Ndajfolja “sesi” dhe lidhëza ftilluese “se” kur ndiqet nga ndajfolja e mënyrës “si” dallojnë për nga kuptimi dhe përdorimi në fjali të ndryshme.
Sipas fjalorit, ndajfolja “sesi” ka kuptimin: në një mënyrë të papërcaktuar, të paqartë ose pak të çuditshme: sesi ndodhi, as unë vetë nuk e di; nuk ka sesi nuk është e mundur, në asnjë mënyrë.
Ndërkaq, lidhëza “se”:
1. lidh një fjali kryefjalore, kallëzuesore, kundrinore ose përcaktore me fjalinë drejtuese; që: dihet se Toka rrotullohet rreth Diellit; e mori vesh se ku ishin.
2. lidh një fjali shkakore me fjalinë drejtuese, me kuptimin “sepse, meqë, ngaqë”, ose një fjali shkakore që shpreh një veprim i cili do të ketë pasoja të padëshirueshme nëse nuk plotësohet veprimi i shprehur nga fjalia drejtuese, me kuptimin “përndryshe, në rast të kundërt”; sepse: i donte se ishin trima; mos dil pa pallto, se do të ftohesh.
3. lidh një fjali krahasore ose gjymtyrën e dytë të një krahasimi; sesa: më mirë të dish se të kesh; më mirë vonë se kurrë; ishte më i ëmbël se mjalti.
4. e përsëritur, lidh dy gjymtyrë të një fjalie ose dy fjali që i kundërvihen njëra-tjetrës, kur shprehet mëdyshje, mospëlqim, pasiguri etj.; që: se unë, se ti, njëri do të përgjigjet; se ka, se s’ka, ai nuk e prish gjakun; u bë se u bë.
5. përdoret në disa togje lidhëzore me kuptim shkaku, kohe, krahasimi, kundërvënieje, lejimi: për arsye se…; nga frika se…; nga shkaku se…; për shkak se…; duke qenë se…; në është se…; në rast se…; në qoftë se…; po qe se…; po të jetë se…, para (përpara) se…; qysh se…; vetëm se… etj.
Ndajfolja “si” përdoret për të treguar mënyrën e kryerjes së një veprimi.
Pra ndajfolja “sesi” përdoret në fjalitë në të cilat shprehet diçka e papërcaktuar, e paqartë, kurse “se si” përdoret për të lidhur fjalinë drejtuese me fjali kryefjalore, kallëzuesore, kundrinore, përcaktore, shkakore, krahasore.
– Ajo më mësoi se si ta hap derën pa bërë zhurmë.
– Kënaqesha kur e dëgjoja se si fliste.
– Sesi nuk u përmbysëm gjëkundi.
– Vetëm një ditë ca dele të trembura të një grigje sesi u gjendën mbi të, deshën të ktheheshin mbrapsht, por s’mundën dhe rendën sipër saj.
Medina Mehmeti
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.