Rutinë apo spontanitet, si qëndrojnë këto dy nocione në edukimin e fëmijës

Ndërsa i ndihmojmë fëmijët që të mund të ndjehen të sigurtë dhe të gatshëm për t’u përballur me sfida të reja dhe aftësi zhvillimi, do të ishte e arsye e mjaftueshme që ju t’i ofroni atyre STRUKTURË

Para disa kohës, prindi i një fëmije erdhi tek unë për të marrë një mendim rreth edukimit të fëmijës së saj thuajse 4 vjeç, i cili ndodhej pranë një institucioni parashkollor (kopsht) prej disa muajsh. Sigurisht që pyetja e parë ishte nëse fëmija kishte qenë pjesë e ndonjë institucioni më parë? Ajo pohoi me kokë dhe me gojë, por gjuha e saj trupore tregonte qartazi pakënaqësinë e saj në këtë drejtim. Ajo më tregoi se mbas një vërdallosjeje të gjatë për të gjetur kopshtin e duhur, e kishte besuar fëmijën në një prej kopshteve private. Ajo ishte nisur nga atmosfera pozitive e programit, e dominuar nga një lojë spontane, kreative dhe e gjithë kjo dhe unë që po e dëgjoja, fillova të kënaqesha në mendimet se një kopsht i mirë do të duhet të kishte pikërisht këto karakteristika. Pastaj më tregoi se djali i saj vinte shumë i lodhur në shtëpi, shpesh duke qarë. Asnjë gjë e pazakontë nuk kishte ndodhur në këtë kopsht, madje edhe edukatoret ishin mjaft të mira, por filozofia e tyre është: “fëmijët le të bëjnë atë që ndiejnë të bëjnë…” Pra, fëmijët ishin të lirë të zgjidhnin të flinin ose jo, të hanin ose jo, të luanin ose jo, etj. si këto. Por nuk mjaftonte vetëm me kaq, në familje, një ditë e zakonshme e fëmijës nuk i ngjasonte të djeshmes dhe të nesërmes. T’ju them të drejtën, nuk ka më mirë sesa një ditë plot me surpriza, por kur edhe vet supriza nuk është më surprizë e këndshme, por thjesht një “kotje” e lodhshme, atëherë nuk është më interesante. Më pëlqen ideja e fëmijëve të lirë, por mbi të gjitha më pëlqen më shumë ideja që fëmijët të ndjehen të lirë për të shprehur vetveten e tyre, iniciativat që kanë, brenda rregullave të cilat formësojnë një rutinë të nevojshme për fëmijët. Për këtë dua t’ju flas më shumë sot. Iu drejtova nënës dhe i thash: fëmija ka nevojë për rregulla! Ajo ra dakord menjëherë. Pastaj i thashë: ka nevojë për rutinë! Ajo më pa e habitur…

Por përse fëmijët kanë nevojë për rutinë?

Sepse rutina i jep atyre një ndjesi sigurie dhe i ndihmon ata që të zhvillojnë vet-disiplinën (Dr. Marcham, LAURA; Peaceful Parent, Happy  Siblings; 2015)

Si ndihej nëna në dëshminë e sipërpërmendur sipas mendimit tuaj? Unë mendoj se ajo ndjehej e frikësuar. Unë mendoj se ajo nuk parashikonte dot ardhmërinë e të nesërmes tek jeta e saj dhe e fëmijës gjithashtu. 

Njerëzit kanë frikë nga shumë gjëra, por “e panjohura” ua kalon të gjithave, përveç vdekjes. Frika e fëmijëve ndaj të panjohurës për fëmijët mund të shtrihet në shumë dimensione, që nga perimet që i provon për herë të parë, nga uji i detit që i lag këmbët që ne adultve na duket kaq argëtuese, e deri tek ndryshimet e mëdha që ndodhin në jetën e tyre, si humbja e një personi shumë të dashur, ose largimi i tij, sikurse ndodh në rastet e divorcit. Fatkeqësisht, fëmijët përballen me ndryshimin çdo ditë, që padyshim është një mundësi për rritje, por gjithashtu shumë stresues si proçes. Vet trupi i tyre tregon ndryshim çdo ditë, fundja është thelbi i zhvillimit të njeriut. Kështu ndodh që kur fëmijë përballet me heqjen e gjirit, të biberonit, të kreativitetit të viteve të para, etj. Pastaj fillon me ndryshimin e çerdhes, grupeve, kopshtit, edukatoreve në vitet e para, e mësuesve në periudhën e shkollës, etj. Ka fëmijë, duke marrë parasysh dhe realitetin shqiptar, të cilët jetojnë në familje që ndjehen të detyruar të ndryshojnë shpesh shtëpi se nuk paguajnë dot qeranë, sepse i duhet të bëjnë zhvendosje demografike. Të gjithë këto ndryshime te fëmijët, përballohen pa dyshim më mirë, si për të gjithë ne, nëse do të zhvilloheshin dhe shpërndaheshin në një rutinë komunikimi familjar.

Një rutinë e parashikueshme i lejon fëmijëve që të ndjehen të sigurtë, dhe i jep atyre mundësinë që të zhvillojnë aftësi për të marrë në dorë jetën e tyre, për ta drejtuar atë, për t’u ndjerë të pavarur dhe kompetent. Ndërsa këto mekanizma të personalitetit të fëmijës zhvillohen, dhe ndërsa fëmija aftësohet emocionalisht, atëherë ata janë më të gatshëm t’i përballojnë më qetësisht ndryshimet. Ndryshet e paparashikuara si nëna që largohet papritur, rastet e divorcit, shoku i ngushtë që largohet në një lagje tjetër, një i afërm që ndërron jetë, e vë në rrezik këtë ndjenjë sigurie duke shkaktuar ankth, dhe fëmija ndjehet më pak i aftë që të përballojë peripecitë e jetës. 

Shumë prindër kanë qenë dyshues nëse kjo mund të arrihet me fëmijët tyre, pasi ndodh kaq shpesh që të përballen me ndryshime. Shqipëria, kulturalisht po na tregon çdo ditë se është krejtësisht e paparashikueshme, ndaj dhe shoqëria shqiptare nuk arrin të zgjidhë problemet e saj me maturi, pasi duket se emocionalisht jemi të dobësuar, të paqëndrueshëm. Mendoni se si ndjehet një fëmijë në kushte të këtilla, por unë jam e bindur se shumë prej ndryshimeve mund të shmangen në jetën e fëmijës, jo duke i ndaluar që ato të ndodhin, por mënyra se si ndodhin, përqafojnë një rutinë komunikimi të fëmijës. Parashikimi i rutinës është një mundësi fondamentale për formimin e fëmijës. Filloni t’i mësoni fëmijës rutina të vogla të jetës së përditshme, të cilat japin rezultate të mëdha në përballimin e ndryshimeve në të ardhmen. 

Ndërsa i ndihmojmë fëmijët që të mund të ndjehen të sigurtë dhe të gatshëm për t’u përballur me sfida të reja dhe aftësi zhvillimi, do të ishte e arsye e mjaftueshme që ju t’i ofroni atyre STRUKTURË, që ka padyshim një rol mjaft domethënës gjithashtu. 

Struktura dhe rutina i mëson fëmijët si të kontrollojnë veten e tyre dhe ambientin në mënyrë të strukturuar, të organizuar. 

Fëmijët të cilët vijnë nga filozofia kautike “bëj çtë duash… vetëm ti të jesh i lumtur” në fakt lumturia e tyre nuk është afatgjatë, dhe në të vërtetë nuk është se ndjehen aq të lumtur sa ne mendojmë. Kjo pamje është e gënjeshtërt. Këta fëmijë nuk mësojnë asnjëherë se jeta mund të lëvizë lehtësisht, paqësisht nëse gjërat janë sado pak të organizuara. Në shtëpitë e tyre nuk ka një kohë të përcaktuar se kur bëhen detyrat, as një hapësirë e veçuar, apo kohë për të konsumuar vaktet apo koha për të fjetur gjumë, parë televizor ndoshta edhe për të përmbushur një detyrë sado e pakëndshme. Fëmijët që nuk ndërtojnë rutinë për kujdesin e vetes së tyre, mund ta kenë të vështirë që të kujdesen për veten e tyre ndërsa janë adult.. Struktura i ndihmon fëmijët që të strukturojnë zakonet e tyre të shëndetshme. Një fëmijë i rritur me rregulla dhe strukturë, pra në rutinë, është një fëmijë i sigurt dhe i kënaqur, ose sikurse kërkon prindi, fëmijë i lumtur. 

Pyetja që lind është, a mos ndoshta e gjithë kjo strukturë cënon ndjesinë tonë të spontanitetit dhe kreativitetit?

Këtë do ta diskutojmë pjesën e dytë të këtij artikulli…

“Rutinë apo spontanitet”

(Nga: Drnt. Denata Toçe)

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Nxënësit e shkollës "Vasil Shanto" vizitojnë nga afër Kullën e Sahatit

Next Article

Ja cilat janë 10 universitetet më inovative të Europës

Related Posts

Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home/albas/public_html/portali/wp-includes/functions.php on line 5427