Në këtë ditë simbol për të kujtuar Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, ne kemi bërë bashkë disa mendime dhe mesazhe me vlerë nga gjuhëtarë dhe njohës të gjuhës sonë shqipe, për rëndësinë dhe mbrojtjen e saj.
Sa e sa shumë poetë i kanë shkruar gjuhës sonë të bukur shqipe! Sa e sa shumë punë është bërë për njësimin e saj vite më parë! Sa shumë po flitet tanimë për standardizimin e plotë të gjuhës shqipe dhe ende nuk është para një dritë jeshile.
Por në një nivel tjetër, të përditshëm, po ndodh edhe diçka më e trishtueshme… gjuha shqipe nuk po respektohet!
Ngandonjëherë të vjen keq se si ajo po shkatërrohet nga shkurtimet e fjalëve që u bëhet nga të rinjtë, nga fjalët e huaja që përdoren nga të gjithë, nga mos njohësit e saj, të cilët edhe pse janë politikanë, zyrtarë, nëpunës, mësues, gazetarë etj., etj., nuk e shkruajnë dhe nuk e flasin gjuhën standarde shqipe saktë.
Sot më 21 shkurt, në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amë, Portali Shkollor Albas sjell disa mendime dhe mesazhe me vlerë nga gjuhëtarë dhe njohës të gjuhës shqipe për rëndësinë dhe mbrojtjen e gjuhës amë.
Emil Lafe
“Gjuha e ka mbajtur gjallë popullin shqiptar, identiteti ynë kombëtar është ruajtur nëpërmjet gjuhës. Çdo gjuhë standarde nuk bëhet sipas parimit edhe-edhe, por bëhet sipas parimit ose-ose. A mund të ketë një gjuhë standarde, që të kemi ‘Republika e Shqipërisë’, ‘Republika e Shqypnisë’, ‘Republika e Shqipnisë’ …jo për hir të gjithëpërshirjes! Gjuha standarde nuk ka armiqësi me dialektet.”
Ferdinand Leka
“Ndoshta ka ardhur koha për disa lejime të vogla duke parë zhvillimin e gjuhës, por pa e prekur strukturës e gjuhës shqipe.”
Valter Memisha
“Pas Kongresit të Drejtshkrimit, mund të themi se kjo shqipe ka funksionuar jo në mënyrën më të mirë të mundshme. Por ka funksionuar shumë mirë dhe ne duhet të punojmë në tri segmente kryesore: e para, një herë në ruajtjen e saj; e dyta, në pasurimin e saj dhe e treta, në zhvillimin e saj.”
Xhevat Lloshi
“Unë e ndiej veten një shërbëtor të gjuhës shqipe. Naimi në mënyrë shumë të bukur poetike ka thënë: ‘Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqiptar’, ndërsa unë në mënyrë shkencore do të them: ‘Ti gjuha shqipe na jep emrin Shqipëri dhe emrin shqiptar’.”
Teuta Toska
“Ajo që ndodh me rregullat e drejtshkrimit është ajo që ndodh me shtetin shqiptar në përgjithësi. Është fytyra e shtetit. Në qoftë se rregulli nuk zbatohet me gjuhën, atëherë nuk zbatohet kudo.”
Mimoza Kore
“Shteti duhet të ketë metoda shtrënguese për punonjësit e vet; mediet për punonjësit e vet, mësuesit për nxënësit etj. Për mua, në shkollë duhet të ketë një fjalor nëpër banka. Ti, kur flet në publik, bëhesh model. Nuk mund të flasësh, si të duash ti.”
Rita Petro
“Nuk i kuptoj dot ata prindër të cilët mburren që fëmijët e tyre flasin vetëm anglisht në çdo mjedis (kjo për hir edhe të kolegjeve ku mësojnë) ndonëse jetojnë në Shqipëri. Ndërsa shqipen e mësojnë si gjuhë të huaj. Shumë paradoksale kjo! E kuptoj shumë mirë se sa i rëndësishëm është mësimi i gjuhës angleze për fëmijët dhe të rinjtë, pasi u siguron lidhjen me botën përtej kufirit që kufizon hapësirën tonë të ngushtë nga shumë pikëpamje. Po ka ca hapësira aq të mëdha shpirtërore e autentike, që vetëm gjuha e nënës t’i siguron.”
Linda Mëniku
“Të gjithë popujt duhet të jenë krenarë për gjuhët e tyre, veçanërisht kur gjuha e të cilëve është pasqyra e një tradite të lashtë kulturore. Në këtë kontekst, duhet të vlerësojmë faktin se jemi folës amtarë të një gjuhe me prejardhje të lashtë, të veçantë, të vetme në llojin e saj. Sot jemi në situatën e globalizimit nga njëra anë dhe të interesit kombëtar nga ana tjetër. Në këtë konkurrencë botërore është e rëndësishme dëshira e secilit vend për të realizuar qëllimet e veta, ku një rol të rëndësishëm luan faktori kulturor, ku përfshihet dhe gjuha. Për t’iu përshtatur ndryshimeve që dikton globalizmi, gjuha ka nevojë të përditësohet. Ruajtja e gjuhës dhe përhapja e saj realizohet edhe përmes krijimtarisë artistike: letërsi, kinema, muzikë, që nxisin kultivimin e gjuhës te një popull dhe promovojnë vendin. Është mirë që të planifikohen politika të një vizioni kolektiv dhe gjithëpërfshirës, pra një planifikim i ri politik, ekonomik, kulturor, që të mos favorizohet emigracioni. Në këtë mënyrë, nxiten njerëzit që të qëndrojnë në Shqipëri dhe të ndihmojnë në kultivimin e gjuhës. Nëse vdes gjuha, vdes populli.”
Kristina Jorgaqi
“Hartimi i një ligji për gjuhën shqipe në radhë të parë është një detyrim kushtetues, proceset e globalizimit kanë ndikuar dhe ndikojnë shumë mbi gjuhën tonë. Kjo përbën një sfidë të madhe për gjuhën shqipe. Dhe nëse asaj nuk i garantohet një kujdes institucional, kam frikë se prestigji dhe statusi i shqipes do të bjerë shumë, deri në atë nivel sa nuk do të ketë më asgjë të përbashkët me atë të një gjuhe zyrtare. Do të jetë një shqipe gjysmake, e sakatuar dhe në rastin më ekstrem, ajo mund të përfundojë si një gjuhë shtëpie.”
Sheqet Hoxha
“Në qoftë se nuk do gjuhën shqipe, nuk do as kombin tënd.”
Po ju çfarë bëni për ta mbrojtur gjuhën tonë shqipe?!
Nanila Allkja Biçaku
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.