Më herët duhej të kishin ardhur këto ndryshime të udhëzimit të famshëm 13, të Majit të 2019-ës, që mësuesit e vjetër të mos përplaseshin dyerve të portalit, mundur me nënvlerësim përvoje e kualifikimi, me certifikata të zotëruara kuturu nga më të rinjtë!
NDRYSHOI UDHEZIMI 13, I MAJIT 2019!
Në “udhëzimin 13”, famëkeqin e Majit 2019, për vlerësimin e mësuesve, ndodhin ndryshime!
Më në fund…
Kualifikimi i mësuesve, sipas nivelit dhe cilësisë së vlerësimit vlerësohet! Më në fund, Masterat e psonisura kuturu…nuk llogariten! Pooor…Vlerësimi i notës mesatare ulet në pikë vlerësimi!
Ende nuk ndryshon…
Akoma vjetërsia si zë i veçantë nuk vlerësohet e as që diskutohet fare për të! Vlerësimi për gjuhën e huaj, me certifikata siguruar kushedi se si, brenda vendit, pa u cilësuar as niveli… mbetet i pandryshuar!
A DUHET TË GËZOHEN MËSUESIT PËR KËTË FAKT?
Mendoj se është bërë diçka për të mbështetur mësuesit e vjetër! Është menduar diçka edhe për to, është vlerësuar më mirë kualifikimi…po vallë…a mjafton?! Kriteret tanimë janë të tilla…
Po zotërove licencën e mësuesit, merr 1 pikë vlerësimi në dosje.
Me kualifikim 5-vjeçar, në varësi të cilësisë zotëron 2-4 pikë!
Me kualifikim 10-vjeçar, në varësi të cilësisë zotëron 5-7 pikë!
Me kualifikim 20-vjeçar, në varësi të cilësisë zotëron 8-10 pikë!
MESATARJA…
Duke filluar nga nota 5, për çdo gjysmë note të zotëruar, përfiton 0.5 pikë në vlerësim! Nga nota 5-5.50 vlerësohet me 0,5 pikë, e kështu me radhë, deri në 9,5-10 kush përfiton 5 pikë!
PO A ËSHTË KJO ZGJIDHJA OPTIMALE?
Ka disa arsye që na e tregojnë më së miri se nuk është optimalisht zgjidhja e duhur!
Faktori kohë bën që kjo zgjidhje të ketë ardhur e vonuar pranë mësuesve! Në shumë shkolla pikëzimi është kryer bazuar në Udhëzimin e famshëm Nr.13.
Në shumë shkolla, mësues të rinj kanë dalë me më shumë pikë në garim dhe kanë bërë që në portal të “përplasen” mësuesit me përvojë! Ky ndryshim i tanishëm, pikërisht në këtë periudhë, çrregullon procesin dhe çorodit shumë mësues të vjetër!
Më herët duhet të ndodhte ky ndryshim udhëzimi!
Të ndodhte para mbylljes së vitit mësimor!
Edhe për certifikatat e gjuhës së huaj, asgjë nuk është bërë!
Ato vazhdojnë të jenë aty e te tunden nga kushdo si trofe e arritjes së kohës moderne të batakçillekut!
(Mos harrojmë se kemi plot mësues që detyruar nga pikëzimi i famshëm, zotërojnë certifikata të gjuhës së huaj, kur asnjë fjalë në atë gjuhë nuk dinë!)
Ndoshta është gjetur një e mesme e artë mes asaj që pretendojnë mësuesit e vjetër dhe asaj që pretendojnë nga pikëzimi mësuesit e rinj!
Ka akoma diçka të paqartë në këtë udhëzim të përmirësuar…
Vërtetë shkallët e kualifikimit vlerësohen sipas viteve që përmbajnë dhe cilësisë së vlerësimit të tyre, por për vitet midis 2 kualifikimeve nuk thuhet e nuk shkruhet asgjë….
Nuk mund të vlerësohet njësoj në pikë një mësues që sapo ka marrë kualifikimin 10-vjeçar, me një mësues që është në vitin e 19-të punës, dhe vetëm për një vit nuk e ka arritur dot kohën për të hyrë në kualifikimin 20-vjeçar!
Duhen gjetur mekanizma të vërtetë vlerësues që çdo vit eksperience mësuesi të mos shkojë dëm!
Nuk mund të vlerësohet me “rrumbullakim” vitesh eksperienca e mësuesit! Ka vlerë të madhe përvoja në mësimdhënie…!
Bota eksperiencën në punë e vlerëson ndër indikatorët e parë vlerësues të performancës profesionale! Është cilësi pune eksperienca, është shpejtësi pune dhe kohë e fituar!
E përsëri…gjithsesi…
Ai që penalizon serish, edhe pas këtyre ndryshimeve, është faktori kohë.
Më herët duhej të kishin ardhur këto ndryshime të udhëzimit të famshëm 13, të Majit të 2019-ës, që mësuesit e vjetër të mos përplaseshin dyerve të portalit, mundur me nënvlerësim përvoje e kualifikimi, me certifikata të zotëruara kuturu nga më të rinjtë! Kujdes duhej treguar edhe për vlerësimin e certifikatave të gjuhëve të huaja! Kujdes edhe në llogaritjen e viteve të punës midis dy kualifikimeve!
Gjithsesi, na mbetet te shpresojmë të bëhet më e mira!
Albana Tare
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.