Për t’u ardhur në ndihmë mësuesve më poshtë janë listuar disa strategji efektive të cilat fokusohen në përshtatjen e mjedisit–kurrikulës dhe menaxhimin e sjelljes, me qëllim ndihmën për nxënësit disleksikë.
Disleksia është një çrregullim i cili karakterizohet në kategorinë e çrregullimeve në të nxënë që ndikon kryesisht në aftësinë për të lexuar saktë dhe rrjedhshëm fjalët si dhe në drejtshkrim (McLean, Arkell, 2009).
Disleksia është vështirësia në aftësinë për të lexuar, ka të bëjë me ngatërrimin e shkronjave dhe perceptimin e shtrembër të tyre, me vështirësi për të lexuar tingujt njëri pas tjetrit. Ky lloj emërtimi i referohet një vështirësie të qëndrueshme për të identifikuar, kuptuar, riprodhuar me gojë simbolet e shkruara ( McWhirter, J.J.,1977).
Trajtimet për disleksinë zakonisht fokusohen në atë që quhet “aftësi fonologjike” duke mundësuar lidhjen shkronjë – tingull – lexim – drejtshkrim. Në mënyrë që të parandalojmë progresin e këtij çrregullimi dhe të zvogëlojmë pasojat e tij duhet që të rritet interesi i fëmijëve për botën e librave qysh në moshë të hershme. Fëmijëve nga prindërit duhet t’u lexohen përralla, tregime, në mënyrë që të marrin kënaqësi nga leximi. Që në moshën e kopshtit fëmijët duhet të kenë përvoja bashkëbisedimi me të rritur që janë krijues dhe të gatshëm për të bashkëbiseduar gjatë me ta, në mënyrë që të zhvillohen kapacitetet gjuhësore të tyre. Mësuesit e institucioneve parashkollore dhe pediatrit duhet të identifikojnë që në vitet e fëmijërisë së hershme vonesat në të folur apo ato në përdorimin e gjuhës së folur tek fëmijët dhe t’u drejtohen sa më shpejt specialistëve përkatës (logoped, terapistë zhvillimi).
Për tu ardhur në ndihmë mësuesve më poshtë janë listuar disa strategji efektive të cilat fokusohen në përshtatjen e mjedisit–kurrikulës dhe menaxhimin e sjelljes me qëllim ndihmën për nxënësit disleksikë.
- Brenda klasës krijoni një ambient të qetë për realizimin e aktiviteteve të leximit sikurse është bërë traditë çdo ditë të premte në çdo mjedis shkollor apo bashkëbisedimi për ato çështje që fëmija ka arritur të kuptojë nga mësimi dhe leximi. Duke krijuar një klimë pozitive rritet interesi i nxënësit për leximin dhe librin.
- Përshtatja e përmbajtjes së kurrikulës në varësi të klasës në të cilën ndodhet fëmija, p.sh. jo më shumë se 10 – 12 rreshta. Një fëmijë me Disleksi nuk duhet të lexojë shumë rreshta njëkohësisht!
- Informim i nxënësit paraprakisht mbi numrin e rreshtave që do të lexojë për të minimizuar simptomat e ankthit dhe bllokimet e kujtesës.
- Njohja dhe identifikimi i fjalëve të lexuara gabim nga fëmija ose nëse fëmija mbaron së lexuari tekstin dhe ende nuk është në gjendje të tregojë fjalët që ka lexuar gabim, atëherë bëjeni ju këtë gjë duke i treguar fjalët e lexuara gabim dhe duke ia lënë detyrë korrigjimin e tyre.
- Jepini pavarësi dhe përgjegjësi nxënësve në realizimin e detyrave.
- Krijoni një marrëdhënie pozitive me fëmijën, identifikoni pikat e forta, nxitini motivimin pasi kjo është shumë e rëndësishme në progresin e tyre mësimor dhe minimizimin e simptomave të Disleksisë.
- Shmangni vërejtjet dhe tensionin që krijohet në klasë, si dhe mos u tërhiqni vëmendjen në mënyrë të vazhdueshme.
- Shmangni përdorimin e shprehjeve drejtuar prindërve, të tilla si : “Është fëmijë pa vullnet, “Nuk do që të ulet për të lexuar” etj. Në këto raste, situata e fëmijës disleksikë bëhet edhe më e vështirë, pasi rriten kërkesat e prindërve për të kërkuar “të pamundurën” nga fëmija nën presionin e mësuesve.
- Zhvillimi i një koncepti pozitiv për veten nga nxënësi mbetet sfida e mësuesit. Të përpiqesh të rrisësh besimin e fëmijës duke vlerësuar edhe përpjekjen më të vogël apo suksesin më të papërfillshëm, vlen më shumë sesa t’i tregosh sa herë dhe ku ka gabuar, duke forcuar pikat e forta minimizohen ato te dobëta!
- Ndërtoni një plan edukativ të personalizuar duke u përqendruar në punën për përmirësimin e aftësive të fëmijës ne lexim përmes strategjive përkatëse. Përdorni mjete alternative, si p.sh. një magnetofon të thjeshtë, pasi kjo i krijon mundësi fëmijës ta dëgjojë në kasetë përmbajtjen e pjesës që ka për të lexuar, duke e përforcuar atë. Po kështu, përdorimi i disa teknikave si: leximi me zë të lartë i tekstit, dhënia e kohës shtesë në provime, regjistrimi i mësimit duke përdorur teknologjinë e të tjera si këto, e favorizojnë situatën e fëmijës.
- Jepini kohë shtesë për të përmbushur detyrat që i janë ngarkuar.
- Krijoni grupe të vogla ne klase, krijoni mundësi që fëmijët me vështirësi në të lexuar të mbështeten dhe të ndihmohen përmes punës në grup. Gjatë këtyre përpjekjeve duhet të synoni përmirësimin e saktësisë në lexim (nëse fëmija arrin të dëgjojë veten teksa lexon, do të ketë mundësi të korrigjojë gabimet). Pas kësaj, ju mund të përpiqeni që nxënësi ta rrisë sadopak shpejtësinë e leximit, duke i shpjeguar se gjatë kësaj ore ai do të lexojë në një mënyrë tjetër.
- Vendosni sisteme të kontrollit apo monitorimit në çdo fazë të leximit, në mënyrë që nxënësi të arrijë të kuptojë gabimet. Duhet që nxënësi vazhdimisht të kuptojë atë që lexon, në mënyrë që të përmirësohet kjo aftësi. Për këtë ju vjen në ndihmë caktimi i një shoku apo shoqeje dhe puna në grup.
- Lavdërojini dhe stimulojini gjithmonë fëmijët për punën që kanë bërë dhe më pas kërkojini të tregojnë karakteristikat e përbashkëta dhe ato të ndryshme që kanë disa fruta apo kategori te tjera. Nxënësit duhet të shkruajnë brenda një minute emrat e kategorive që u vijnë në mendje, dhe më pas t’iu kërkohet të flasin e ti përshkruajnë ato. Ata mund të tregojnë e të shprehin edhe ndjenjat dhe emocionet e tyre.
Bibliografi :
Cramer, Sh. (2014), “Dyslexia International; beter training, better teaching”, Duke University, Washington.
McLean, B. & Arkell, H. (2009), “Dyslexia: Information for teachers and other professionals”,Barrington Stoke, UK.
Reid, G. (2007), “Dyslexia identification and assessment – Issues and perspectives”, David Fulton Publishers, London.
Msc.Orgesa Qosja, Psikologe ne shkollen “Sule Harri”