Katica Qulavkova në shqip me botimet Albas

Katica Qulavkova u lind në Veles, Maqedoni, më 1951. Ajo është poete, eseiste, autore tregimesh të shkurtra dhe teoriciene letrare. Studioi letërsi në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup dhe Sorbonë, dhe mori gradën Prof. Dr. në Universitetin e Zagrebit.

Libri i parë me poezi u botua në vitin 1975. Ajo ka botuar mbi 20 libra me poezi në maqedonisht dhe gjuhë të huaja. Ka botuar dypërmbledhje me tregime, një dramë, dhe mbi 40 botime si autore dhe bashkautore,në gjuhën maqedonase.

Poezia e saj është përkthyer në gjuhë të ndryshme dhe është vlerësuar me çmimet më të larta letrare në Maqedoni. Katica Qulavkova është profesoreshë e teorisë së letërsisë, e letërsisë hermetike dhe e të shkruarit letrar në Universitetin e Shkupit; anëtare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë; anëtare e Akademisë Europiane të Shkencave dhe Arteve në Salsburg dhe zëvendëspresidente e PEN International. Ka drejtuar Komitetin e të drejtave gjuhësore dhe përkthimit në PEN International. Katica Qulafkova është botuese e “Diversity collection of poetry”,fiction and essay, www.diversity.org.mk; Ajo përkthen nga serbo-kroatishtja dhe frëngjishtja. Pasioni saj është fotografia dhe astrologjia. Është e martuar me Emil Filipovin dhe ka një djalë, Vasilin. Jeton në Shkup.

Përcjellje botimi dhe shënime kritike

Pluhur e hi,

këto janë ato që mbeten në fund

ato që kanë qenë zanafillë,

trupi, fjala, gruaja, kaosi

dhe ato që nuk na ikin, këto janë

 të tërat përveç fjalës!

Poezia e Katica Qulavkovës i takon asaj lëndës së qashtër, e cila shpërhapet e mblidhet përmes ndjeshmërisë në thellësi të mendimit, kur fjala artikulon retorikat e përjetshme të njerëzimit, qenien në vetvete, lëndën fizike, psikike dhe shpirtërore të mbushur me natyrë, kohë dhe ekzistencë. Është postmoderne. Nuk mbetet atje në kohën e saj të shkrimit, por tej kohës, lëviz me nota dhe ngjyra, të cilat i ndiejmë sikur muzikën e botës nga çasti i parë i krijimit, deri kohën që njohim e prekim në këtë shekull kapërcimesh gjigante.

Gjithçka ikën, shpërbëhet, shndërrohet, por çka mbetet është fjala e gdhendur si gjuha e njerëzimit, pavarësisht gjuhës me të cilën jemi lindur, e kjo gjuhë është e humanitetit, e njerëzores që mbetet brenda nesh, përtej epokave të qytetërimit, sa antik, aq edhe modern.

Ky libër, i cili vjen si përmbledhje e poezisë së Katica Qulavkovës në gjuhën shqipe, shënon edhe bashkëpunimin që PEN Qendra e Shqipërisë, ka me ALBAS-in, për botimet e autorëve të PEN International në gjuhën shqipe.

Entela S. Kasi

Katica Qulavkova është një poete që bashkon mendimin e Miguel de Unamuno në mendimin e ndier dhe ndjenjën e mendimit. E mbrujtur në mendësi me shqetësimin dhe të fshehtën e thënë përmes dhimbjes, ajo na kujton Oktavio Pazin kur thotë se poezia është i vetmi mjet përkundrejt përkohësisë. Ajo ndien dhe ndan gjykimin kritik ndaj kësaj përkohësie, që vazhdimisht kërcënon humbjen e njerëzores, dhe shpirtit krijues. Poetja nuk kërkon ngushëllim përmes kësaj, ajo arrin në përfundime me poezinë e saj përmes një gjuhe dhe ndjeshmërie bashkëkohore.

Mateja Matevski, poet dhe akademik maqedonas

Poezia e Qulavkovës shpesh konsiderohet si postmoderniste, ku poetika në vetvete shpërhapet dhe rimodelohet, pyetet dhe shpërhapet në rendin e ri të ngjizjes. Është një rrjedhë ndërtekstuale, një dëshirë që korrespondon me toponimet poetike të kohës së saj. Poezia e saj në njërën anë është thellësisht e ndjeshme (pothuajse erotike), po ashtu filozofike dhe spekulative. Ajo evokon një botë shpesh të mbushur me retorika mistike, por që synon të unifikohet me vetveten, me natyrën, me njerëzoren dhe kohën. Kulavkova është po ashtu një prej teoriceneve letrare të kohës.

Ilija CASULE

“Një ishull në tokë”, Antologji e poezisë bashkëkohore maqedonase.

Blini online librin që dëshironi duke klikuar në www.librarialbas.al

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

Total
0
Shares
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Article

Mbi librin “Shqipja qysh u është dukur? Sa e ëmbël, sa e bukur!”

Next Article

"Sekretet e mendjes" nga Albas

Related Posts

Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home/albas/public_html/portali/wp-includes/functions.php on line 5427