Nëse fëmija juaj ka munguar në shkollë më shumë sesa një apo dy ditë, përveç se mund të merrni kontakt me mësuesit, është shumë mirë edhe nëse paraqiteni vetë në shkollën e fëmijës për të biseduar me ta
Nëse fëmija juaj ka qenë i sëmurë, ka pasur ndonjë problem familjar, ka marrë pushime të gjata, ose për ndonjë arsye tjetër ka kaluar shumë kohë larg shkollës, atëherë do të jetë e vështirë që ai të kapë ritmin. Në këto kushte, shumë fëmijë ndihen të humbur dhe aspak të aftë për të rinisur rrugëtimin e shkollës. Më poshtë vijojnë disa këshilla sesi prindërit mund të ndihmojnë fëmijët të mësojnë lehtësisht, të menaxhojnë situatat e vështira në shkollë, si dhe të rifitojnë besimin te vetja dhe aftësitë që kishin para se të largoheshin nga shkolla për një periudhë të gjatë.
1. Bëni një listë
Ndihmojeni fëmijën tuaj të bëjë një listë me të gjitha detyrat dhe testet që nuk ka mundur të kryejë. Disa mësues nuk do t’i kërkojnë fëmijës të kryejë punët laboratorike apo aktivitetet e shkuara të klasës. Megjithatë, kur të kthehet në klasë, fëmija e ka të domosdoshme të jetë pjesë e punës në grup, apo projekteve të ndryshme që nxënësit e tjerë i kanë filluar gjatë mungesë së tij në shkollë. Një listë me të gjitha detyrat e humbura do ta orientojë fëmijën tuaj dhe do ta ndihmojë të trajtojë më me lehtësi atë që duhet të bëjë.
2. Njihuni me rregullat
Prindi duhet të njihet me rregullat që ka një mësues i caktuar për detyrat e prapambetura. Për shembull, disa mësues preferojnë që nxënësi të përgatisë dhe prezantojë një projekt deri në fund të semestrit. Por ka edhe mësues të tjerë që i kërkojnë nxënësit të paraqitet me detyrat e humbura që ditën e parë që rikthehet në klasë. Në secilin prej rasteve, fëmija dhe ju e dini afatin e caktuar për përfundimin e një detyre. Ju jeni të vetëdijshëm që, nëse fëmija mungon një javë në shkollë, atëherë, gjatë kësaj jave, ai duhet të kryejë edhe një sërë detyrash.
3. Bëni një plan
Lista që keni bërë që në fillim do ta ndihmojë fëmijën tuaj të krijojë një plan për të përfunduar detyrat e shtëpisë. Për shembull, mësimet e lëndëve bazë mund të kenë përparësi ndaj lëndëve me zgjedhje. Fëmija duhet të përqendrohet vetëm te mësimet e një lënde dhe më pas të një lënde tjetër. Ai mund të fillojë nga lënda më e vështirë, apo më e lehtë, në varësi të prirjeve të tij. Ju duhet ta udhëzoni fëmijën që marrë vendime të drejta.
4. Bisedoni me mësuesit
Në disa raste, veçanërisht kur fëmija juaj është shumë i vogël, mund të jetë e nevojshme që planin e detyrave të shtëpisë t’ia bëni ju. Për këtë do t’ju duhet të bisedoni me secilin prej mësuesve të fëmijës. Kërkojuni mësuesve ndihmë paraprakisht, qoftë duke i telefonuar apo duke u dërguar e-mail, se çfarë mund të bëni ju që fëmija të rifitojë kohën e humbur. Në këtë mënyrë, fëmija vërtet nuk shkon në shkollë, por e ka informacionin paraprak se çfarë do të ndodhë në klasë gjatë kësaj kohe. Kështu edhe ai, edhe ju e planifikoni kohën që fëmija duhet t’i kushtojë detyrave gjatë kohës që mungon.
5. Shkoni interesohuni në shkollë
Nëse fëmija juaj ka munguar në shkollë më shumë sesa një apo dy ditë, përveç se mund të merrni kontakt me mësuesit, është shumë mirë edhe nëse paraqiteni vetë në shkollën e fëmijës për të biseduar me ta. Ju mund t’i pyesni mësuesit drejtpërdrejt se cilat detyra ka humbur fëmija juaj dhe se çfarë sugjerojnë mësuesit që ai të bëjë në vijim. Në këtë mënnyrë, fëmija që nuk është në gjendje të shkojnë në shkollë, jo vetëm që mund t’i fillojë dhe përfundojë detyrat e mësimet në kohë, por ndihet edhe i rëndësishëm para prindit dhe mësuesit.
Së fundi, në qoftëse fëmija juaj ka hasur vështirësi në një lëndë para se të mungonte në shkollë, përpiquni që ai të marrë ndihmën akademike të nevojshme menjëherë. Caktoni një orar jashtë mësimit me mësuesin ose një ekspert të lëndës dhe mos lejoni që fëmija juaj të humbë më shumë kohë. Secili fëmijë mungon në shkollë herë pas here, por kjo nuk duhet t’i stepë ata, apo t’i bëjë të ndihen të paaftë në shkollë.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.