Mbi librin “Për një histori të krahasuar të letërsisë shqipe”

Libri “Për një histori të krahasuar të letërsisë shqipe”, është një botim i ri i këtij viti nga ALBAS. Autoret pedagoge Dhurata Shehri dhe Persida Asllani rrëfejnë se si kjo prurje e re studimore u vjen në ndihmë veçanërisht mësuesve të letërsisë.

“Për një histori të krahasuar të letërsisë shqipe”,  është një prurje e re studimore nga pedagoget Dhurata Shehri dhe Persida Asllani, libër për të cilin u mbajt edhe një konferencë e posaçme me të pranishëm personalitete të gjuhës dhe letërsisë, akademikë, botues, studentë etj. 

Siç e venë në dukje vetë autoret në nisje të tij, libri synon të jetë një skicë me disa nga linjat kryesore për hartimin e një historie të krahasuar të letërsisë shqipe, është një zanafillë e një pune shumë më të gjerë dhe të thellë hulumtimi, që do të përfshinte të gjitha fazat e zhvillimit të letërsisë shqipe në marrëdhënie me letërsinë botërore. Pra është një libër i hapur që nënkupton një nisje kontributesh apo veprash të mëpasshme studimore. 

Pra libri “Për një histori të krahasuar të letërsisë shqipe” është konsideruar si gjenerues i diskutimeve, frymëzimeve, debateve, dhe veprave që do ta shoqërojnë.

Studiuesit Laura Smaqi e Erion Kabo i njohën të pranishmit me natyrën kërkimore, sfiduese të këtij studimi, që është vetëm porta hyrëse për hulumtime të mëtejshme. 

 “Në panoramën që autoret bëjnë përsa i takon figurave më qendrore, të cilët kanë vënë në qendër të punimeve të tyre studimin krahasimtar, si një qasje mjaft të rëndësishme në shërbim të historive të letërsive dhe kulturave kombëtare, panoramë që nis me Van Tieghemin, e më pas me Lotmanin, sigurisht që ndalesa kryesore që shërben edhe si pikë referimi për studimet e aplikuara krahasimtare, do të jetë Zheneti me dukuritë e intertekstualitetit e me përkufizimet e tij të intertekstit. Natyrisht janë hedhur piketat përmes shembujve, të cilat sigurisht do të vijojnë me analiza të thelluara të pranisë së këtyre dukurive në vepra të autorëve të letërsisë shqipe. E rëndësishme është ftesa që i bëhet mjedisit akademik për ta thelluar këtë qasje krahasimtare. Edhe personalisht, e ndjej veten pjesë apo të ftuar që të jap kontributin tim në këtë aspekt, në vijim të asaj që kam realizuar deri sot”, kështu është shprehur gjatë fjalës së saj Laura Smaqi. 

Përveç punës serioze, të pakompromis që të dyja studiueset kanë treguar përgjatë gjithë karrierës së tyre akademike, ashtu si thotë edhe studiuesi i letërsisë, pedagogu dr. Kastriot Gjika, të tërheq vëmendjen në këtë punim edhe fakti që vjen në dyautorësi apo “me katër duar”. Një fakt që do ta vinte në dukje edhe studiuesi Sabri Hamiti, e të cilit Dhurata Shehri iu përgjigj se “pas grindjeve, ranë në një mendje se do të vazhdojnë të grinden sërish.

Ky libër mund të lexohet nga lexues të ndryshëm, pasi aty mund të gjejnë këndvështrime të ndryshme.

Por si do t’i shërbejë ky libër pedagogëve dhe mësuesve shqiptar?

Dy atoret e librit “Për një histori të krahasuar të letërsisë shqipe”  janë përgjigjur kështu:

Dhurata Shehri: Specifikisht  për mësuesit mendoj se është një mënyrë shumë e mirë për të propozuar një lexim ndërkëmbyes se si trajtohet letërsia shqipe dhe letërsia botërore brenda teksteve letrare, në tekstet shkollore të shkollës së mesme shqiptare përshembull. Ofron një mundësi për të kapërcyer ndonjëherë ndonjë pengesë, ndonjëherë ndonjë ngërç, të atyre që janë quajtur shpesh në letërsinë shqipe si anomalitë e sistemit të letërsisë shqipe por të cilat mendoj një pjesë e mirë e tyre mund të kapërcehen përmes këtij leximi të kryqëzuar midis zhvillimeve të letërsisë shqipe dhe letërsisë botërore. 

Persida Asllani: “Është një libër i cili patjetër i drejtohet edhe mësuesve, veçanërisht atyre të shkollës së mesme të cilët japin mësim lëndën e letërsisë dhe që mund t’i ndihmojë ata të rimodelojnë disa aspekte të mësimdhënies për t’i bërë të lexueshëm shkrimtarët shqiptar përmes letërsisë botërore, përmes atyre rrymave, drejtimeve dhe modeleve letrare me të cilët ata janë më të afërt e më të cilët ata kanë shkëmbyer. Përmes të cilëve ata në një farë mënyre janë rrezatuar nga modele të tyre të shkrimit. Mendoj se kjo është një mënyrë shumë e mirë për ta bërë më të lexuesve e më të rrokshme, më të vendosshme letërsinë letërsisë shqipe në kontekstet e rrymave të gjera dhe të formave dhe modeleve të gjera të letërsisë botërore, siç është rasti i leximit të romantizmit shqiptar, arbëresh, atij të De Radës, Gavril Dara, në kontekstin e romantizmit evropian, të Zef Serembes, por edhe të prozës poetike të Koliqit e të Lumo Skëndos , në kontekstet e prozës simboliste dhe jo vetëm, por edhe të prozës moderne të Kutelit e aq më shumë pastaj kur flasim për një prozë si ajo e Kadaresë apo për poetë si Zorba apo të poetë të sotëm si p.sh Romeo Çollakut etj. Pra mendoj se ky libër do të ishte një ndihmë për mësuesit”. 

Përgatiti Nanila Allkja Biçaku

© Portali Shkollor– Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Eseja prekëse e nxënëses Uendi Kunxhiu: Flitet shqip ku ka jetë të sigurt...

Next Article

Dr.Kastriot Gjika: Dhjetë arsye pse duhet lexuar libri “Për një histori të krahasuar të letërsisë shqipe” të autoreve Dhurata Shehri e Persida Asllani

Related Posts
më shumë

Anaksimandri

Anaksimandri zbuloi në mënyrë të efektshme idenë e hapësirës: domethënë, një gjithësi me thellësi i njohur si babai…

Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home/albas/public_html/portali/wp-includes/functions.php on line 5427