Nisma më e re në Youtube është “Schoolflix”: përcjellja e realitetit nëpërmjet figurës së mësuesit dhe nxënësit shoqërohet edhe me humor. Videot në këtë vlog janë ndryshe. Për më tepër flet ideatorja, Migena Shyti Kapllani, gjatë një Interviste.
Mësuesi është një model për nxënësin që ndiqet nëse shihet si i tillë. Ne me Megin, kemi kurajon të bëjmë diçka jo shumë të zakonshme që ka një qëllim shumë të mirë. ‘Schoolflix’ është një vlog ndryshe, një bisedë që bëhet pa komplekse e pa shumë moralizime”- kështu është shprehur ideatorja e vlogut, Migena Shyti Kapllani, gjatë një interviste dhënë për Portalin Shkollor. (Zj.Kapllani është mësese letërsie në gjimnazin ‘Kostandin Kristoforidhi’, Elbasan). Por çfarë është vlogu? Po Schoolflix? Për më tepër, ju mund të lexoni më poshtë rreth nismës më të re në vendin tonë.
Schoolflix është vlogu i parë në Shqipëri që i dedikohet mësuesve dhe nxënësve, marrëdhënies së tyre, hapësirës që duhet të ekzistojë, por edhe afrive në të njëjtën kohë. Mësuese Migena, ju jeni ideatorja e këtij vlogu. Le ta nisim nga titulli: pse “Schoolflix”?
Emri schoolflix erdhi si një derivat i netflix duke u zëvendësuar pjesa e parë me emrin shkollë, meqë mendohet të flasim për shkollën. Ideja për emrin ishte e Megit dhe Edit, dy nxënësve me të cilat unë e bëj këtë vlog. Ato e menduan në anglisht, pasi është një tendencë e të rinjve sot për ta përdorur këtë gjuhë. Mos më thoni që si mësuese e gjuhës shqipe duhet të përpiqesha për një emër në gjuhën tonë. Në këtë dialog mësues-nxënës, jo gjithmonë fitoj unë. (hahaha)
Cila është ideja e vlogut? Si funksionon ai?
Schoolflix është një vlog që mori këtë format nga ideja ime për një dialog midis nxënësve dhe mësueses. Me kohët që jetojmë, ndryshimet që ka pësuar shoqëria jonë me të rinj që janë rritur me smartphone dhe pjesën më të madhe të jetës e kanë përmes tij dhe google-it, duhet të fillojmë të bëjmë ndryshime të mëdha edhe me marrëdhënien mësues-nxënës. Me anë të këtij dialogu, unë si një mësuese dhe Megi si një nxënëse, përshfaqim kërkesat tona ndaj njëra-tjetrës për ta parë më nga afër dhe drejtpërdrejt si funksionon ky binom. Të rinjtë duan të thonë shumë gjëra e që jo gjithmonë kanë mundësi t’i thonë diku. Unë shpresoj që Megi të jetë zëri i tyre. Ne zgjedhim tema nga përditshmëria dhe i zhvillojmë si dialogje spontane, pa i skenuar më parë. Dashur pa dashur, brenda pozicionit që jemi, ne prezantojmë veten dhe problematikat e secilit grupim. Jo gjithmonë biem dakord me çfarë mendojmë. Shpesh përballemi dhe nuk lëshojmë pe.
Çfarë ju shtyu për të marrë këtë nismë të re në Youtube?
Nxënëset e mia Megi dhe Edi, menduan që do të ndiqet më mirë nga të rinjtë, nëse hidhet në youtube apo instagram, formate këto që preferohen prej tyre ditët e sotme.
Videot në të cilat ju shfaqeni bashkë me një nxënësen tuaj janë sa komike aq edhe reale. Të gjitha përçojnë mesazhe. A është kjo një mënyrë e mirë reflektimi për kolegët tuaj dhe nxënësit, që ata të zhvishen nga komplekset, të bëhen “open mind”, por pa cenuar padyshim respektin për figurën e mësuesit?
Mua më pëlqejnë njerëzit që janë të qeshur, sidomos ata që më mësojnë përmes saj. Shpresoj që komizmi i videove tona të jetë një mënyrë për t’i afruar të gjithë për të kuptuar idenë tonë. Autoironia më ka shoqëruar gjatë jetës sime si natyre. Nëse e pranojmë vetë diçka që nuk shkon si duhet, nuk i lëmë hapësirë dikujt për të bërë kritikë, por i japim mundësi të shohin veten e të përmirësojnë gjërat. Unë jam kundër modelit të mësuesit të ngurtë që nuk bën shaka e që nuk bëhet një me nxënësit e tij. Ne duhet të dimë se çfarë mendojnë ata. Komunikimi edhe me këtë gjuhë që ne kemi zgjedhur, është një rrugë, apo urë lidhjeje me ta. Nëse ata mendojnë diçka, por nuk guxojnë ta thonë, kjo për mua nuk përmirëson gjë. Gjërat që thuhen, mbase dhe keq, kanë më shumë mundësi për t’u rregulluar sesa ato që mbeten pa u thënë. Jo, nuk mendoj që cënohet figura e mësuesit edhe nëse ne e vëmë veten në lojë para tyre. Ata (nxënësit) janë pasqyra jonë. Nëse gjërat nuk shkojnë mirë, duhet të shohim më thellë ku çalon kjo punë.
Sa është pranuar dhe përvetësuar deri më tani kjo risi nga kolegët tuaj dhe çfarë dëshironi të arrini nëpërmjet këtij vlogu? Ka pasur deri më tani impakt?
Ky vlog është i ri në moshë, vetëm një vit dhe akoma nuk e ka bërë rrugën e tij, por gjithsesi ka mësues që e pëlqejnë, ka dhe nga ata që nuk e shohin si një punë të mirë. Shkolla jonë, në përgjithësi është akoma me modelin që nxënësi të ngrihet në këmbë kur hyn mësuesi në klasë, që duhet të respektojë figurën e mësuesit (pra figurën, jo vetë personin në fjalë që është mësues) etj. Temat që trajtojmë ne janë për shkollën dhe mund të shihet përmes videove se çfarë dëshirojnë të rinjtë sot, duke u parë çdo gjë si ndihmesë për edukimin e tyre. Në një kohë ku vlogjet janë një trend, mendojmë se kjo që ne bëjmë ka një qëllim shumë më të mirë se çdo vlog tjetër. (qeshëm)
Nxënëset Megi, Edit dhe mësuesja Migena: skuadra e “Schoolflix”
Si vendosni për temat që trajtoni? I përzgjidhni ato?
Temat që trajtojmë, janë një kokëçarje më vete. Nuk është e thjeshtë të biesh dakord me Megin dhe Edin. Unë dua gjëra që nxjerrin në pah figurën e mësuesit, ndërsa ato mendojnë se duhet të trajtojmë tema të pëlqyeshme për të rinjtë. Shpesh idetë e mia përfundojnë në “kosh” me fjalën “boring”. Por nisur nga ajo që edhe shihet në kanalin apo në instagramin tonë, flasim për tema të tilla si: Sa e duan të rinjtë punën, për leximin e librave, për shijet muzikore të ndryshme në breza, për lodhjen që i shkakton ngarkesa në shkollë, për pyetjet që kanë për mësuesit e tyre etj.
Po sugjerime keni marrë?
Shpesh gjatë mësimit, dëgjoj nxënësit të thonë për ndonjë temë të veçantë “bëjeni në schoolflix”. Sugjerime ka gjithmonë për tema të ndryshme nga jeta shkollore, por që të gjitha kalojnë në “sitën” e Megit dhe Edit. Diskutojmë gjatë deri sa të vendosim për temën e radhës.
Si xhironi, keni një afat kohor, kush është shesh xhirimi juaj? E përzgjidhni atë?
Në fillimet tona, mendonim të hidhnim një video në dy javë, të enjten e javë së dytë më saktë. Por kjo gjë nuk është ruajtur gjithmonë, pasi dhe vajzat janë të angazhuara me shkollën. Regjistrimin e bëjmë në shkollë pas orëve të mësimit, në një nga klasat e saj.
A do të jeni gjithnjë në kontakt ju bashkë me nxënëset tuaja?
Megi dhe Edi janë këtë vit maturante. Mendohet që ato do të largohen këtë vit. Unë do të dëshiroja që kjo gjë të vazhdonte, por më mirë t’ia lëmë kohës.
Duam të dimë edhe për planet tuaja për të ardhmen?
Unë e mendoj profesionin e mësuesisë si një profesion shumë të bukur prej punës që bëjmë me të rinjtë. Ata janë vetë energjia që të nxisin për ide të reja. Gjithnjë më ka pëlqyer të bëj gjëra ndryshe me ta, për t’u mësuar edhe përmes gjetjeve të tjera siç është një film me metrazh të gjatë që kemi bërë para tri vitesh i cili është parë nga 1.2 milion shikues (Jeta si një lojë) apo urimi masiv për 7 marsin i nxënësve në oborrin e shkollës, handclapi me këngën Send my love etj. Pra mendoj që dëshira për punën do më ndihmojë të bëj diçka ndryshe, por të shpresojmë të vazhdojë schoolflix.
Dhe në fund, pse duhet të ndjekin “Schoolflix”, keni një mesazh tuajin?
Schoolflix është një vlog ndryshe, një bisedë që bëhet pa komplekse e pa shumë moralizime. Mësuesi është një model për nxënësin që ndiqet nëse shihet si i tillë. Ne me Megin, kemi kurajon të bëjmë diçka jo shumë të zakonshme që ka një qëllim shumë të mirë. Po të na ndiqni në Schooflix mbase do të na ndihmoni me tema akoma dhe më interesante.
(Ju mund ta ndiqni “Schoolflix” duke klikuar në këtë link: https://www.youtube.com/channel/UCGtfyI0eubDiGqtVJKvPskQ)
Nanila Allkja Biçaku
© Portali Shkollor – Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.