Reagim emocional ndaj fjalëve të Blerina Kondit, mamasë së Danjelit me sindromën “Down”.
Një mama që meriton gjithë mbështetjen tonë, sepse një djalë si DANIELI ka nevojë për dashuri e mbështetje si dhe shumë fëmijë të tjerë, por sa e dhimbshme kur ke të bësh me një shoqëri si e jona që vuan nga sindroma e “DUKJES”. Ne nuk bëjmë as përpjekjen më të vogël si prindër që t’i edukojmë fëmijët tanë me të vërtetat e jetës, se jo gjithnjë asimetria e dukshme shpreh simetrinë e brendshme. Përpiqemi t’u tregojmë se jeta është si në përralla dhe ashtu si në përralla ka njerëz të bukur perfekt dhe njerëz të shëmtuar, të deformuar. Dhe indirekt të bukurit në pamje janë më të mirët, ndërsa të deformuarit janë personazhe të dënuar nga zoti dhe prej tyre duhet të largohesh sa më parë.
JOOOOO! Askush prej nesh nuk është perfekt; disa e kanë një të metë të dukshme dhe disa të tjerë e kanë të fshehtë. Ajo që duket na pengon ne të gjithëve. Fëmijë si DANJELI me një anomali gjenetike duhet të kenë po aq të drejtë dhe po aq shanse sa gjithë fëmijët e tjerë të japin e të marrin dashuri në shoqëri dhe pse jo te kontribuojnë për shoqërinë.
Sigurisht e drejta e tyre mbrohet me ligj apo ka dhe shoqata që merren me fëmijët me aftësi të kufizuara. Po dhe kjo është dukje. E vërteta është çfarë ndodh në jetën e përditshme…aty në oborrin e shkollës apo në oborrin e shtëpisë me këta fëmijë. Këtë na e tregon mamaja e Danjelit, e cila përballet çdo ditë jo vetëm me përkujdesjen që duhet të ketë për fëmijën e saj por dhe me mentalitetin e shoqërisë me sindromën e “DUKJES”:
“Grupi i fëmijëve u zhvendos në një vend tjetër. Danjeli aty ngeli sepse nuk është mësuar të mos e duan njerëzit, se është mësuar në mjedisin familjar ku të gjithë e duan”.
Jam e bindur që Danjeli me siguri e ka dhe një gjen tjetër muzikor të trashëguar nga i ati, dr. Flori, të cilët e pranuan fëmijën e tyre siç ishte, një dhuratë e bukur nga zoti. Atëherë mama dhe djalë e meritojnë gjithë vëmendjen dhe përkujdesjen tonë që të jetojnë një jetë të mbushur me muzikën që e la në mes dr. Flori.
(Rita Petro)
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.