Ministrja Nikolla dhe ministri Bajrami morën pjesë në seminarin e XII mbarëkombëtar: “Për mësimin plotësues të gjuhës dhe të kulturës shqiptare në diasporë dhe mërgatë” që po zhvillohet në Shkodër.
130 mësues nga Kosova dhe Shqipëria që japin mësim në gjuhën shqipe në diasporë dhe te emigrantët shqiptarë në vende të ndryshme të Europës si: Angli, Austri, Finlandë, Greqi, Gjermani, Kosovë, Kroaci, Shqipëri, Slloveni, Suedi, dhe Zvicër u mblodhën në Shkodër në seminarin e XII mbarëkombëtar: “Për mësimin plotësues të gjuhës dhe të kulturës shqiptare në diasporë dhe mërgatë”. Në këtë seminar ishte e pranishme Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla si dhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës Arsim Bajrami.
Qëllimi i seminarit është shkëmbimi i përvojave në nxënien e gjuhës shqipe në diasporë dhe mërgatë. Gjithashtu dhënia e modeleve praktike të orëve mësimore të gjuhës shqipe nga mësues emigrantë të ardhur nga këto vende dhe zhvillimi profesional i mësuesve mbi bazën e kurrikulës dhe të standardeve të përbashkëta të Shqipërisë dhe Kosovës.
“Ky stacion u kap sepse, Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës, në sistemin parauniversitar, kanë në përdorim një kurrikul bashkëkohore, që krijon kushte dhe mbështet zhvillimin e kompetencave. Për të jetësuar marrëveshjen “Për organizimin e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë dhe mërgatë”, prej më shumë se një vit kanë punuar katër grupe specialistësh nga dy vendet tona dhe kanë përgatitur dokumentet që rrjedhin prej saj”, – tha ministrja Nikolla.
Çdo vit shkollor, Ministria e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, siguron mbi 6 mijë e 500 libra (mbi 4 mijë e 500 tekste shkollore dhe 2 mijë fletore pune), të cilat nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe përfaqësive diplomatike u dërgohen fëmijëve emigrantë në diasporë për përdorim falas. Edhe këtë vit, MAS-i siguroi mbi 3200 abetare dhe tekste të gjuhës shqipe për t’u shpërndarë në diasporë.
Detyra e Shqipërisë dhe Kosovës është që të vijojnë me organizimin e seminareve të përvitshme me mësues nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi, për të zhvilluar nxënien e shqipes te fëmijët e emigrantëve shqiptarë dhe kualifikimin e zhvillimin profesional të mësuesve.
“Përmes këtij seminari ne jo vetëm po këmbejmë përvojat nga praktikat më të mira të mësimdhënies, por njëherësh po unifikojmë mësimin shqip në diasporë dhe jemi jashtëzakonisht të kënaqur me punën që bëni për të mbajt gjallë mësimin shqip kudo që jetoni dhe punoni. Jemi të angazhuar që së bashku me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë dhe të Maqedonisë, të ndërtojmë një politikë kombëtare të integrimit, të punojmë që të kemi një kurrikulë të unifikuar dhe standarde të mësimdhënies cilësore të vlerave evropiane”, – tha Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës Arsim Bajrami.
Seminari i XII mbarëkombëtar: “Për mësimin plotësues të gjuhës dhe të kulturës shqiptare në diasporë dhe mërgatë” startoi me 2 gusht dhe do të zgjasë katër ditë.
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.