Dr.Kastriot Gjika: Dhjetë arsye pse duhet lexuar libri “Për një histori të krahasuar të letërsisë shqipe” të autoreve Dhurata Shehri e Persida Asllani

Libri që tanimë kemi rastin të përshëndesim e t’i urojmë mirëseardhjen në botën tonë të letrave, është një studim me vlerë e me mjaft rëndësi, është një kuotë e re, më e lartë, në vazhdën e atyre librave që kanë në fokus të tyre përpjekjet për realizimin e atij projekti madhor që do të ishte “Historia e letërsisë shqipe”, por pa iu atashuar pretendimit për ndonjë histori ekskluzive të letërsisë shqipe. Ky studim që sot kam nderin e kënaqësinë t’i bëhem një farë kumbare, vjen në trajtën e një libri, për të cilin kam renditur më poshtë dhjetë arsye pse ai duhet të jetë një libër që duhet lexuar e duhet të zerë një vend të dukshëm e lehtësisht të mbërritshëm në raftet e bibliotekave tona, jo vetëm të studiuesve të letërsisë shqipe, historianë të letërsisë ose jo, por edhe pedagogëve, studentëve, mësuesve etj. Po i rendis (jo sipas rëndësisë) të dhjetë arsyet pse duhet ta kemi në duar këtë libër: 

1. Sepse duke qenë një skicë, një trase a një projekt i propozuar, ky libër/studim njëherazi është edhe një ftesë, por edhe një sfidë e hapur për cilindo studiues të letërsisë shqipe që t’i bashkangjitet këtij projekti, për të çuar, më në fund, në një “histori të krahasuar të letërsisë shqipe”.

2. Sepse punimi synon (dhe personalisht mendoj se ia ka arritur) të hedhë bazat metodike të hartimit të një historie të letërsisë së krahasuar, si një nga platformat alternative mbi të cilën mund të ngrihet superstruktura e njërës prej historive të letërsisë shqipe, duke prezumuar gjithmonë që të tilla do të ketë, gjithsesi, më shumë se një. 

3. Sepse ky punim mëton t’i japë fund kësisoj edhe atyre interpretimeve që mjaft dukuri të procesit letrar shqiptar i kanë parë e i kanë interpretuar si “anomali”, si “çudi”, si “parregullsi” etj., cilësime këto që janë nisur kryesisht nga shfazimi i tyre kohor në raport me dukuri të ngjashme letrare në letërsitë e tjera që merren si referenca. 

4. Sepse një studim mbi letërsinë shqipe është gjithmonë interesant, tërheqës, madje dhe joshës e pse jo, mund ta quajmë edhe “cool”; se është sfiduese të përballesh me problematikat e koklavitura të saj; se është një privilegj i studiuesve të letërsisë shqipe që të merren me një lëndë, me një proces që është për nga vetë natyra e tij “lëndë e parë” ekskluzive e tyre. 

5. Sepse është disi e pazakontë, ndaj edhe ngjall interes fakti që një vepër e kësaj natyre (studimore, shkencore) realizohet me bashkautorësi, ose siç thuhet në kësi rastesh “me katër duar”.  Por në këtë rast nuk ka asnjë çudi, ne e njohim mirë miqësinë e të dyja studiueseve dhe madje edhe afinitetin e tyre në pikëpamje e qëndrime shkencore, për shkak edhe të një rrugëtimi të njëjtë (tashmë edhe të gjatë) në karrierën e tyre të sukseshme akademike.  

6. Sepse është në interesin e vetë letërsisë shqipe që ajo të vendoset e të shqyrtohet, tek e fundit, si pjesë integrale e sistemit global të letërsisë. Kjo do të zgjidhte jo vetëm një çështje ende të  hapur, siç është ajo e periodizimit dhe e emërtimit të secilës periudhë, por do të njësonte edhe kriteret e shqyrtimit të dukurive letrare brenda e jashtë sistemit tonë letrar. Thënë ndryshe, letërsia shqipe të mos matej më me hijen e vetvetes, por me vlerat e vërteta të polisistemit letrar global.

7. Sepse ky punim ofron njëherazi edhe një risistemim e inventarizim të atyre studimeve që përgjatë një shekulli (më pak se një shekull, në fakt) kanë tentuar të shtrojnë një udhë të mbarë në drejtim të një vështrimi krahasues të procesit letrar shqiptar, studime që nisin me Ernest Koliqin, vijojnë me Namik Resulin, me “Historinë e tij të Letërsisë Shqipe” të botuar në italisht më 1970 etj.

8. Sepse ky libër është i konceptuar saktë, i shkruar bukur, me një gjuhë të qartë e të motivuar, që mundëson një lexim të këndshëm e pa bezdi e lodhje. Stili argumentues dhe ligjërimi dëshmues e provues janë ndërthurur me arsyetimet e kthjellta e plot dinamikë, por pa e humbur në asnjë rast koherencën e pa e humbur ritmin në asnjë komponent e njësi strukturore të tij, përgjatë 232 faqeve të këtij libri.

9. Sepse ky libër, ky studim, i jep një status të privilegjuar (në raport me studimet historike pararendëse) letërsisë së përkthyer, duke e parë atë jo vetëm si një komponente shumë të qenësishme të polisistemit tonë letrar, por edhe si një modelues të brendshëm e mjaft të rëndësishëm të  mekanizmave receptues të vetë letërsisë shqipe.   

10. Një arsye e fundit, por jo më pak e rëndësishme, përse ky libër duhet lexuar, madje me shumë kujdes, është se ai është edhe një “ftesë” për të gjithë ata që duan të kërkojnë në të jo arritjet, por mosarritjet, jo saktësimet, por lajthitjet, jo dakordësitë, por kundërshtimet. Ata mund të gjejnë aty “lëndën” e nevojshme për shkrimet e kritikat e tyre. 

Një urim e falenderim shkon detyrimisht për shtëpinë botuese Albas që beson në projekte të tilla e i mbështet ato. Ne e dimë se qarkullimi i librit studimor në rrethet tona është shumë i vështirë e pa ndonjë farë përfitimi, por kjo shtëpi botuese ka treguar përherë një vëmendje të posaçme ndaj studimeve të këtilla.  

Së fundi, dëshiroj t’i shpreh të dyja autoreve të këtij libri, që janë edhe mikeshat e mia prej një kohe bukur të gjatë që tashmë i kalon të tre dekadat, urimet e mia më të mira e të sinqerta për këtë arritje të re në karrierën e tyre të suksesshme akademike. I uroj librit të tyre sukses dhe u pasoftë edhe nga të tjerë, deri në realizimin e atij projekti përfundimtar që ai propozon: një histori të krahasuar të letërsisë shqipe.

Nga Dr.Kastriot Gjika 

© Portali Shkollor– Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Mbi librin “Për një histori të krahasuar të letërsisë shqipe”

Next Article

Çfarë të bëni kur ndonjë nxënës nuk feston disa nga festat?

Related Posts

Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home/albas/public_html/portali/wp-includes/functions.php on line 5427