Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla priti në një takim Ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, Arsim Bajrami, ku ndër të tjeradiskutuan mbi procesin e njohjes së diplomave për studentët nga Kosova që kanë studiuar në institucionet e arsimit të lartë privat në vendin tonë.
Në përfundim të takimit, Ministrja Nikolla deklaroi se së bashku me ministrin Bajrami është zhvilluar një proces diskutimesh konstruktive në rrugën e standardit që kemi vendosur, atë të bashkëpunimit dhe koordinimit të punëve, në mënyrë që Shqipëria dhe Kosova të jenë së bashku në rrugën e integrimit të arsimit të lartë në hapësirën evropiane.
“Ky është një premtim i mbajtur, posaçërisht nga ana e Ministrit të Kosovës, për të bërë të mundur ndryshimet ligjore që mundësojnë njohjen e diplomave të studentëve që vijnë nga Kosova për të studiuar në universitetet shqiptare. Ne jemi bashkë, për të mundësuar në një kohë shumë të shpejtë procesin e njohjes së diplomave, duke ofruar jo vetëm siguri në verifikimin e çdo diplome që është lëshuar nga institucionet tona të arsimit të lartë, por duke qartësuar edhe situatën për ato 18-të institucione private që u mbyllën”, deklaroi Nikolla.
Nga ana e tij, Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, Arsim Bajrami tha se, falë bashkëpunimit shumë të mirë me ministren Nikolla është zhvilluar një proces konsultash i cili po finalizohet për të filluar më pas procesi i njohjes së diplomave të studentëve kosovarë që janë diplomuar në institucionet private të arsimit të lartë në Shqipëri, sepse deri më tani të gjitha diplomat e universiteteve publike janë njohur reciprokisht dhe nuk ka pasur probleme.
“Ministria e Kosovës është në fund të procesit dhe që javën e ardhshme do të miratojmë udhëzimin administrativ për njohjen e diplomave për studentët kosovarë që mbarojnë në institucionet e arsimit të lartë privat në Shqipëri”, tha ministri Bajrami.
Ministri i Arsimit të Kosovës vlerësoi sistemin e ndërtuar nga Ministria e Arsimit në Shqipëri që qartësoi institucionet private të licencuara çka sipas tij, do të ndihmojë në zhvillimin e procedurave të shpejta administrative për njohjen e diplomave.
©Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.