…. E në fakt mësuesja është e paqëndrueshme, inkoherente. Po, sepse ka arsyet e saj. Ata kënaqen me peshoren e përjavshme të çakorduar. E dinë përse-në. Sa më shumë rrinë bashkë, aq më mirë e dinë ata.
Dialogë në mëngjes:
-Mësuese të shkoj pak në banjo?
-Aaa po ne tani sapo filluam…Mirë shko. Vrap! Joooo, jo mos vrapo!
…………..
-Mësuese këtë nuk e kuptova unë…
-Eh, po nëse të pyes për celularin e kupton ti?…Këtu mendjen të tërë, se nuk e shpjegoj dy herë… Mirë, zemër, eja… eja, eja e bëjmë bashkë ushtrimin në tabelë, eja me mësuesen.
……………….
-Çfarë ke? Përse qan?
-Dua mamin…
-Po tani je rritur, shiko sa vajzë e madhe je. Hajt të të përqafoj pak mësuesja.
………………………
-Tani mbani shënim detyrat e shtëpisë. Dhe kujdes, mos e ngrini zërin se do ia shënoj emrin në tabelë atij që bën zhurmë.
-Po folëm pastaj me zë të ulët do të na e fshish emrin nga tabela?
-Jo, fare nuk jua fshij.
Pas gjysmë ore:
-Mësuese po ti i fshive emrat.
-Ahh, po…vërtetë.. po vetëm këtë herë ama.
E pra, mësuesit nuk janë gjithmonë koherentë në atë ç’ka thonë. Madje ndonjëherë shfaqen bipolarë në sjellje. Po s’ka asgjë për t’u shqetësuar. Çdo ditë secili syresh përpiqet të tregojë rrugën e duhur, madje edhe duke marrë masa nga ato që shpesh fëmijët i bëjnë për të qeshur. Kjo është rruga për të qenë i kuptueshëm nga nxënësit, pa i trembur ata.
Imagjinoni një skenë si kjo e përditshmja në një orë mësimi në klasën e tretë:
-Fëmijë kemi punë: do bëjmë ushtrime të vështira sot. Mbledhje e zbritje me numra trishifrorë.
Ata janë aty duke të vështruar. Ka edhe ndonjë që mezi pret të nisë ora e leximit, se matematikën nuk e ka qejf fare, por ama gjithsesi ul kokën e shkruan. Një nga një vihen në provë. Ngrihen në tabelë. Dikush edhe vuan, ndjen, por kjo është e pashmangshme, sepse kjo është shkolla: luajmë, kënaqemi, por edhe lodhemi.
Mësuesi i sheh një nga një: vështrime të ngatërruara…a ju duhet ndihmë? Numërojnë e shkruajnë, fshijnë e shkruajnë përsëri.
Pastaj vjen momenti në të cilin rezultati është ai i duhuri: mësuesja i kontrollon dhe buzëqeshja në fytyrën engjëllore thotë: “I kam bërë mirë”.
Në bangën e tretë ata të dy po i fshijnë sepse kanë gabuar. (“E sheh që kisha unë të drejtë?” “E mirë, se edhe unë nuk isha i sigurt”) e pastaj nisin të flasin secili i kishte bërë më mirë i pari…por mësuesit kjo gjë i shkon për shtat. Ndërkohë nxënësi në tabelë psherëtin i mbuluar me bulëza djerse:
-Hajt do të bëjmë përsëri bashkë, derisa të gjithë ta mësojnë shkëlqyer. Madje më shumë se shkëlqyer.
Në fakt pikërisht kjo fytyrë e dashur dhe qeshur, është ajo që i vë në vështirësi çdo ditë. Ata janë të vegjël. Stepen. Mësuesja atëherë e kupton: është duke peshuar fort mbi mendjet e njoma. Bën një hap prapa.
Peshorja e një mësuesi është gjithmonë e çakorduar nga pesha e ndjeshmërisë, nga nevoja për të qenë e barabartë me të gjithë.
Veçse kjo jashtë nuk shihet, por edhe nëse shihet, nuk kuptohet.
Ama fëmijët të kuptojnë shumë mirë. E dinë se ç’ka për këtë e ç’ka për atë tjetrin, njohin insinuatat e hareve dhe zhgënjimeve që masin secilin prej tyre. E dinë përsosmërisht që qëllimet e përmbushura duhen festuar. Siç dinë edhe që qortimet kanë një masë që varet nga ajo që jepet e merret. E dinë përsosmërisht që mësuesja e tyre është…se si është kjo mësuesja…
E në fakt mësuesja është e paqëndrueshme, inkoherente. Po, sepse ka arsyet e saj. Ata kënaqen me peshoren e përjavshme të çakorduar. E dinë përse-në. Sa më shumë rrinë bashkë, aq më mirë e dinë ata.
(Natasha Shuteriqi Poroçani)
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.