Verën që lam pas ai rrumbullakosi plot 83 vjet. Personazhi ynë është i njohur në botën e letrave shqipe, veçanërisht për krontributin e tij në zonën e Tropojës në fushën e studimeve për vendlindjen. Ibrahim Malaj është autor i librit “Tropoja në breza”.
Vepra voluminoze “Tropoja në breza”, e para e këtij lloji botuar shqip, është një thesar i çmuar në rrafshin albanologjik dhe historik. Ky libër paraqet interes njohës e studimor dhe shpalos vlera të rëndësishme në disa rrafshe. Albanologë dhe dijetarë shqiptarë e të huaj kanë kryer studime e botime të shumta historiografike, etnografike, etnologjike për shqiptarët, bazuar në librin voluminoz të Ibrahimit. Konteksti historik është i verifikueshëm dhe i matshëm përmes kolonës së librave të Ibrahim Malajt. Unë, thotë autori, në librat e mi kam sjellë një produkt. Janë lexuesit dhe kritikët ata të cilët kanë të drejtën ekskluzive që të japin vlerësime për qasjen hulumtuese antropologjike dhe fetare që janë esenca e përmbajtjes së librave të mi.
Studiuesi Ibrahim Malaj ka hulumtuar hollësisht nga burime gojore e dokumentare prejardhjen, degëzimet, lidhjet e rrjedhën ndër shekuj të tyre në vëllazëri e breza. Autori kapërcen kësisoj zbrazëtinë e mangësitë e trashëguara dhe sjell një ndihmesë të vyer në këtë fushë. Për të ndriçuar sa më qartë ecurinë e brezave, ai i studion ata në vijë vertikale, duke u ndalur në tri harqe kohore kyçe: brezat e sotëm, gjeneza e tyre deri tek i pari i vëllazërisë nga kanë marrë mbiemrin dhe është bërë degëzimi në familje të veçanta. Të parët e farefiseve nga rrjedhin llagapet (mbiemrat) e lidhja e tyre me fiset e mëdha bazë, që zotërojnë sot në trevën e Tropojës; prejardhja dhe biografia e këtyre fiseve të mëdha deri në ditët e sotme.
E veçanta e autorit, studiuesit dhe shkrimtarit Ibrahim Ksadri Malaj është se veprat e tij trajtojnë tema të pa ekspoluara deri më sot për trevën e Tropojës. Autori Ibrahim Malaj në dy librat e fundit; “Tradita Etnokulturore në Tropojë” dhe “Besimet fetare në Tropojë” sjell origjinalitetin etnokulturor të atyre trevave, sikundër na jep dëshmi sesi harmonia fetare është një shembull i shkëlqyer i kohëzionit të brendshëm fetar të shqiptarëve. Marrë në tërësi publicistika, etnokulturalizmi, historiku gjeneza e fiseve, perspektiva e atyre zonave, krijon tablonë e një origjinaliteti të pakundërshtueshëm e një hapësire ku forca e argumentit kërkimor hulumtues është dalluese.
“Dëshira për të shkruar më ka lindur që herët, por duke qenë se unë studiova për agronomi, më vonë punët e shumta dhe detyrat që kam kryer, nuk më dhanë mundësi t’i kushtohem fushës së krijimit. Në vitet e pensionit m’u dha mundësia të shkruaj e të botoj”, thotë 83-vjeçari.
Deri më tani Ibrahim Kadri Malaj ka botuar pesë libra dhe ka në proces disa të tjerë. Në librat e tij në qendër është Tropoja dhe tematikat që lidhen posaçërisht me të. Për dy librat e parë; “Tropoja ime” dhe “Tropoja në breza” iu deshën mbi pesë vjet punë hulumtuese në arkiva, institucione e sidomos në takime e biseda me një numër të madh njerëzish nga të cilët arriti të mbledhë materialin bazë për botimin e librave të tjerë. Veprat e këtij autori kanë mbi 2500 faqe.
Në vitin 1998 botoi librin e parë me poezi “Tropoja ime” me parathënie të Dritëro Agollit, “Tropoja në breza”, studim për brezat në Tropojë, 2003; “Malësia e Gjakovës” (Tropoja) , vështrim historik, 2007, “Besimet fetare në Tropojë”, 2010, “Tradita etnokulturore në Tropojë”, 2010 ,”Bujqësia në vite”, 2011, “Malajt e Grisë”, monografi për fisin e tij, 2013, “Kuriozitete dhe anektoda”, 2015 dhe ka në proces botimi edhe tre libra të tjerë.
“Tropojën e kanë bërë objekt, deri në trajtime të gjenealogjive të fiseve të saj të veçanta. Madje, albanologët austriakë, Franc Nopça e Karl Steinmantz kanë bërë hulumtime dhe për ndonjë fis të krahinës së Tropojës, si të Nikajt e të Mërturit. Por këta autorë nuk kanë arritur të bëjnë studime sintetizuese, ku të paraqitet gjeneza e plotë”, thotë autori duke iu përgjigjur interesit tonë.
Për moshën që ka paraqitet tepër energjik dhe shumë punëtor, madje kur e pyesin se cili është sekreti i mosplakjes, ai si me gjysmë shaka iu drejtohet moshave të reja: “Puna, vetëm puna më ka rinuar. Ajo nuk të plakë kurrë.”
Bio
Ibrahim Kadri Malaj është agronomi i parë i lartë i diplomuar në Tropojë. Mëse tre dekada, nga vitet 1960-1990 ka punuar në sektorin e bujqësisë në vendlindje në detyra të ndryshme që nga drejtues bujqësie, shef seksioni etj. Të gjitha ata që e kanë njohur apo kanë punuar me Ibrahimin flasin fjalët më të mira si drejtues dhe specialist i aftë, i komunikueshëm dhe tolerant. Ibrahimi ishte novator edhe në profesionin e tij. Ai eksperimentoi për herë të parë, kur ishte drejtor ferme, shkundësen e kumbullave dhe mbledhësen e boronicave.
(Nga Gjon Neçaj)
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.