Për mbretëreshën Geraldinë nuk do të flasë më vetëm historia. Fëmijët tanimë do të mund të kenë në duar përrallën që i dedikohet. Në një intervistë për Portalin Shkollor, autorja Elia Zaharia Zogu, rrëfen gjithçka.
Botimeve për fëmijë nga shtëpia botuese ALBAS i shtohet edhe përralla *“Trëndafili i bardhë” , një përrallë e vërtetë shqiptare e shkruar në kohët moderne, por që na çon pas në vite. Bëhet fjalë për vitet ‘20-‘30 të shekullit të kaluar, kohë kur Shqipëria drejtohej nga Mbreti Ahmet Zogu. Deri më tani kjo periudhë na është servirur vetëm nga historia. Nisur nga kjo, Princesha Elia Zaharia Zogu, mendoi se diçka mungonte: një hallkë e rëndësishme, ajo e parë në këndvështrimin e përshtatshëm për fëmijët. Nëpërmjet përrallës “Trëndafili i bardhë” autorja rrëfen kohën e artë të fëmijërisë së Geraldinës, vështirësitë në jetën e saj, pasionin për lulet e trëndafilat e bardhë, njohjen me mbretin Zog të shqiptarëve, ardhjen e saj në Shqipëri, martesën, e deri te lindja e princit Lekë. Në një intervistë për Portalin Shkollor, autorja Elia Zaharia Zogu, rrëfen gjithçka mbi këtë botim vërtetë interesant. Ju ftojmë ta lexoni.
Znj. Elia ju kemi dëgjuar në vitet ’90 duke kënduar në grupin “Spirit Voice”, ju kemi parë të aktroni në filma shqiptar, por edhe në Teatër. Tanimë t’i sapo i ke sjellë publikut edhe një libër për fëmijë. A mund të na rrëfesh pak për momentin kur vendose, le të themi, që të shkruaje?
Faleminderit për mundësinë që po me jepni për t’ju drejtuar lexuesve tuaj! Është e vërtetë që gjatë këtyre viteve kam lëvruar në disa zhanre artistike. Të gjitha i kam dashur dhe i dua shumë, dhe për kohën që u jam përkushtuar, kam dhënë të gjithë energjinë time. Përsa i përket shkrimit, njerëzit nuk e dinë, por unë në moshën 12-vjeçare kam qenë autorja e revistës për fëmijë “Sailor Moon, fantazi shqiptare” dhe mbushja çdo muaj revistën me shkrime, tregime, poezi dhe vizatime të miat. Në klasë të tetë kam fituar konkursin si hartimi më i mirë i shkollave 8-vjeçare në rang kombëtar. Më pas, gjatë viteve në Francë jam marrë jo pak me përkthime të disa pjesëve teatrale, madje njëra prej tyre është venë asokohe në skene. Gjithashtu në vitet e fundit në Paris kam shkruar disa fragmente, gjithmonë teatrale, por që nuk kam marrë guximin t’i botoj. Përralla e Trëndafilit ka qëndruar me mua për disa vite, i jam kthyer e rikthyer. Ja lexoja familjarëve të cilët më inkurajonin ta çoja deri në fund. Një ditë vendosa t’ia lexoj mikeshës sime të ngushtë Ledia Kostandini, që është edhe ilustratorja e librit. Ajo e pëlqeu dhe u shpreh entuziaste për të bashkëpunuar, por pa u ngutur, duke marrë kohën e mjaftueshme që përrallës t’i jepej kujdesi i merituar. Dhe kështu le të themi filloi bashkëpunimi ynë i cili vazhdoi për dy vite, duke punuar e hulumtuar, deri në kurorëzim të këtij krijimi.
Si të lindi ideja për përrallën “Trëndafili i bardhë” dhe pse zgjodhe të shkruaje një përrallë dhe jo një zhanër tjetër?
Mendoj që gjatë këtyre viteve pranë Princ Lekës dhe Familjes Mbretërore, figura e Mbretëreshës Geraldinë më ka frymëzuar shumë! Kam pasur fatin të kem akses në arkivat e familjes, foto, letërkëmbime, biografitë e shkruara për të, si edhe kujtimet e rrëfimet e bashkëshortit tim. Mendoj që ajo periudhë e historisë është shumë joshëse dhe trajtohet vazhdimisht nga historianët, por çuditërisht mungonte një hallkë e rëndësishme, ajo e parë në këndvështrimin e përshtatshëm për fëmijët. Për mua që jam rritur me përrallat e gjyshërve e prindërve të mi, është shumë e rëndësishme që edhe të vegjëlit të kenë përrallën e tyre, që u përket atyre, pasi është pjesë e historisë së vendit tonë. Mendoj ndonjëherë, vende të tjera i kanë krijuar mbretëritë imagjinare në përrallat e tyre, ndërsa ne e kemi pasur dhe mbretëresha Geraldinë është më frymëzuesja për përrallë, pasi jeta e saj i ka të gjithë elementët e duhur ku mund të mbështetesh.
Çfarë rrëfehet në përrallë? Për cilat vite bëhet fjalë? A përfundon ajo me një fund të lumtur, siç ndodh thuajse në të gjitha përrallat?
Fabula e përrallës është jeta e Geraldinës nga fëmijëria e hershme në Hungari, si konteshëz e vogël e perandorisë austro-hungareze, formimi i saj, momentet e vështira që në moshë të njomë, deri tek ardhja në vendin e shqiponjave dhe martesa me Mbretin Zog. Bëhet fjalë për vitet 20-30 të shekullit të kaluar. Përralla ka elemente imagjinare, ka simbolika dhe një prekje me shumë dashuri të traditave, folklorit dhe mikpritjes shqiptare. Padyshim që përralla mbyllet me një fund të lumtur, paçka se për hir të së vërtetës nuk ka një fund tipik. Kam zgjedhur që fundi i kësaj përralle të jetë një dritare e hapur nga ku çdo lexues të nisë fluturimin e tij.
Përrallat janë krijime mjaft të vjetra; disa studiues mendojnë që janë mbetje te miteve te lashta; ato kanë një strukturë universale, çka është veti e përbashkët për përrallat e çdo populli. Idetë qe ato përçojnë lidhen me dëshirat dhe ëndrrat e njerëzimit për një jetë shumë më të bukur, më të pastër e më me imagjinate sesa ajo që iu ofron realiteti. Por ju vini me një përrallë të kohëve moderne dhe bazuar në personazhe e ngjarje të vërteta apo jo? E bën kjo unike përrallën shqiptare të viteve ‘2000?
Unë jam ndihmuar nga elemente shumë të mistershëm në jetën e mbretëreshës. Fati në përrallën time vjen nën petkun e trëndafilit të bardhë. Sigurisht ka shumë fantazi dhe imagjinatë, por të ndërthurura me një jetë shumë të pasur të Geraldinës. Mjafton të lexojmë dy librat e saj për të kuptuar që jeta e saj ishte realisht si një përrallë, me shumë ulje-ngritje, me fate të parashkruar, me amanete të çuara në vend, me ëndrra që bëhen realitet pas shumë vitesh…vetë historia e saj të fton drejt këtij zhanri që besoj ende sot është i preferuari im.
Do të thuash se përralla ka brenda edhe pak trillime?
Sigurisht që ka, por më shumë se trillime do t’i quaja “shkelje syri” të realitetit. Kjo pasi është marrë një element real dhe është çuar më tej në fantazi.
Në përrallë është përshkuar vendi i shqipeve, siç e quani nëpër rreshtat e përrallës. Vjen i përshkuar shumë bukur dhe të forcon ndjenjat e atdhetarisë. Teksa e shkruaje, në një farë mënyre, a ndjeje sikur rrëfeje për një mbretëri të vërtetë?
Sigurisht kam përshkruar mbretërinë e vërtetë të cilën Mbretëresha Geraldinë e përqafoi fort në zemër deri ditën e saj të fundit. Çdo traditë shqiptare, çdo element kombëtar, ka shënjuar dhe lënë gjurmë të pashlyeshme në shpirtin e saj. Ndaj edhe amaneti i saj ishte të kthehej dhe t’i mbyllte ditët këtu, në vendin tonë, në vendin qe i vuri kurorën e mbretëreshës. Unë vetë kam një pasion të madh për traditat dhe artizanatin tonë. Madje në dasmën tonë ky folklor ishte kryefjala. Nëse shihni me vëmendje ilustrimet, gjashtë valltarët e kapur përdore me kostume nga të gjitha trevat, janë në realitet gjashtë shoqërueset e mia në dasmë.
Në lajmërimin tuaj mbi daljen nga shtypi të “Trëndafili i bardhë” thoni se këtë përrallë ja dedikoni familjes së bashkëshortit, Princ Leka. jemi kurioz të dimë, kujt tjetër ja dedikoni këtë përrallë, mos ndoshta një trashëgimtari në zemër a në pritje?
Ja dedikoj shumë shpirtrave e njerëzve që i japin kuptim jetës sime, duke filluar nga gjyshërit e mi të ndjerë që më kanë rritur plot me përralla e fantazi, prindërve të mi të dashur, Princit dhe familjes së tij, dhe shpresoj do jetë një ogur i mirë në të ardhmen.
Kush ju ka ndihmuar në botimin e këtij libri estetikisht dhe sigurisht shumë tërheqës nga ana e jashtme?
Libri ka marrë këtë formë nën kujdesin dhe bashkëpunimin skrupuloz me Ledia Kostaninin, e cila me një durim dhe talent të pashembullt ka arritur të realizojë çdo fantazi timen. Nuk mendoj se do kisha mundur të realizoja këtë libër me dikë tjetër, pasi njohja e hershme me Ledian, besimi absolut te njëra-tjetra, ka bërë që përpos bashkëpunimit, ky libër të jetë një histori miqësie shumë e fortë. Në lice kemi qenë në të njëjtën klasë dhe që atëherë Ledia vinte pikturonte nga pak në telajot e mia, dhe unë në të sajat. Si të them, duket sikur dëshira për të sjellë një vepër të përbashkët ka filluar 20 vite më parë. Ndërkohë kemi pasur edhe inkurajimin e Rita Petros e cila na stimuloi shumë për ta çuar përpara këtë dëshirë tonën. Ajo e lexoi përrallën dhe u shpreh gjithashtu entuziaste. Kjo më dha shumë kurajo, pasi Rita kalon në duar shumë libra për fëmijë, shumë përralla, ndaj vlerësimi i saj për mua ishte stimul shumë i fortë.
Pikturat, sa janë të lidhura me personazhet e vërteta të përrallës?
Ilustrimet kanë ardhur pas një hulumtimi të gjatë në albumet e vjetra të familjes. Kemi punuar shumë mbi personazhet e kohës, si Princeshat, Mbreti dhe vetë Geraldina, por sigurisht ka edhe disa personazhe të ditëve tona, sidomos familjare.
A do të preferoje që një ditë kjo përrallë të shfaqej edhe në televizion si një film i animuar për fëmijë?
Keni lexuar mendjen time…
Nisur nga eksperienca si autore tashmë e përrallës “Trëndafili i bardhë”, a të ka përfshirë ndjesia për një projekt të ardhshëm në këtë drejtim?
Kam zgjedhur lexuesin më të drejtpërdrejtë, atë grupmoshë që nuk gënjen kurrë. Them se do t’i besoj symbyllur atyre dhe do të jenë lexuesit e vegjël ata që do ta diktojnë këtë në të ardhmen.
*(Përrallën “Trëndafili i bardhë” do të keni mundësi ta gjeni në stendën e shtëpisë botuese ALBAS në Panairin e Librit në Tiranë, te Pallati i Kongreseve nga data 13 deri në 17 nëntor, si dhe në libraritë tona)
Nanila Allkja Biçaku
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.