Krahas rikonstruksionit të plotë që po kryhet në çerdhe e kopshte, Bashkia e Tiranës po punon edhe për riparimin e të gjitha shkollave, në mënyrë që ato të jenë gati për vitin e shkollor.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zgjodhi shkollën 9-vjeçare “Fan Noli” në Njësinë Administrative nr. 2, për t’u siguruar që puna e nisur prej disa javësh në 200 godinat arsimore të Tiranës të vijojë edhe gjatë muajit gusht.
“Kemi filluar një proces në të gjitha shkollat e Tiranës, ku çdo ditë po lyejmë, riparojmë, sistemojmë dhe rikuperojmë amortizimin e godinave, në mënyrë që kur fëmijët dhe familjet e tyre të kthehen në shtator nga pushimet, t’i gjejnë në gjendje më të mirë”, u shpreh Veliaj.
Pas pushimeve verore 1500 nxënësit që mësojnë në shkollën “Fan Noli” do të gjejnë një godinë të riparuar.
Veliaj tha se motoja e bashkisë për këtë verë është: “Çdo ditë një shkollë!”, duke shtuar se krahas shfrytëzimit të ambienteve nga nxënësit, pas orëve të mësimit shkolla do të jetë edhe në funksion të komunitetit.
“I kemi kërkuar drejtorisë arsimore që në bashkëpunim me bashkinë t’i maksimizojmë hapësirat, të mos kemi dyndje në disa shkolla dhe defiçit pranimesh në shkolla të tjera”, tha Veliaj.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës deklaroi se brenda vjeshtës do të fillojë projekti ambicioz për ndërtimin e 20 shkollave të reja në Tiranë.
Ai tha se do të synohet që shkollave me reputacion t’u jepet në mbikëqyrje edhe një shkollë e re, për t’u siguruar që reputacioni është aty ku janë mësuesit dhe pasioni për të dhënë mësim dhe jo detyrimisht aty ku është godina.
“Bashkia e Tiranës i ka piketuar 20 vendet ku do të ndërtojë shkollat e reja dhe nëpërmjet një partneriteti publik-privat, do t’u kërkojmë investitorëve ta investojnë të gjithë shkollën njëherësh, ndërsa pagesën ta zgjasin ndër vite. Kështu, i ndërtojmë shkollat që vitin e parë. Ndërkaq, bashkia merr kohë që pagesa e solidaritetit që u fut te fatura e ujit, të jetë një mënyrë se si i gjithë qyteti i Tiranës kontribuon për ndërtimin e 20 shkollave të reja, duke i dhënë fund brenda këtij mandati dramës sociale të shkollave me dy turne”, përfundoi Veliaj.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.