Unë nuk ju them dot: Lexo! Lexoni! Por, besomëni, unë nuk do të mund t’ju urdhëroja dot për asgjë që ju dëmton. Pikërisht se ju dua, se dua veten, se dua botën e dua një të ardhme më të mirë për vete dhe për ju, fëmijët e mi, ju lutem: “Lexoni!”.
Për njeriun është e nevojshme që shpesh t’i drejtojë pyetje vetes dhe të ketë vullnet e kërshëri që të kërkojë përgjigje, madje, ndonjëherë edhe thjesht të presë derisa përgjigjet të vijnë.
Përse të lexoj? Përse të lodhem pa fund kur në profesionin që do të bëj në të ardhmen s’do të më hyjnë në punë këto që lexoj? Përse të lexoj 400 faqe libër kur mund ta shoh dy orë të ekranizuar në një film? Përse të lexoj kur mjafton të shkarkoj një material të gatshëm në internet? Ç’kuptim ka të lexoj në një kohë që thjesht mund të përsos aftësitë e mia kompjuterike e hulumtuese? A nuk jetojmë në epokën digjitale?
Vura re që dje kishit ndërruar foton e profilit. Vërtet e bukur! Madje kishit marrë kaq shumë lajke dhe komente, ndryshe nga ai artikulli që kishit shkruar për atë poetin e madh. A s’është ky trendi i kohës?
Ky është një koleksion i vogël situatash në klasë, kur nxënësit pyetjes i përgjigjen me pyetje. Dhe në këtë rast përgjigjet janë larg asaj ç’ka synon mësuesi. Por mësuesi nuk kënaqet me kaq, të paktën jo ai që mësimdhënien e ka pasion dhe përgjegjësi.
Ai lëshon një sfidë. U thotë nxënësve: “Ju të gjithë kundra meje. Le të bëjmë një tabelë dyshe në dërrasën e zezë dhe të shënojmë argumentet tona. Unë do të shkruaj përse duhet të lexojmë dhe ju, përse mos të lexojmë.” Çfarë përfiton fituesi?-pyeti një nxënës i ngazëllyer.
“Nëse ju arrini të më bindni, unë nesër do të vij në shkollë i veshur si klloun dhe do të bëhem gazi i botës”- nxënësit i shkriu së qeshuri dhe vetëm mendimi. Disa ego vetëkënaqen. “Por, nëse unë fitoj, – shton mësuesi, – ju brenda 10 ditësh duhet të keni lexuar të gjithë librin.”
Sfida pranohet dhe fillon puna. Grupi i zhurmshëm punon me ngulm dhe e mbush tabelën plot. Pasi nxënësit mbarojnë së shkruari, hedhin sytë nga mësuesi që qëndron diku i ulur në klasë. Mësuesi i fton të ulen në bankat e tyre për të fashitur rrëmujën në klasë, çapitet paksa i trishtuar drejt tabelës dhe shkruan me shkronja të mëdha: “Unë dua të jem i lumtur!”. Nxënësit shohin me dyshim dhe habi.
– Unë dua të jem i lumtur. Kjo është gjëja që dua më shumë në botë. Po ju? Sa nga ju duan të jenë të lumtur?
Të gjithë nxënësit një e nga një ngrenë dorën.
– Kjo është e mrekullueshme!- thotë mësuesi.- Ja një qëllim që na bashkon të gjithëve. Ne lexojmë për të gjetur lumturinë. Filozofi Aritotel thotë “Lumturia e vetvetes është e mjaftueshme.” Ndërsa një tjetër mendimtar thotë “Gjithë ç’kam e bart me vete”, pra kushti më i domosdoshëm për të qenë i lumtur është t’i mjaftosh vetvetes, të jesh në çdo gjë plotësisht vetvetja. A jemi ne plotësisht vetvetja? Nëse njeriu nuk është vetvetja, por shtiret, hiqet ai që s’është, a është ai i lumtur me veten? Librat na shërbejnë për të njohur veten dhe të tjerët, botën që na rrethon, atë që na mërzit, atë që na bën të lumtur.
Secili prej nesh duhet të krijojë një marrëdhënie personale me librin, sepse komunikimi është një proces shumë i rëndësishëm për njeriun. Vetëm nëpërmjet fjalës dhe artit njeriu komunikon me thellësitë e qenies së tij, kupton domethënien e emocioneve që ndien dhe mbi të gjitha ndien. Emocionet janë pjesë e rëndësishme jo vetëm e zemrës sonë por edhe të mendjes sonë. Vetëm një njeri që ndien mund ta njohë lumturinë, sepse në fund të fundit lumturia është një ndjesi. Gjithçka që ne blejmë, bëjmë ose posedojmë në jetën tonë: paratë, makinat luksoze, celularët e shtrenjtë, karriera brilante, suksesi etj., s’janë veç mjete ndihmëse për të lehtësuar e zbukuruar jetën tonë të cilat nëse na bëjnë të ndihemi mirë, të kemi njerëz të dashur me të cilat t’i ndajmë si dhe kohë për t’i gëzuar mund të na dhurojnë lumturi.
Nevoja e brendshme për të komunikuar na lidh me të tjerët. Tjetri është një pasqyrë që reflekton qenien tonë, sjelljet, fjalët, qëndrimet, vlerat që kemi. Njeriu i lexuar asnjëherë nuk e shpërfill tjetrin, pasi tjetri është bota dhe ai do të jetë pjesë e botës. Ai që lexon mëson se për të ndërtuar ura të shëndosha komunikimi nevojitet një përbërës magjik: shumë dashuri.
Dashuria ashtu si lumturia është një ndjenjë, një ndjesi. Dashuria është besim, paqe, harmoni, mirëkuptim, tolerancë, sakrificë, dhimbje, solidaritet, dhembshuri. Ajo nuk është smirë, lakmi, zemërim, stërmundim i kotë. Megjithatë unë ju kuptoj. Ju ende jeni bimë të reja në këtë jetë. E di që nuk është aq e thjeshtë për ta njohur, kuptuar e poseduar këtë ndjenjë, por librat mund të na mësojnë gjuhët me të cilat dashuria flet. Ashtu si një lule pesëpetalëshe këto gjuhë janë: fjalët e bukura përkëdhelëse a shpirtngrohëse; përkëdheljet e prekjet fizike; shërbimi dhe sakrificat që bëjmë për të tjerët; koha cilësore që kalojmë me dikë që duam si dhe dhuratat që ia dedikojmë njëri-tjetrit. Këto janë plehu, drita, uji, dheu, ajri që e bëjnë dashurinë të jetojë.
Një shkencëtar si Albert Ajnshtajn ka thënë se “Imagjinata është më e rëndësishme se dituria”. Dituria është e kufizuar, ndërsa imagjinata jo. A ka mënyrë më të mirë se sa të lexuarit dhe loja për të zhvilluar imagjinatën. Këtu më tepër se sa lojërat kompjuterike që mund t’ju shkojë mendja juve, -thotë mësuesi, – të cilat e ndrydhin njeriun psikologjikisht, e bëjnë të vetmuar dhe të varur, e kam më tepër fjalën për lojën e vërtetë në gjirin e natyrës, ndërveprim me njerëz të vërtetë dhe jo virtualë. Pavarësisht se ka njerëz si unë, – mësuesi qesh- që mbeten përherë fëmijë, kur fëmija brenda nesh nis të lexojë, nuk ka dyer të kësaj galaktike që ai s’mund ta hapë.
A e dini ?! Unë nuk kam udhëtuar shumë. U martova i ri dhe krijova familje dhe të ardhurat që marr nuk më japin mundësi të udhëtoj e të shoh botën. Por ama unë jam i lumtur. Nëpërmjet librave, pa pasur nevojë për viza e me pak para unë kam njohur botën. Kam parë Himalajet, Berlinin, Nju Jorkun, Parisin, Notre Damin e famshëm, shkretëtirën, Piramidat e Egjiptit, Kolumbinë e Japoninë… Ku nuk kam shëtitur e çfarë nuk kam mësuar në librat që kam lexuar. Dhe një ditë kur ta kem mundësinë do t’i shoh me të vërtetë. Mbase kjo ditë edhe mund të mos vijë, por s’do të më ngelet peng që e pata një mundësi për ta njohur botën dhe s’e shfrytëzova.
Në mënyrë të pashpjegueshme kjo botë është ndërtuar mbi bazën e dikotomive. Kjo është një fjalë që do të thotë se është ndërtuar mbi bazën e të kundërtave p.sh.: dashuri/ urrejte; dritë/ errësirë; ftohtë/nxehtë; mal/ fushë, e lëngët/ e ngurtë etj. Këto janë si dy anët e një monedhe të kohëve të sotme. Monedha nuk do të ishte e vlefshme dhe nuk do të quhej monedhë po të kishte të punuar vetëm njërën faqe. Ndonjëherë për të njohur dashurinë duhet të njohësh urrejtjen; që të njohësh e vlerësosh dritën duhet të kalosh përmes errësirës, dua të them që shpesh për të gjetur lumturinë më është dashur të lexoj libra që më kanë bërë të ndihem keq, të qaj, të frikësohem.
Ekzistojnë dy botë, nxënësit e mi të dashur, bota e vërtetë ku ne jetojmë dhe bota e trillimit ose ndryshe, ajo e artit dhe letërsisë. Shpeshherë jetesa në botën tonë, atë të një mendtën, është kaq e vështirë. Besomëni kur ju them, se kam dhe më tepër përvojë e plagë nga jeta duke qenë se jam udhëtar për një kohë më të gjatë se ju dhe nuk kam pasur një jetë të lehtë! Shpeshherë për të mbijetuar e për t’u shëruar jam strukur në botën e trillimit. Ai ka qenë si një vendstrehim në kohë lufte e vështirësish e një kolovajzë prehjeje e domethënieje në kohë gëzimi. Është mirë që njeriu të ketë një vendstrehim të tillë në çdo rast. Veçse kujdes! Të dyja botët udhëhiqen nga ligje të ndryshme. Mos i ngatërroni ato! Ndryshe do të përfundoni të palumtur si Don Kishoti ose ndonjë “mendjendritur” botëror që na ka udhëhequr deri tani.
Pas gjithë këtyre që ju thashë dhe besomëni, mund të vazhdoja pafundësisht- mësuesi qesh. Unë nuk ju them dot: Lexo! Lexoni! Por, besomëni, unë nuk do të mund t’ju urdhëroja dot për asgjë që ju dëmton. Pikërisht se ju dua, se dua veten, se dua botën e dua një të ardhme më të mirë për vete dhe për ju, fëmijët e mi, ju lutem: “Lexoni !”
Zilja tringëlloi ndryshe atë orë. Sytë e disa nxënësve vezullonin ende mes njomësisë. Një shkëndijëz lumturie ia përshkoi mendimin mësuesit: Duhej ta rikornizonte planin-ditar. “Operacioni FSHESA” -nënqeshi ai. Le t’u japim nxënësve atë që iu duhet nxënësve.
Marsela Neni
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.