Për t’u mësuar fëmijëve rregullat është mirë që ne të parët të japim shembullin, duke vënë në vend gjërat që përdorim. Në këtë mënyrë, sistemimi i gjërave perceptohet nga fëmija si një veprim normal dhe jo si një përjashtim apo detyrim.
Me siguri kanë qenë të shumta rastet kur shtëpia juaj është kthyer përmbys nga lodrat e hedhura kudo nga fëmijët. Por ekziston një zgjidhje: ju duhet t’i disiplinoni ata me shembullin tuaj. Për t’u mësuar fëmijëve që në fund të ditës lodrat vendosen në vendin e tyre, ju duhet të ndërmerrni të parët këtë veprim. Në këtë mënyrë, sistemimi i gjërave perceptohet nga fëmija si një veprim normal dhe jo si një përjashtim apo detyrim që i bëhet vetëm atij. Ja disa këshilla se si ta arrini këtë:
1. Duhet zgjedhur një vend i caktuar për secilën lodër, në mënyrë që fëmija të dijë ku ta gjejë e ku ta vërë në vend.
2. Mos mbani lodra, të cilave u mungojnë pjesë apo kanë pjesë të prishura.
3. Fëmija duhet t’i ketë para syve lodrat që i nevojiten apo i interesojnë, në mënyrë që të mund t’i vërë në vend me lehtësi. Për shembull, nëse fëmija ka një kukull të parapëlqyer dhe për ta marrë duhet të zbrazë një kosh të tërë me lodra, ndodh që më pas të mos ketë më dëshirë t’i vërë në vend. Por, nëse kukulla është në një vend të caktuar, fëmija e merr, luan me të dhe e vë në vend pa vështirësi.
4. Mos lini shumë lodra të përhapura në dysheme: është e kotë të përdoren të gjitha llojet e lodrave. Nxirrni çdo herë aq lodra sa nevojiten dhe ato lloje që duhen (lodra pelushi, kafshë plastike, makina, kukulla etj.), por jo të njëjtat çdo herë, që të mos bëhen monotone.
5. Lodrat me të cilat luan fëmija duhet të jenë në përputhje me zhvillimin e tij sipas moshës. Lodrat e thjeshta e të tejkaluara dhe lodrat e ndërlikuara që duhen në të ardhmen, pra, ato që janë jashtë interesit të tij, duhen mbyllur në dollapë.
6. Është mirë që të gjitha sendet që duhen për një lojë a për një veprimtari të caktuar të vendosen bashkë në të njëjtin vend, p.sh., të gjitha sendet që duhen për të vizatuar, të lihen në një shportë a kuti.
Rudina Cupi, Udhëzues Metodik dosja Hop-Hop, Albas
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.