Pozicioni i drejtorit nga jashtë shikohet si një vend në karrige. Por gabohen. Gabohet ajo pjesë që nuk e ka provuar drejtimin. Vera është periudha që të gjithë presin pushimet vjetore për të hequr pak mendjen nga stresi i përditshëm i ngarkesës së punës. Kjo nuk ndodh me një drejtor të gjimnazit…
Si drejtuese e re e një gjimnazi hasa shumë vështirësi, por gjithashtu mësova shumë gjëra të reja që në karrierën time 29-vjeçare nuk i kisha provuar. Mësova rreth menaxhimit, drejtimit dhe marrjes së përgjegjësive në arritjen e synimit dhe objektivave të vëna. Komunikimi dhe bashkëpunimi luajtën një rol shumë të rëndësishëm në marrëdhëniet mes meje dhe të aktorëve të tjerë të përfshirë për zhvillimin e procesit mësimor-edukativ efektiv dhe bashkëkohorë. U përpoqa ta udhëheq shkollën që të bëhet një shkollë më e mirë, përmes:
• Përdorimit të shkathtësive efektive komunikuese personale;
• Vendosjes së një sistemi formal të komunikimit që i informon prindërit, komunitetin dhe të tjerët, lidhur me jetën e rëndësishme të shkollës;
• Sigurimit të një shkolle mikpritëse dhe miqësore dhe dita si t’i dëgjoj nevojat, shqetësimet dhe dëshirat e palëve;
• Ndërtimit të marrëdhënieve personale e institucionale brenda shkollës dhe mes shkollave, komunitetit dhe aktorëve të tjerë që nxisin bashkëpunimin dhe mbështesin arritjen e suksesit të shkollës time;
• Sigurimit që komunikimi dhe marrëdhëniet përkrahen nga menaxhimi efektiv i kohës, dokumenteve dhe takimeve.
Në ditët e sotme një drejtor shkolle nuk është vetëm një menaxher, por edhe një udhëheqës i njerëzve, iniciator i proceseve zhvillimore, moderator dhe komunikues ndërmjet grupeve dhe interesave të ndryshme, ndërmjetësues në konflikte, prindërve dhe nxënësve, përfaqësues i shkollës, menaxher i proceseve, etj. Çdo rezultat i arritur në shkollë, qoftë ai për mirë apo edhe për kritikë, i referohet drejtorit, angazhimit, respektivisht mosangazhimit të tij në procesin e udhëheqjes së shkollës. Para tij dalin angazhime të shumta, të cilat lidhen me pozitën e tij udhëheqëse, e të cilat janë të përcaktuara edhe me ligj. Ato kanë peshë të madhe dhe ndikim përcaktues në rezultatet e përgjithshme të shkollës, duke e krahasuar me kërkesat dhe standardet e një shkolle bashkëkohore.
Një udhëheqës i mirë në shkollë ka rol përcaktues në menaxhimin e projekteve, motivimin e mësimdhënësve, në respektimin rregullave në shkollë, në eliminimin e konflikteve, etj. Të jesh i përgjegjshëm do të thotë në radhë të parë tu bësh ballë problemeve, t’u gjesh rrugëzgjidhjen më të mirë dhe gjithmonë të jesh bashkëpunues. Drejtori si menaxher duhet të dijë t’i organizojë individët, në vendimmarrje për t’i kryer detyrat me efikasitet, në kohë të caktuar dhe me përgjegjshmëri. Në koherencë t’i kryejë të gjithë veprimet në institucion. Drejtori duhet të nxisë qëndrime pozitive te mësimdhënësit e nxënësit për t’i pranuar ndryshimet si proces për të arritur realizimin e objektivave dhe të vizionit.
Ai duhet ta ndryshojë performancën e shkollës, ambientet e brendshme, të krijojë klimë pozitive, të nxisë rikulturim të mësimdhënësve, të krijojë raporte ndërnjerëzore në shkollë (drejtor- mësues-nxënës-prind), organizim efikas dhe efektiv të punës në shkollë për të pasur rezultate në nivel më të lartë në arritjen e nxënësve. Ndryshimet në shkollë janë një domosdoshmëri e imponuar nga shumë faktorë si p.sh. faktorët ekonomik, shoqëror, social, politik, teknologjik. Shkolla sot duhet të llogaritet si “fabrikë e prodhimit të dijeve” dhe kjo falë bashkëpunimit të mirë të gjitha komponentëve në shkollë. Drejtuesi i shkollës ka përgjegjësinë për ngritjen e cilësisë së mësimdhënies, të të nxënit dhe të arritjeve të nxënësve. Kjo nënkupton vendosjen e pritshmërive të larta dhe monitorimin e vlerësimit me efikasitet të arritjeve të të nxënit. Sfidat që të dalin përpara, si kjo e këtij viti shkollor ta vështirësojnë punën por duhet të dish t’i kapërcesh në mënyrë që të mos bëhen pengesë në drejtimin e institucionit që drejton.
E bëra të gjithë këtë panoramë për arsye se pozicioni i drejtorit nga jashtë shikohet si ai që zë një karrige, i lehtë, dhe pse jo i lakmueshëm. Por gabohen. Gabohet ajo pjesë që nuk e ka provuar drejtimin. Të drejtosh do të thotë të sakrifikosh veten, familjen, shoqërinë, kohën e pushimet. Vera është periudha që të gjithë presin pushimet vjetore, e të heqin pak mendjen nga stresi i përditshëm i ngarkesës së punës. Kjo nuk ndodh me një drejtor të gjimnazit. Duhet të jesh në krye të institucionit edhe kur pjesa më e madhe e stafit pushon. Duhet të jesh për statistikat e fundvitit, regjistrimet, diplomat, procedurat e maturës, raportet, analizat, parashikimin për vitin tjetër, e në fund të përballesh me mësuesit për vendin e punës për vitin që vjen se bie ngarkesa mësimore. Nëse do të gjesh një dyjavësh për të kaluar me familjen do të jesh me fat, por vetëm fizikisht do të jesh me ta. Një email, zile telefoni apo njoftim në grup pritet në çdo moment, kështu që duhet të jesh gati për të dhënë informacionin e duhur dhe në kohë. Drejtuesit janë individë si të gjithë të tjerët, e për pasojë kanë nevojë të çlodhin mendjen për të menduar dhe vepruar me kthjelltësi në vijim. Nuk i paragjykoj të gjithë ata që e shohin postin e drejtorit në këtë mënyrë, sepse edhe unë kur nuk isha në këtë post e kam parë në këtë mënyrë.
Edhe mësuesi sot ka një ngarkesë të madhe fizike dhe psikologjike, por do të doja që të gjithë mësuesit të provojnë njëherë rolin e drejtuesit dhe më pas jam shumë e sigurtë se do të mendojnë ndryshe.
Hazbie Dedolli
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.