Çfarë ndodh kur brenda një fjale takohen dy shkronja të njëjta? Si duhet t’i shkruajmë dhe shqiptojmë fjalë të tilla? Ky artikull na vjen në ndihmë.
I suksesshëm apo i sukseshëm?
Përreth apo Përrreth?
Gojëëmbël apo Gojëmbël?
SHKRUHEN:
Kur në formimin e fjalëve a të trajtave të ndryshme të fjalëve takohen dy bashkëtingëllore të njëjta, njëra prej të cilave mund të bëjë pjesë edhe në formimin e një shkronje dyshe, ato shkruhen të dyja. P.sh., kemi: kënddrejtë, nënndarje, kundërraketë, kundërreformë, mossulmim, zëvendëssekretar; në godittë; e gjettë; në pyettë; në u trettë etj.
Po kështu shkruhen të dyja edhe kur takohen shkronja teke dhe shkronja dyshe që formon ajo, por edhe të dyja shkronjat dyshe bashkë. Dhe kemi: i kujdesshëm, i suksesshëm, i pjesshëm, passhkrim, leshhollë, shpeshherë, mishshitës etj.
NUK SHKRUHEN:
a) kur takohen bashkëtingëlloret r me rr dhe I ose Il me ll, shkruhet vetëm rr ose ll, jo të tria bashkëtingëlloret dhe kemi: përreth; dembellëk, fodullëk, hamallëk, jeshillëk etj.
b) kur në një fjalë të përbërë takohen dy zanore të njëjta, ajo fundore e temës së parë me atë nistore të temës së dytë, njëra bie. Dhe kemi: gojëmbël etj.
MË THJESHT! Kur këto shkronja janë bashkëtingëllore, ato shkruhen të dyja, përveç kur kemi takimin e tyre edhe me shkronjën dyshe që formojnë, por kur takohen dy zanore, për shkak se vetëm njëra theksohet, atëherë tjetra bie, pra nuk shkruhet (gojëmbël)!
Sevi Lami Agolli
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.