim tjeter që bëhet është vendosja e normave mësimore sipas direktivave apo dëshirave të pronarit. Mësuesit detyrohen të marrin (ose të ngelen pa bukë) një, dy a më shumë orë mësimore në javë mbi normat e vendosura me Urdhëresën e MAS-it. Madje, sipas ligjit orët e kujdestarisë të paguara janë 2 (dy) orë në javë, orë, të cilat përfshihen në normë e në shtet paguhen, ndërkohë që një gjë e tillë në privat nuk ndodh.

Caktimi i mësuesve pa kualifikimin e duhur për të dhenë lëndë jashtë profilit të tyre është bërë një praktikë për të cilën nuk flitet më.

Një persekutim që u bëhet mësuesve është kërcënimi me pushim nga puna, në rast se mësuesit e një shkolle private regjistrohen në portalin “Mësues për Shqipërinë”. Madje mësuesit e shkollave private pushohen në mes të vitit, në rast se ata japinkëtë provim. Kjo ka pasoja tek mësuesit e punësuar tek privati. Ata ngelen jashtë sistemit dhe në një afat të gjatë kohe ngelen edhe pa punë, derisa të hujnë vitin tjetër apo më vonë në sistem.

Një tallje tjetër është pagesa e mësuesve: në rastin më të mirë ata marrin një rrogë të deklaruar në bankë dhe një tjetër nën dorë. Në rastin më të keq, marrin vetëm një herë. Por ka edhe më keq: disa padronë u japin një rroge urije çdo muaj dhe reston një herë në disa muaj.

Për sigurimet e punonjësve mësues, shteti bashkëpunëtor, pranon deklarime zyrtare me shifra në nivelin e fermerëve. Mësuesit në shkollat private nuk kanë as pagesat normale të sigurimeve shoqërore. Mësuesit deklarohen me paga qesharake në bankë dhe si pasojë ata dëmtohen drejtpërdrejt për pensionin që do të marrin në të ardhmen. A është normale që të deklarohet paga e një mësuesi në shkollën private 255.000 leke të vjetra në muaj, aq sa është paga e një pastruesi, një fermeri, apo punëtori të pakualifikuar? Kush e ka fajin këtu? Mësuesit? Pronari? Nuk do të ishte normale që shteti nëpërmjet tatimeve dhe deklarimeve të pagave të shikonte këtë padrejtësi? Në një kohë që “lufton informalitetin, abuzimin dhe korrupsionin”, si mund të tolerojë nje situatë të tillë në dëm të mësuesve dhe në analizë të fundit edhe në dëm të vetë shtetit e shoqërisë?

Në këtë kontekst shfrytëzimi, dinjiteti i mësuesve ka rënë në një shkallë të mjerueshme: notat mesatare vjetore të nxënësve i përcakton pronari. Prindërit parallinj dhe nxënësit “e orientuar” e trajtojnë mësuesin si argat të tyre.

Kjo ka çuar në një fiktivitet masiv të notës dhe në rezultate plotësisht të rreme nëpër këtë kategori shkollash, dhe jo vetëm në këto. Ne e kuptojmë se, si pjesë e një shoqërie me kulturë të lartë korrupsioni, edhe arsimi nuk mund të shpëtojë shpejt dhe lehtë nga kjo gjendje. Nga ana tjetër, ne besojmë se është plotësisht e mundur që të merren masa të ndryshme e të rrepta administrative për të bërë kthesë në të drejtat e ligjshme të mësuesve në sektorin jopublik:

MAS-i dhe Qeveria duhet të vendosin barazimin e sistemit të pagave mes dy sektorëve, ku liria e vetme e institucioneve jopublike duhet të jetë ajo e pagave më të larta.

Ai duhet të nxitë tërheqjen e mësuesve të këtyre shkollave brenda sistemit shtetëror të arsimit nëpërmjet kuotave të transferimit. Kjo do të rritë nivelin e mësimdhënies në këto shkolla dhe do të detyrojë privatët në arsim që të përmirësojnë e tejkalojnë ofertat dhe  kushtet e punësimit në sektorin privat, duke rezultuar në një përfitim për të gjitha palët.

MAS-i duhet të kërkojë me forcë, të ushtrojë kontrolle të rrepta dhe të dënojë me ashpërsi ato subjekte që vetë i ka liçencuar, deri në heqjen e së drejtës për të punuar në sektorin e arsimit.

A është e mundur? 

Përgjigjen e kërkojmë nga Zonja Ministre, madje edhe nga Ministri i Financave, edhe nga vetë Kryeministri.

Aleksandër Mita

© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Dua të bëhem si ju, mësuese!

Next Article

Përse është e rëndësishme lënda e fiskulturës?

Related Posts

Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home/albas/public_html/portali/wp-includes/functions.php on line 5427