“Edhe unë lexoj…” Kjo ishte motoja që i mblodhi nxënësit e Institutit Arsimor Eurolingua në bibliotekën e shkollës për aktivitetin “Shoqja ime ka sindromën Daun”.
“Të zhytesh në botën e librit është sikur futesh në një botë magjike, por të lexosh e të njihesh me të veçantat dhe të përbashkëtat që mund të ketë një shoqe/shokë me sindromën daun, kjo është e veçanta e këtij aktiviteti”, – thotë Ola dhe Meglana, nxënëse në klasën e 5-të.
Marvi është nxënës i klasës së dytë i cili studion në ketë shkollë. Si të gjithë fëmijët e kësaj shkolle edhe Marvi është shumë i dashur dhe shumë bashkëpunues edhe përse ky fëmijë ka sindromën daun. Sot, në muajin tetor që njihet ndryshe edhe si muaji i sensibilizimit të kësaj sindrome, Marvin ka një mesazh për shokët e kësaj shkolle, por edhe për të gjithë bashkëmoshatarët e tjerë.
Ashtu si Tina, personazhi në libër edhe ai ka hobet dhe pasionet e veta. Kur e pyet se çfarë të pëlqen ai shprehet: “më pëlqen të shëtis me biçikletë, më pëlqejnë kafshët, por edhe të vizatoj personazhet e filmave që shikoj si: Batmani, Spadermenin, etj.”, madje guxon edhe më tej kur thotë se kur të rritet do të bëhet futbollist”.
Marvi kërkon nga shokët ta pranojnë siç është, ai ndihet mirë, është i kënaqur… dhe në fund nuk harron t’i kërkojë ndjesë mësuesve, shokëve, punonjësve të kësaj shkolle për ndonjë shqetësim të sjellë. Familjen e falënderon shumë që e ka sjellë në ketë jetë.
Përqafimet dhe puthjet e Marvit për shokët, shoqet si dhe mësuesit ishin shumë domethënëse. Ajo që binte në sy ishte dashuria dhe dhuratat e shumta që i bëjnë shokut të tyre nxënësit e kësaj shkolle.
Nuk ishte aspak e lehtë për të që të lexonte, madje mësuese Yllka Qirko (ideatore e këtij aktiviteti) shprehet se: “Për shkollën ku ai studion është një sfidë e vërtetë”.
Aktiviteti mori një drejtim të veçantë kur në ambientet e bibliotekës u bashkuan të gjitha klasat e ciklit 9-vjeçar, mesa duket edhe ata kishin një mesazh për shokun e tyre të veçantë.
Ata kishin përgatitur një video për Marvin nën kujdesin e mësueses së biologjisë Etleva Mone rreth njohjes mbi sindromën daun, duke prezantuar një reportazh rreth fenomenit daun dhe shokut të tyre të vogël Marvi.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.