Kosova merr pjesë për herë të parë në Lojërat Olimpike dhe rrëmben medalje të artë në xhudo. Ishte sportistja nga Peja Majlinda Kelmendi e cila mori medaljen e artë në xhudo. E emocionuar, xhudistja nuk i ka mbajtur dot lotët…
Momente emocionuese të mbushur me gëzim dhe me lot. Ngritja e flamurit të Kosovës në vendin e parë në një garë olimpike ka prekur miliona shqiptarë, të cilët pas fitores së Majlinda Kelmendit në sportin e xhudos janë mbushur me krenari.
Kosova merr pjesë për herë të parë në Lojërat Olimpike dhe rrëmben medalje të artë në xhudo. Ishte sportistja nga Peja Majlinda Kelmendi e cila mori medaljen e artë në xhudo. E emocionuar, xhudistja nuk i ka mbajtur dot lotët teksa ka marrë medaljen e artë në Olimpiadën e Rios, pasi mposhti me sukses 4 kundërshtare.
Xhudistja mposhti fillimisht zviceranen Evelyne Tschopp pas vetëm 25 sekondash. Presioni ishte i madh, por Majlinda tejkaloi rivalen me një manovër klasi që i dha suksesin me ‘ippon’.
Fati i vendosi Kelmendit në çerek finale garuesen nga ishujt Mauritius, Kristan Lezhontil, xhudiste që kishte mundur shqiptaren e Kosovës 4 vjet më parë në Londër.
Majlinda sërish hasi në probleme të mëdha ndaj kundërshtares, por përfitoi nga penalitetet në dëm të Lezhontil për të kaluar më tej. Programi i Lojërave e vendosi më pas në gjysmëfinale ndaj japonezes Nakamura, me triumfin sërish në favor të Kelmendit.
Në finale në përballjen ndaj italianes Odet Xhufredi, Kelmendi siguroi të artën e parë, duke festuar mes lotëve hapjen e një kapitulli të ri e të suksesshëm të Kosovës në Olimpiadë.
Shumë urime kanë ardhur në drejtim të Kelmendit nga shqiptarët e shpërndarë anëkënd globit, të cilët kanë përdorur rrjetet sociale për të shprehur gëzimin dhe emocionin e tyre për këtë sukses.
Medalja e artë e Majlinda Kelmendit në Lojërat Olimpike “Rio 2016” në xhudo për kategorinë 52 kilogramë është pasqyruar në mediat kryesore botërore.
Mediat shkruajnë për fitoren e Kosovës
BBC shkruan se: “Është historike për Kosovën! Majlinda Kelmendi fiton medaljen e parë olimpike, dhe është e artë”. BBC ka postuar një fotografi të Majlindës duke shkruar: “Ai momenti kur fiton medaljen e parë të shtetit”
“Xhudo: Kelmendi siguron që të bëhet medalistja e parë e Kosovës”, është titulli i “Reuters”.
Ndërsa “The Guardian”, shkruan se: “Majlinda Kelmendi ia ka fituar Kosovës medaljen e parë të artë”
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.