Përveç arsimit të mesëm të përgjithshëm dhe atij me kohë të pjesshme, në Shqipëri pritet të futet edhe arsimi në distancë. Në strategjinë për arsimin parauniversitar 2014-2020 që është miratuar në mbledhjen e qeverisë janë parashikuar tri format e arsimit të mesëm. “Arsimi i mesëm, aktualisht, ofrohet si arsim i mesëm i përgjithshëm (gjimnaz), arsim profesional dhe arsim i orientuar (artistik, sportiv etj). Arsimi i mesëm ofrohet: Me kohë të plotë. Me kohë të pjesshme. Në distancë. Forma e arsimimit në distancë ende nuk ka gjetur zbatim”, – thuhet në draftin përfundimtar të Ministrisë së Arsimit. Ndërkohë për frekuentimin e arsimit të mesëm të orientuar do kufizohet nga kritere preference dhe kryesisht merite.
“Arsimi i mesëm me kohë të plotë është i hapur për t’u frekuentuar nga të gjithë nxënësit që përfundojnë arsimin bazë, me moshë jo më të madhe se 18 vjeç. Forma alternative e arsimimit (me kohë të pjesshme), për këtë nivel arsimor, është e hapur”, – përcaktohet në strategjinë e re. Ndërsa arsimi parashkollor do ofrohet në kopshte e në klasa përgatitore që frekuentohen nga fëmijë të moshave 3 deri 6 vjeç dhe nuk është i detyruar. Arsimi bazë u ofrohet moshave mbi 6 vjeç, zgjat 9 vite dhe është i detyruar. Nxënësit i frekuentojnë institucionet arsimore që ofrojnë arsim bazë deri në moshën 16 vjeç.
Synimet
Por cilat janë disa nga synimet e Ministrisë së Arsimit deri në vitin 2020?. Nga viti 2017, të gjitha shkollat do të kenë shërbime psiko-sociale. Nga viti 2018, të gjithë fëmijët e grup-moshës 5-6 vjeç përfshihen në klasat përgatitore, ndërkaq 95% të grup-moshës 3-5 vjeç përfshihen në forma të ndryshme të edukimit parashkollor që funksionojnë bazuar në kurrikulat përkatëse. Nga viti 2018, funksionon harta digjitale e shkollave dhe optimizohet rrjeti i shkollave të mesme. Nga viti 2018, shkollat e mesme janë të pajisura me infrastrukturën e sigurt dhe funksionale që ofron mundësi për përdorimin e përmbajtjeve digjitale në procesin mësimor.
Nga viti 2019, funksionon sistemi që mundëson gjithëpërfshirjen e nxënësve në arsimin e detyrueshëm, i ndjeshëm ndaj nxënësve nga familje të shtresave në nevojë dhe të disavantazhuara. Nga viti 2019, zbatohet kurrikula e re. “Dokumenti i Strategjisë mban parasysh se shoqëria shqiptare po evoluon dhe po përgatitet për të sfiduar devijimet që e pështjelluan jo pak, duke riorganizuar themelet dhe ripërcaktuar qëllimet arsimore dhe përparësitë e saj strategjike në këtë sektor. Kjo kërkon që të zhvillojmë një vizion imponues për nxënien dhe arsimin, ta komunikojnë me pasion dhe të mundësojnë që ai të përmbushet në të gjitha nivelet arsimore të sistemit arsimor parauniversitar”, – thotë Ministria e Arsimit.
Kush punon në zonat e largëta do marrë shpërblim
Ministria e Arsimit ka parashikuar ngritjen e një sistemi për të vlerësuar performancën e mësuesve. “Përgatitet baza qendrore e të dhënave për mësuesit e licencuar. Vihen në punë mekanizmat për licencimin e mësuesve. Funksionon sistemi për vlerësimin e performancës së mësuesve. Licencohen periodikisht mësuesit. Ndihmohet zhvillimi në karrierë i mësuesve përmes sistemit të pagave”, – thuhet në strategjinë e arsimit parauniversitare 2014-2020.
Mësuesit që do të zgjedhin të punojnë në zonat e thella do mbështeten financiarisht. “Financohen pjesërisht ose plotësisht studime në programet e edukimit që kanë përparësi, duke lidhur kontrata punësimi me studentët, sipas nevojave të MAS-it. Mbështeten financiarisht dhe trajtohen me përparësi studentët e mësuesisë që pranojnë të punojnë për disa vjet (deri 5 vjet), në zona të thella, të largëta ose të vështira”, – thuhet në strategji.
(Nga Ndricim Caka, Shqiptarja.com)
©Portali Shkollor– Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.