Shkollat të cilat kanë një numër të vogël nxënësish nga 30 deri në 35 do të grupohen me shkolla të tjera në mënyrë që mësimi të mos jetë më në klasa kolektive, por ai të përthithet sipas grupmoshave. Ky është propozimi i bërë nga Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla e cila ka pohuar se në të gjithë vendin rezultojnë 937 shkolla të tilla. Këto deklarata Nikolla i bëri gjatë tryezës mbi decentralizimin dhe ofrimin e shërbimeve cilësore në arsim.
Grupimi
Projekti i bërë gati nga Ministria e Arsimit parashikon që shkollat të cilat në total kanë më pak se 30 apo 35 nxënës të bashkohen me shkolla të tjera. Për këtë Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla u shpreh se ka ardhur koha që të mos paguajmë më mësues për këto shkolla por të organizohemi në bashkime shkollash për një cilësi më të lartë të mësimit të të nxënësve ashtu edhe të mësuesve. Mos shpenzojmë paratë për të dërguar nxënësit apo mësuesit në një fshat të largët, por të shohim çfarë mundësish kemi që këto shkolla t’i rigrupojmë, t’i sjellim më afër. Sigurisht duke incentivuar këta nxënës dhe mësues, por duke mundësuar për nxënësit dhe mësuesit mësim cilësor”, ka pohuar Nikolla. Sipas saj, kalimi i kompetencave dhe i disa funksioneve tek vendorët duke ju referuar dhe miratimit të buxhetit të ri, do të rrisë cilësinë dhe bashkëpunimin mes qeverisjes vendore dhe asaj qendrore.
Nga ana tjetër, sipas Ministres së Arsimit, do të ndërtohen ekipe të përbashkëta për të rritur akoma më shumë cilësinë e arsimit dhe shërbimit arsimor në shkolla. Ajo ka vënë në dukje dy drejtimet kryesore të punës për shërbimin cilësor në arsim që janë investimi në moshën e hershme duke trajnuar edukatorët si dhe kurrikulat e reja. Sipas Nikollës tashmë Shqipëria ka një sistem të ri për punësimin e të gjithë trupës që operon në arsimin parauniversitar. Shkollave iu është hequr barra e 4 mijë mësuesve pa arsim përkatës që ka rënduar shumë situatën në arsim, ku ishin prekur 177 mijë nxënës.
Decentralizimi
Ndarja e re territorial dhe kalimi i kompetencave edhe mbi arsimin tek pushteti vendor pritet që të sjellë shërbime më të mira. Sipas Ministrit të Pushtetit Vendor, Bledi Çuçi, duhet që të bëhet kujdes gjatë kalimit të kompencave drejt pushtetit vendor, në mënyrë që të mos krijohen hapësira dhe problematika në arsim. “Ministria vendos standardet, monitoron standardet dhe pushteti vendor ka funksionin,duke pasur kompetenca. Për të shkuar në funksionimin e këtij sistemi duhet që të jemi të kujdesshëm sidomos në momentet e para që të mos cënojmë standardin e shërbimit që do ofrojmë”, ka pohuar Çuçi. Sipas tij, ligji i ka të mirëpërcaktuara kompetencat e pushtetit vendor dhe Ministrisë së Arsimit, ku kjo e fundit do të kontrollojë standardet ndërsa bashkitë kanë financimin.
Ndryshimet, Financat
Ndarja e re territoriale i ka kaluar më shumë kompetenca pushtetit vendor edhe sa i përket arsimit. Kështu, do të jenë bashkitë ato të cilat do të financojnë investimet në shkolla dhe kopshte.
Klasat
Klasat e vogla të cilat kanë nga 4 apo 5 nxënës do të grupohen në shkolla të tjera në mënyrë që të krijojnë klasa më të mëdha dhe mësimi të mos jepet në klasa kolektive, pasi nuk mund të përthithin dijet.
(Shqiptarja.com)
©Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.