Intervistë me Drejtorin Ekzekutiv të Qendrës “Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar” (CSL- Center for School Leadership), Geron Kamberi, mbi funksionimi e deri tanishëm të kësaj shkolle, përfitimin e pjesëmarrësve prej saj dhe gjithë ndryshimet apo prioritetet në vazhdim.
Z.Kamberi, së fundmi u bë thirrja e katërt për aplikime në Programin e Trajnimit të Detyrueshëm Përgatitor për Certifikim për drejtues të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar. Kujt iu drejtua kjo thirrje? A ndryshoi ndonjë kriter kriter për këtë herë apo jo?
Thirrja e IV e aplikimeve që fton pjesëmarrësit të aplikojnë për t’u pranuar në Programin e Trajnimit të Detyrueshëm Përgatitor (CTP) për Certifikim për drejtues të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar, u hap më 31 Maj 2021 dhe u mbyll më 30 Qershor 2021. Përgjatë një muaji të gjithë drejtorët në detyrë, ashtu sikurse nëndrejtorët në detyrë apo mësues në sistemin arsimor parauniversitar publik e jo publik u ftuan të aplikojnë që të përzgjidhen nga Komisionet e Vlerësimit të Kandidaturave që përbëhen nga përfaqësues të Qendrës Shkolla e Drejtuesve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar ( CSL- Center for School Leadership) dhe të Ministrisë, Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR).
Po si ishte interesi, a janë vetëm drejtorë shkollash apo edhe aspirantë, mësues që dëshirojnë të bëhen drejtues të institucioneve arsimore, qe dëshirojnë të ndjekin Shkollën e Drejtorëve?
Sikurse në thirrjet e mëparshme, edhe në këtë thirrje janë të lirë të aplikojnë drejtorët dhe nëndrejtorët e shkollave që janë në detyrë por edhe mësues që synojnë të konkurrojnë në të ardhmen dhe të bëhen drejtues të shkollave ku ata punojnë apo të shkollave të tjera që ndodhen në Zyrat Vendore Arsimore (ZVA-të) në vend. Thirrja është e hapur për stafin e institucioneve arsimore të arsimit parauniversitar të 50 Zyrave Vendore Arsimore që u përkasin 4 Drejtorive Rajonale të Arsimit Parauniversitar (DRAP -Durrës, DRAP-Korcë, DRAP -Lezhë, DRAP- Fier) në të gjithë RSH. Natyrisht drejtuesit e shkollave në detyrë janë më të motivuar për të aplikuar pasi në bazë të ndryshimeve ligjore me miratimin e Ligjit Nr. 48/2018 datë 23.07.2018 për disa shtesa e ndryshime në Ligjin Nr 69/2012 datë 21.06.2012 “Për Sistemin Arsimor Parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, vijueshmëria e tyre në pozicionin e i drejtuesit kushtëzohet nga ndjekja me sukses e programit të trajnimit të detyrueshëm përgatitor dhe nga dhe certifikimi me sukses për drejtimin e institucioneve të arsimit parauniversitar.
Po nga fillimet deri më tani si ka vijuar funksionimin e saj Shkolla e Drejtorëve?
Qendra” Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar ( CSL- Center for School Leadership), e ka filluar dhe ushtron veprimtarinë, në vijim të një sërë hapash të përbashkët që janë ndërmarrë nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) dhe Fondacioni Shqiptaro – Amerikan për Zhvillim (AADF) për krijimin e saj siç është Memorandumi i Mirëkuptimit për themelimin e Qendrës për Lidershipin e Arsimit të nënshkruar më 24.11.2017 mes MASR dhe AADF; Ligjit Nr. 48/2018 datë 23.07.2018, për disa shtesa e ndryshime në Ligjin Nr 69/2012 datë 21.06.2012 “Për Sistemin Arsimor Parauniversitar në Republikën e Shqipërisë “; VKM Nr. 540 datë 19.09.2018 “Për organizimin e funksionimin e Shkollës së Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar dhe mënyrën e trajnimit dhe certifikimit të tyre”. Pas Marrëveshjes së datës 04.10.2018 mes MASR dhe AADF për themelimin e Shkollës së Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar, baza kryesore ligjore ku mbështetet kjo veprimtari është Ligji Nr. 48/2018 datë 23.07.2018 për disa shtesa e ndryshime në Ligjin Nr 69/2012 datë 21.06.2012 “Për Sistemin Arsimor Parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”.
Ky ligj ka sjellë tre ndryshime thelbësore që kanë të bëjnë me institucionin tonë dhe procesin e përzgjedhjes e emërimit të drejtorëve të institucioneve të arsimit parauniversitar si edhe është pika kryesore e referimit të akteve nënligjore që qeveria shqiptare dhe MASR kanë nxjerrë zbatim të tij.
Së pari ka bërë të mundur njohjen e Shkollës së Drejtorëve ( CSL) si institucion publik në tërësinë e institucione që kanë të bëjmë me arsimin parauniversitar, përmes miratimit të Nenit 27/1 në KREU-n IV DREJTIMI I SISTEMIT ARSIMOR PARAUNIVERSITAR: Neni 27/1 Shkolla e Drejtorëve 1. “Shkolla e Drejtorëve” është person juridik, që ka për qëllim zhvillimin profesional të drejtuesve dhe kandidatit për drejtues të institucionit arsimor parauniversitar, publik ose privat, administrimin e procesit të trajnimit të detyrueshëm përgatitor për pajisjen me certifikatë për drejtimin e institucioneve arsimore parauniversitare dhe të trajnimit të vazhdueshëm.
Së dyti ka bërë të detyrueshëm me ligj kriterin që çdo individ që do të kandidojë pas datës 18 Gusht 2020 për pozicionin e drejtorit apo nëndrejtorit të institucionit arsimor parauniversitar duhet të ndjekë Programin e Trajnimit të Detyrueshëm (CTP) e të pajiset me certifikatën përkatëse, siç e ka përcaktuar në Neni 55, pika 2 të KREU-t IX STATUSI I PERSONELIT MËSIMOR. Emërimi dhe shkarkimi i drejtorit të institucionit arsimor . Nenin 55, pika 2: “2. Kandidati për drejtor dhe nëndrejtor i institucionit arsimor duhet të ketë, të paktën, kategorinë “Mësues i kualifikuar” dhe të jetë i pajisur me certifikatën e drejtuesit të institucionit arsimor parauniversitar. Certifikimi i kandidatit për drejtor dhe nëndrejtor i institucionit arsimor kryhet pas zhvillimit të trajnimit të detyrueshëm përgatitor në Shkollën e Drejtorëve, për drejtimin e institucionit arsimor. Drejtuesi i institucionit arsimor nuk mund të jetë anëtar i forumeve drejtuese të partive politike”. Në bazë të VKM Nr. 540 datë 19.09.2018 dhe Rregullores të CSL të rishikuar e miratuar në 08 Tetor 2020 nga Bordi i CSL, Shkolla e Drejtorëve pranon përmes aplikimeve të përvitshme,( 2 herë në vit, pranverë & vjeshtë) trajnon dhe certifikon individë në sistemin arsimor publik e jopublik që u përkasin 3 kategorive:
1) drejtorë e nëndrejtorë në detyrë;
2) mësues që synojnë të bëhen drejtues të institucioneve të arsimit parauniversitar.
Në vijim të kriterit detyrues që parashikonte Neni 55 , pika 2 i Ligjit Nr 48/2018 datë 23.07.2018 për të gjithë kandidatët që donin të konkurronin për drejtues të IPAP (Institucion Publik i Arsimit Parauniversitar) , MASR miratoi Udhëzimin e Ministrit të Arsimit , Sportit dhe Rinisë Nr. 2, datë 28.01.2020 “Për Procedurat e Emërimit, Pezullimit dhe Shkarkimit, të Drejtorit të Institucionit Publik të Arsimit Parauniversitar, i ndryshuar që saktësoi më tej këtë kriter përmes përcaktimeve në këtë udhëzim. Më konkretisht, KREU I: “EMËRIMI I DREJTORIT TË INSTITUCIONIT PUBLIK TË ARSIMIT PARAUNIVERSITAR”, germa B: “Kushtet që duhet të plotësojë kandidati, dokumentacioni i aplikimit, afati dhe mënyra e dorëzimit të tij” , pika 1, vendoset kriteri :
“1. Kandidati për drejtor i IAP duhet të plotësojë kushtet si vijon: …
d) të ketë kryer trajnimin e detyrueshëm përgatitor në Shkollën e Drejtorëve, për drejtimin e institucionit arsimor parauniversitar dhe të jetë certifikuar, pas hyrjes në fuqi të pikës 2 të Nenit 55, të Ligjit nr. 69/2012, “Për Sistemin Arsimor Parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe tek pika 2 që lidhej me dokumentacionin e aplikimit që duhet të paraqiste në procedurën e konkurrimit kandidati për drejtor, ku u vendos
“.. 2. Dokumentacioni i aplikimit për pozicionin e drejtorit në IPAP përmban:
…e) Certifikatën e drejtuesit të IPAP. Certifikimi i kandidatit për drejtor i IPAP kryhet pas zhvillimit të trajnimit të detyrueshëm përgatitor në Shkollën e Drejtorëve, për drejtimin e IPAP”.
Në këtë kuadër që prej fillimit të funksionimit të saj më janar 2019 Qendra “Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar” ( CSL- Center for School Leaderrship) ka shpallur deri tani katër thirrje të hapura (thirrja e I-rë (11 shtator -25 tetor 2019), thirrja e II-të (6 dhjetor 2019- 25 shkurt 2020), thirrja e III-të (11 Maj -15 Shtator 2020) Thirrja e IV ( 31 maj-30 qershor 2021) për të përzgjedhur aplikantë që do të ndjekin Programin e Trajnimit të Detyrueshëm. Në bazë të këtyre thirrjeve kanë aplikuar rreth 1410 persona ndër të cilët 622 drejtorë, 370 nëndrejtorë e 391 mësues nga 27 ZVA që u përkasin 4 DRAP në të gjithë vendin.
Çfarë programesh trajnimi ndiqen për pjesëmarrësit?
Qendra Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar (CSL- Center for School Leadership) është e ndërtuar mbi dy programeve kryesore trajnimi që janë:
1) Programi i Trajnimit të Detyrueshëm (CTP) përgatitor për drejtues të institucioneve të arsimit parauniversitar dhe
2) Programi i Zhvillimit të Vazhdueshëm Profesional ( CPD) për drejtues e mësues të arsimit parauniversitar.
Aktualisht programi kryesor është Programi i Trajnimit të Detyrueshëm (CTP) përgatitor për drejtues të institucioneve të arsimit parauniversitar. Ai është i ndërtuar rreth 9 moduleve teorike dhe ka marrë akreditimin më datë 20.02.2020 nga Komisioni i Akreditimit të Programeve/Moduleve të Trajnimit (KAPT) pranë Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar dhe Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
Kush i kryen këto programe? Janë vetë trajnerët të trajnuar për këtë, cili është formimi i tyre?
Aktualisht për Brezin e II-të (16.10.2020-15.07.2021) dhe Brezin e III-të (26.03.-17.12.2021) të pjesëmarrësve që kanë ndjekur e po ndjekin Programin e Trajnimit modulet e programit të trajnimit po zhvillohen nga lektorë të:
1) Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës (FSHS),
2) Fakulteti i Shkencave Sociale, Turizmit e Sportit të Universitetit Marin Barleti(-UB)
3) Fakulteti i Edukimit të Universitetit”Aleksandër Moisiu” Durrës (UAMD),
4) Fakulteti i Shkencave të Edukimit të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” Elbasan (UNIEL). Trajnerët janë lektorë me përvojë në fushën e shkencave të edukimit në fakultetet e departamentet përkatëse. Ata janë përzgjedhur përmes një procedure të hapur konkurrimi nga ana CSL. Ndërkohë ata kanë ndjekur disa seanca trajnimi ToT (Trajnime për Trajnerë – Training of Trainers) me lektorë e trajnerë me eksperiencë të Institutit për Lidershipin në Arsim “Avney Rosha”, Tel- Aviv, Izrael, modeli i të cilit ka shërbyer si nismë për krijimin e këtij programi që synon fuqizimin e kapaciteteve të drejtimit e menaxhimit në arsimin parauniversitar. Që nga data 09 Mars 2019, për shkak të pandemisë Covid 19, leksionet teorike të moduleve të programit janë zhvilluar online përmes Platformës Edu4School. Ndërkohë çdo pjesëmarrës ka qenë i pajisur nga ana e CSL-së me laptop për të ndjekur pa vështirësi zhvillimin e programit.
Çfarë përfitojnë pjesëmarrësit nga kjo shkollë?
Nëpërmjet ndjekjes së Programit të Trajnimit të Detyrueshëm (CTP) përgatitor për drejtues të institucioneve të arsimit parauniversitar, pjesëmarrësit kanë mundësi të njihen me koncepte teorike e praktike konkrete lidhur me hartimin e vizionit e strategjisë së zhvillimit të shkollës, mbledhjen e përpunimin e të dhënave përmes diagnozave pedagogjike, përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies, zhvillimin profesional të mësuesve, menaxhimin e burimeve njerëzore ashtu sikurse edhe mundësitë për të ngritur fonde nga burime të tjera financimi që sjellin përmirësim të cilësisë e mjedisit të shkollës. Konceptet teorike që merren përgjatë zhvillimit të leksioneve nga trajnerë apo lektorët për çdo temë moduli, shtjellohen më tej gjatë debateve, punëve në grup e detyrat e portofolit ( prezantime, ese) që dorëzon çdo pjesëmarrës në përfundim të çdo moduli. Nga ana tjetër një pjesë e rëndësishme e Programit të Trajnimit të Detyrueshëm (CTP) përgatitor për drejtues të institucioneve të arsimit parauniversitar është e përbërë nga praktika profesionale që kandidatët për drejtues (nëndrejtorët e shkollave dhe mësues) e kryejnë pranë shkollave mentore në ZVA-të e tyre. Këto shkolla mentore përzgjidhen CSL në bashkëpunim me MASR dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar (DPAP). Ndërkohë këtë praktikë drejtorët në detyrë që janë pjesëmarrës në Programin e Trajnimit të Detyrueshëm (CTP) përgatitor e kryejnë pranë shkollave të tyre. Në të dyja rastet thelbi i praktikës profesionale është që ata të njihen me mënyrën e funksionimit e problematikës të shkollës e të identifikojnë një problem në bazë të mbledhjes së të dhënave e diagnozës pedagogjike. Më pas këtë problem synojnë ta zgjidhin përmes hartimit të një Projekt – Propozimi nën mbikëqyrjen e trajnerit të tyre individual (coach) dhe mentorit. Projekt -propozimi është një nga tre format e vlerësimit për të gjithë pjesëmarrësit pasi ata përmbyllin me sukses Programin e Trajnimit të Detyrueshëm (CTP).
Për sa kohë zgjat shkolla?
Programi i Trajnimit të Vazhdueshëm (CTP) përgatitor për drejtues të institucioneve të arsimit parauniversitar dhe certifikimi i tyre zgjat afërisht 9 muaj. Periudha e zhvillimit të programit është e ndarë në tremestra(3 mujorë) ku në çdo tremestër zhvillohen 3 module për të përmbushur numrin prej 9 modulesh që përmban Programi i Trajnimit të Detyrueshëm (CTP) përgatitor për drejtues të institucioneve të arsimit parauniversitar. Gjithsej janë 9 module që kanë një total prej 486 orësh dhe 27 kredite. Ndërkohë 40 % të kohës të zhvillimit të programit e zë praktika profesionale.
Po në përfundim të shkollës si testohen apo vlerësohen pjesëmarrësit?
Mënyra dhe procedura e procesit të testim certifikimit për të gjithë pjesëmarrësit që arrijnë të përmbyllin me sukses. Programin e Trajnimit të Detyrueshëm (CTP) përgatitor për drejtues të institucioneve të arsimit parauniversitar, është e përcaktuar në Nenin 27 të Rregullores “Për zhvillimin profesional dhe kualifikimin e drejtorëve/nëndrejtorëve të institucioneve të arsimit parauniversitar në Shqipëri” që është miratuar më datë 08.10.2020 nga Bordi Drejtues i CSL. Në bazë të kësaj pike, çdo pjesëmarrës ka tri elementë vlerësimi që kanë një kufi kalueshmërie 70 % të pikëve të vlefshme. Më konkretisht:
1) Projekti dhe Plani i Veprimit të cilat prezantohen nga pjesëmarrësit para Komisionit Vlerësues përfaqësojnë 40% të pikëve totale të Testimit të Certifikimit.
2) Elementi i dytë i vlerësimit të testimit për certifikim është ai i rasteve studimore i cili përmban 30% të vlerësimit në të cilin kërkohet shtjellim rreth situatave aktuale të mundshme që një drejtues shkolle mund t’i duhet të përballet.
3) Elementi i tretë i vlerësimit për certifikim përmban pyetje me zgjedhje të bazuara në njohuri në lidhje me Standardet e zhvillimit profesional të drejtuesit të shkollës dhe aspekte të tjera që lidhen me njohuritë që duhet të ketë drejtuesi i shkollës. Ky element i vlerësimit për certifikim ka 30% të peshës së vlerësimit të certifikimit.
Fondi i pyetje nga kush përpilohet? Nga një person apo një grup personash?
Fondi i pyetjeve hartohet nga trajnerët dhe lektorët që kanë zhvilluar modulet e trajnimit me të gjithë grupet e pjesëmarrësve. CSL kordinon procesin e ngritjes së grupe vetë punës për secilin nga 9 modulet ne trajnimit të zhvilluara gjatë Programit të Trajnimit të Detyrueshëm. Fondi i pyetjeve për secilin modul dakortësohet nga të gjithë trajnerët e të gjithë universiteteve që e kanë ofruar të njëjtin modul duke siguruar mbulimin e temave të moduleve sikurse përcaktohen në manualin e programit të trajnimit. Nga ana tjetër CSL realizon një proces të brendshëm validimi të tezës finale me ekspertë të fushës nga ASCAP ashtu sikurse realizon edhe teste provë para provimit përfundimtar nëpërmjet GoogleForm dhe Platformës Edu4School.
Si realizohet procedura e certifikimit? Ka nga ata që nuk e fitojnë certifikimin për shkollën?
Pjesëmarrësit që përfundojnë me sukses programin e trajnimit vijojnë me testimin për certifikim. Nëse një pjesëmarrës merr të paktën 70 % të pikëve në secilin nga tre nivelet e vlerësimit që kemi përshkruar më sipër ai certifikohet për drejtimin e institucioneve të IAP. Nëse individë të ndryshëm nuk arrin ta kalojnë procesin e testim certifikimit, atëherë në bazë të Nenit.32 të rregullores për zhvillimin profesional dhe kualifikimin e drejtorëve/nëndrejtorëve të institucioneve të arsimit parauniversitar në Shqipëri, ata kanë një mundësi të dytë për t’u ritestuar.
Pse certifikatë dhe jo licencë në fund të mbarimit të Shkollës së Drejtorëve?
Drejtuesi i një institucioni të arsimit parauniversitar është konsideruar një pozicion dhe jo profesion. Licensa u jepet individëve që përfshihen në Ligjin Nr 10 171 datë 22.10.2009 “Për profesionet e rregulluara në RSH”, i ndryshuar.
A ka pasur problematika gjatë këtyre viteve? Nëse po cilat kanë qenë ato?
Shkolla e Drejtorëve të IAP ka përshkuar një rrugë shume dinamike gjatë këtyre 2 viteve që ofron programin e trajnimit dhe certifikimin e drejtuesve të institucioneve të IAP. Pjesë e këtij rrugëtimi është zhvillimi i proceseve që ajo kryen gjithmonë me një këndvështrim kritik dhe synim për përmirësim. Kështu, duke u bazuar në një proces vlerësimi dhe monitorimi të programit të trajnimit dhe të testimit për certifikim, jemi përpjekur që nga brezi në brez, të reflektojmë kërkesat apo sugjerimet që vijnë nga pjesëmarrësit në program, nga trajnerët dhe mentorët me qëllim për të ofruar një program lidershipi sa më cilësor por dhe që të mbulojë gjerësisht nevojat që drejtuesit dhe kandidatët për drejtues kanë në vendin tonë. Natyrisht që pandemia e shkaktuar nga Covid-19 na kushtëzoi në lidhje me mënyrën e organizimit dhe ofrimit të programit, por edhe na sprovoi në lidhje me parapërgatitjen e nevojshme për përballimin e kësaj situate. CSL vijoji me ofrimin e këtij programi trajnimi online duke përdorur platformën Edu4School, ndërsa praktika profesionale në shkollat mentoruese vijoi të zhvillohej në shkolla. Edhe pse në kushtet e kufizimit nga pandemia, u përpoqëm për një alternim të efektshëm të trajnimit online dhe atij në ambientet e shkollave.
Dimë që nga pjesëmarrësit janë bërë një sërë kërkesash deri më tani, të cilat janë: ulja e kufirit të kalueshmërisë, nga 70 të ulet me 55%, pra 15% ulje; rishikimi i formulimit të pyetjeve si dhe vlerësimi i pyetjeve me alternativa nga 3 në 1 pikë. A do të zgjidhen këto problematika dhe kush e ka këtë kompetencë?
Çdo kërkesë që është e lidhur me ndryshimin apo rishikimin e procesit të testim certifikimit është kompetencë shqyrtimi dhe vendimmarrje e Bordit Drejtues të Qendrës “Shkolla e Drejtuesve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar”, i cili ka miratuar për zhvillimin profesional dhe kualifikimin e drejtorëve/nëndrejtorëve të institucioneve të arsimit parauniversitar në Shqipëri që në Nenin 27 përcakton në mënyrë të detajuar procesin e testim certifikimit . Çdo kërkesë është vlerësuar dhe është përcjellë tek strukturat përkatëse vendimmarrëse.
Po nga ana tjetër, çfarë është përmirësuar nga brezi i parë deri më tani, sa i përket rrugëtimit që ka bërë Shkolla e Drejtorëve? Çfarë ndryshimesh keni bërë ju për brezat nga fillimi deri më tani?
Deri më tani janë përmirësuar disa elementë që lidhen me përmbajtjen e programit të trajnimit, praktikave profesionale. Theksi kryesor ka qenë tek ofrimi i trajnimeve nga trajnerë të cilët kanë eksperiencë në drejtimin e IAP-ve, si p.sh janë përzgjedhur lektorë që kanë pasur përvoja konkrete praktike në fushën e legjislacionit dhe menaxhimit të burimeve njerëzore që lidhen me arsimin parauniversitar. Gjithashtu, përfshirja e trajnerëve të huaj në programin e trajnimit ka pasuruar programin e trajnimit me eksperiencat e ndërkombëtare në këtë fushë. Nga ana tjetër është synuar që të ketë një vlerësim më qartë të nevojave të pjesëmarrësve. Vetëm duhet përmendur një fakt duke pasur parasysh edhe kushtet e pandemisë, numri i pjesëmarrësve të Brezit të II-të ( 16.10.2020-15.07.2021) është 4 herë më i lartë se i atij të brezit të I-rë ( 15.11.2019-18.07.2020) çka edhe sfidat kanë qenë më të shumta.
Çfarë mund të na thoni deri më tani për përgatitjen e pjesëmarrësve? A dispononi ndoshta statistika rezultatesh?
Deri tani nga Brezi i I-rë ( 15.11.2019-21.07.2020) që kanë ndjekur Programin e Trajnimit të Detyrueshëm (CTP) përgatitor për drejtues të institucioneve të arsimit parauniversitar janë certifikuar 46 pjesëmarrës që i përkasin shkollave 9-vjeçare, të mesme publike e jopublike te ZVA -Tiranë. Aktualisht ka përfunduar programi i trajnimit për Brezin e II-të me 206 pjesëmarrës dhe rezultatet përfundimtare do të shihen pas testimit me shkrim që ata do të zhvillojnë me datë 15 Korrik 2021. Ndërkohë po vazhdon paralelisht Programin e Trajnimit të Detyrueshëm edhe Brezi III-të i pjesëmarrësve ( 26.03.-17.12.2021) me 214 pjesëmarrës të tjerë.
A do të jetë ky një projekt afatgjatë? A do të shërbejë Shkolla e Drejtorëve si një institucion i përhershëm i trajnimit të drejtorëve të shkollave? Pra a mund të bëhet dikush drejtor shkolle pa bërë më parë shkollën e drejtorëve?
Në bazë të parashikimeve dhe Marrëveshjes së datës 04.10.2018 mes MASR dhe AADF për themelimin e Shkollës së Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar, ky projekt është parashikuar të mbështetet financiarisht për një afat 10-vjeçar, duke synuar të vijojë zbatimin e tij i pavarur financiarisht. Në bazë të Ligjit Nr. 48/2018 datë 23.07.2018 për disa shtesa e ndryshime në Ligjin Nr 69/2012 datë 21.06.2012 “Për Sistemin Arsimor Parauniversitar në Republikën e Shqipërisë” dhe VKM Nr. 540 datë 19.09.2018 “Për organizimin e funksionimin e Shkollës së Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar dhe mënyrën e trajnimit dhe certifikimit të tyre” ky është aktualisht institucioni vetëm i ngarkuar me ligj për të trajnuar e certifikuar drejtuesit e institucioneve te arsimit parauniversitar. Ashtu siç e përcakton edhe Neni 55, pika 2 të KREU-t IX STATUSI I PERSONELIT MËSIMOR emërimi dhe shkarkimi i drejtorit të institucionit arsimor në Ligjin Nr. 48/2018 “2. Kandidati për drejtor dhe nëndrejtor i institucionit arsimor duhet të ketë, të paktën, kategorinë “Mësues i kualifikuar” dhe të jetë i pajisur me certifikatën e drejtuesit të institucionit arsimor parauniversitar. Certifikimi i kandidatit për drejtor dhe nëndrejtor i institucionit arsimor kryhet pas zhvillimit të trajnimit të detyrueshëm përgatitor në Shkollën e Drejtorëve, për drejtimin e institucionit arsimor…”. Nga ana tjetër këtë e përforcon dhe e detajon më tej KREU I: “EMËRIMI I DREJTORIT TË INSTITUCIONIT PUBLIK TË ARSIMIT PARAUNIVERSITAR”, germa B: “Kushtet që duhet të plotësojë kandidati, dokumentacioni i aplikimit, afati dhe mënyra e dorëzimit të tij” , pika 1 e Udhëzimit të Ministrit të Arsimit , Sportit dhe Rinisë Nr. 2, date 28.01.2020 “Për Procedurat e Emërimit, Pezullimit dhe Shkarkimit, të Drejtorit të Institucionit Publik të Arsimit Parauniversitar , që përcakton se “….1. Kandidati për drejtor i IAP duhet të plotësojë kushtet si vijon: … d) të ketë kryer trajnimin e detyrueshëm përgatitor në Shkollën e Drejtorëve, për drejtimin e institucionit arsimor parauniversitar dhe të jetë certifikuar, pas hyrjes në fuqi të pikës 2 të Nenit 55, të Ligjit nr. 69/2012, “Për Sistemin Arsimor Parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Të dyja përcaktimet ligjore të sipërcituara që janë aktualisht në fuqi nuk bëjnë te mundur që dikush të bëhet drejtor në mënyrë të përhershme (definitive), pra jo të përkohshme, pa ndjekur më parë Programin e Trajnimit të Detyrueshëm (CTP) përgatitor për drejtues të institucioneve të arsimit parauniversitar pranë institucionit tonë.
Intervistoi: Nanila Allkja Biçaku
©Portali Shkollor– Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.