A mund të pranohet një “konsumim” mendor, ideor, fizik e shpirtëror gjatë një procesi të një viti shkollor? Në prag përfundim të mbylljes së institucioneve arsimore mësuesi Evans Drishti shkruan pikërisht për këtë temë…
Sythi s’dëgjohet kur del nëpër pemë, del qetësisht,
Molla s’dëgjohet kur skuqet në degë, skuq qetësisht,
Gruri s’dëgjohet kur mbin nëpër arë, mbin qetësisht,
Drita s’dëgjohet kur vjen në dritare, vjen qetësisht,
Nata s’dëgjohet kur zbret nëpër male, zbret qetësisht,
Jeta s’dëgjohet kur humb dalëngadalë, humb qetësisht (“Qetësisht” nga D Agolli.)
Po nxënësi, gjatë rrugëtimit të edukimit të tij, vallë edukohet qetësisht?…
Po mësimdhënësi, gjatë procesit të ofrimit të edukimit, vallë konsumohet qetësisht?…
Një nxënës i shkëlqyer që qëndroi me orë të tëra:
- të lexonte e të shfletonte tekstet shkollore;
- në punë të pavarur në zgjidhjen e sa e sa ushtrimeve në Gjuhë shqipe, Letërsi, Matematikë, Fizikë, Kimi, Biologji, Gjeografi, TIK etj…
- në lexime të materialeve shtesë jashtëshkollore;
- në hulumtime tekstesh të larmishme në botën e internetit;
- të kryente me rigorozitet detyrat e shtëpisë, të klasës, të projekteve…;
- në “heshtjen”e tij vigane në klasë duke pritur të qetësoheshin ato situata “konfliktuoze” të krijuara gjatë një procesi edukativ…;
- të zhvillonte dhe integronte veten në hobi të ndryshme…;
- në pritje të një interesimi më të afërt nga ana e drejtorisë së shkollës apo institucioneve të larta arsimore për një vlerësim të arritjeve të veta qoftë në konkurse brenda dhe jashtë shkolle apo edhe në olimpiada të ndryshme…
A ka të drejtë të jetë në pritshmëri të një mbështetjeje dhe përkrahjeje shpirtërore dhe materiale për hapa të mëtejshme të rrugëtimit të tij?…
A mund të thuhet se “u konsumua” në materien e tij të brishtë ideore dhe kuptimore…?
A mund të thuhet se “u tjetërsua” në individualitetin e vet apo “u plotësua” në personalitetin e vet?…
Një nxënës i dobët që qëndroi me orë të tëra
- në bankën e tij vetmitare pa shfaqur asnjë lloj kërshërie ndaj leximit apo shkrimit…
- në përgjumjen e tij pa treguar asnjë lloj interesi në shpjegimet rigoroze të mësimdhënësit profesionist…
- në lëvizje brenda apo jashtë klase duke sjellur shqetësime nga më të ndryshmet për klasën dhe shkollën në tërësi…
- duke ideuar lojëra abuzuese me shokët në prishje të rendit dhe rregullores së shkollës…
- kokëfortë dhe i pandërgjegjësuar në një përmirësim të mundshëm gjatë këtij procesi…
- Qëndroi plot indiferentizëm me idenë e qartë se sidoqoftë situata një “notë kaluese” merret në përfundim…
- Qëndroi i paepur me shpresën e madhe se padyshim një ditë do të diplomohet nga shkolla për të zënë vend diku, pa menduar për dëmet e shumta që do sjellë…
A s’është konsumim i shkollës dhe mësimdhënësve për t’i dhënë një krah një kategorie të tillë, edhe pse të nesërmet do vijnë me shumë lëkundje nga duart dhe mendjet e të tilla kategorive “të dobëta”?…
Një mësimdhënës profesionist që shpenzoi orë të tëra:
- në përgatitjen rigoroze të ditarëve, programeve, materialeve mësimore…
- në korrigjime e vlerësime sa më korrekte dhe transparente për të mos hyrë në hak ndaj çdo “mundimi” të nxënësve…
- në korrigjime e vlerësime rigoroze të testeve të tri periudhave, projekteve të ndryshme, minitestimeve në faza të ndryshme,
- në një stërmundim deri në lodhje të syve për të kuptuar fjali “qesharake” pa kontekste të arsyetueshme apo shkrime pa asnjë orientim drejtshkrimor të qartësuar…
- për të kuptuar “arsyetimet” pa sens logjik të shpjegimeve që ofruan shumë nxënës gjatë procesit të edukimit…
- për të ofruar shpjegime domethënëse dhe dhënie të orientimeve të duhura dhe jetike në çdo kohë dhe rrethanë…
- për përgatitje dinjitoze të projekteve dhe programeve domethënëse kulturore e sociale shkollore…
- plotësim të shkresave / evidencave që pasqyrojnë çdo lloj angazhimi profesional…
A mund të pranohet një “konsumim” mendor, ideor, fizik e shpirtëror gjatë një procesi të një viti shkollor?
Prindërit e nxënësve që kaluan orë të tëra në:
- impenjimet dhe angazhimet e tyre për një mbarëvajtje ekonomike të familjeve…
- nëpër kafenetë e qytetit apo të zonave ku jetojnë duke ua imponuar edhe fëmijëve “qëndrimin” në të tilla ambiente aspak të dëshirueshme për ta…
- përpara televizorit apo ekranit të vogël të telefonit pa kuptuar qoftë edhe një herë të vetme se po u shmangeshin përgjegjësive të tyre për mbikëqyrjen dhe bashkëpunimin që duhej të tregonin me fëmijët e tyre…
- duke u marrë me të ashtëquajtura “erze” (vizita tek të afërmit apo miqësia” duke anashkaluar me vetëdije apo pa vetëdije interesimin që duhej të shfaqnin për integritetin e fëmijës së tyre…
- duke u angazhuar me çështjet e tyre personale, dhe nuk morën “guximin” të dukeshin në shkollën e fëmijës qoftë edhe një herë të vetme të interesoheshin për një mbarëvajtje të shëndetshme dhe të qëndrueshme…
- duke u marrë me “politikë” apo “thashethemnajë” dhe duke mos e dëshpëruar veten aspak me idenë se përgjegjësinë e edukimit “ia kemi lënë” shkollës…
- Natyrshëm, s’mund të bëjmë padrejtësi apo t’u hyjmë në hak asaj kategorie prindërish që shfaqin një interesim të vijueshëm gjatë tërë procesit edukativ, por që fatkeqësisht ngelet gjithnjë në minorancë…
Për çfarë konsumimi mendoni se mund të bëhet fjalë në të tilla raste?…
Ashtu sikurse jo çdo mjek mund të quhet mjek profesionist, jo çdo inxhinier mund të quhet inxhinier profesionist…përsa kohë që nuk të ofrojnë një shërbim profesional dhe cilësor, ashtu edhe jo çdo mësues mund të pranohet si një mësimdhënës profesionist për sa kohë që nuk derdh djersë me angazhimet e tij të vazhdueshme për të arrirë në një produkt dhe produktivitet të dukshëm, por që pranon të dredhë zinxhirin në pjesën më të madhe të kohës, që merret me diskutime të rëndomta qoftë në këshillin pedagogjik apo edhe në ambiente të ndryshme të shkollës, që nuk interesohet më nga afër me produktin që ka në dorë, që nuk sjell risi me angazhimet e veta, por ngelet një rutinë e lodhshme…
E në të tilla raste një “detyrim” të rëndësishëm ka edhe drejtoria e shkollës për një ndjekje të shëndetshme të procesit në fjalë dhe për ofrimin e një fryme frymëzuese dhe harmonike…
pasi nxënësi është aty… është në klasë…është në shkollë…është në pritje për t’u zhvilluar dhe integruar…
Dhe ky produkt formësohet jo vetëm me angazhimin e mësimdhënësit dhe të një shkolle, por edhe në bashkëpunim me prindërit…
Pasi ky nxënës është aty…është në shtëpi…është në lagje, në rrugë, në shoqëri…është në pritje të zhvillimit të hobeve…
Ejani të bashkëpunojmë që të përjetojmë “qetësisht” një proces edukativ e kulturor!…
Nga Evans Drishti
©Portali Shkollor– Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.