Ashtu si karantina, jeta vazhdon:e mbështjellur në disiplinën e përditshmërise,me shpresën se qëllimet ditore kanë akoma vlerë: qofsh mësues, nxënës, prind a profesionist! Ji optimist drejt të ardhmes e bëj gjithçka të mundesh për të jetuar një jetë normale!
Qetësi!
Çdo gjë e heshtur në këtë mëngjes marsi. Flokët e borës po bien në tokë për ta mbuluar me qëllimin e bardhë zbukurues. Qielli i vrenjtur tregon se është trishtuar prej tokës së mbuluar me lot. Qajnë nënat për bijtë e tyre që janë larg tokës mëmë, tashmë të pajetë, të ikur pa shkak, pa kuptuar, prej një virusi të ri që erdhi nga ajri. Ky virus erdhi nga Kina, një nga vendet më të zhvilluara të botës. E quajnë virusi Korona, ose COVID-19. Shtimi i rasteve të personave të prekur me këtë virus vuri në lëvizje të gjitha autoritetet botërore.
Shqipēria në karantinë!
Nuk dëgjohen avionë në ajër; nuk gumëzhijnë rrugët nga zërat e fëmijëve që rendin të shkojnë në shkollë. Zogjtë ende cicërojne në lëndina, ama lulet nuk i mbledh kush më. Bukëpjekësi punon natë e ditë që njerëzit të ushqehen normalisht. Nëna pret fëmijën t`i lindë me maskë në fytyrë e me doreza në duar. Bëhen morte pa njerëz të dashur pranë vetes. Polici qëndron me orë të tëra në rrugë, në punën vigjilente. Doktori pret të vizitojë çdo njeri që ka probleme shëndetësore. Infermierit i është bërë fytyra gjithë plagë prej maskës së gdhendur në lëkurë. Farmacia mbetet e hapur, e njerëzit të rreshtuar një metër larg prej njëri tjetrit. Ora e paracaktuar për të bërë pazarin papritur troket. E lajmi akoma rend midis nesh: popullata botërore vazhdon të ulet!
“A do të jetë vallë kjo një tragjedi? As luftërat botërore nuk ishin kështu!”
Jo, kjo situatë botërore duhet kaluar me qetësi, pa panik; duke menduar që do ta mposhtim armikun e shëndetit! Duhen zbatuar rregullat e shtetit, duhet ndjekur higjiena personale e kuptuar rëndësia e jetës virtuale. Unë përpiqem që me mesazhe zanore të ul pranë librave nxënësit e mi; t`i orientoj sado pak me kënaqësi dhe durim ndaj librit, mikut të tyre më të ngushtë, që i nevojitet më së shumti në këtë situatë. Mundohem të zgjedh metoda te qeta komunikimi, që ata të ndjehen sikur janë në bankat e shkollës, ku imagjinata i bën te shohin imazhin e mësueses, imazhin e një dite të re, e atë të një të nesërme më të bukur se e sotmja. Me një zë bindës, nxënësit fitojnë energjinë e duhur për të punuar individualisht, sikur te qenë në universitet. E më pas, me kënaqësinë që marrin nga të mësuarit, ata hapin dritaret të vështrojnë natyrën e pafajshme e përshpëritin “Ia dola edhe sot!”. Rendin të lumtur të ushqehen nga gatimet e mamit apo gjyshes, vrapojnë të lajnë duart e dhëmbët e rikthehen në këndin e lojërave: në dhomën e gjumit. Dërgojnë punimet e bëra me dashuri tek ëhatsappi e mësuesja ju dergon vlerësimet përkatëse.
Ashtu si karantina, jeta vazhdon: e mbështjellur në disiplinën e përditshmërise, me shpresën se qëllimet ditore kanë akoma vlerë: qofsh mësues, nxënës, prind a profesionist!
Ji optimist drejt të ardhmes e bëj gjithçka të mundesh për të jetuar një jetë normale!
Florinda Palaj
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.