Ju premtova se do të kishte një pjesë të dytë të kësaj teme. Ne nuk mund të diskutonim rregullat, rutinën për të cilën fëmija e ka kaq të domosdoshme për mirëqenien e tij psiko-afektive, dhe të mos diskutonim për spontanitetin, si pjesë e pandashme brenda strukturës në fjalë. Spontaniteti? Sigurisht që është i nevojshëm, por jo nëse është imponuar pa ndjeshmërinë e nevojshme që kërkon spontaniteti në vetvete.
Ka shumë raste që na tregojnë se rregullat janë bërë që të shkelen, të thyhen, si për shembull: fëmijët në fundjavë mund të qëndrojnë deri vonë për të parë një film, por në shoqërinë e prindërve. Gjithashtu prindërit vendosin që fëmija mund të qëndrojë deri vonë pranë detit dhe zjarrit për të parë yjet që bien.
Mami do t’i tregojë fëmijës spontanitetin e saj duke lënë mënjanë enët kapicë në lavaman për të luajtur me letra me djalin apo vajzën. Spontanisht, babi propozon që sot pas dreke të shkojnë të hanë një akullore edhe pse nuk është fundjavë, etj. Kështu fëmijë mëson të jetë spontan dhe kreativ brenda rutinës së tij të përditshme. Ndërsa ju tregoni se jeni aktiv në bashkëpunim me fëmijën dhe ai e di se ka disa rregulla për të ndjekur, që i ofrojnë paqe të pashpjegueshme për momentin, por rezultati është se bota e tij është bërë e parashikueshme dhe se ai ndjehet i suksesshëm çdo ditë e më tepër.
Brenda kësaj bote ka hapësirë për spontanitet se fëmija do të rritet dhe do të dojë ta ndryshojë dhe të krijojë rregullsinë e tij. Nuk ka as edhe një arsye pse struktura do të duhet të kthehet në opsesivitet.
A do të thotë kjo se fëmijët do të duhet të futen në rutinë sa më herët të jetë e mundur në moshë?
JO! Vetë fëmijët na tregojnë se për çfarë kanë nevojë. Si fillim, ju e keni vënë re se si gjendeni në një rutinë organikisht të nevojshme për fëmijën: i ushqejmë se ndjehet të uritur, i ndërrojmë sepse ndoten, i vëmë në gjumë sepse ndjehen të lodhur. Me kalimin e kohës, ata i mësojnë vet këto hapa të parë të rutinës: natën ne flemë gjumë p.sh. Por
KUJDES! Të detyrojmë fëmijët që të përshtaten me rutinën tonë kjo do të ishte e pamundur si fillim dhe abuzim shumë i madh për shëndetin e fëmijës. Një foshnjë nuk mund të flejë një herë në ditë dhe me orë të vona, nuk mund të ushqehet vetëm tre vakte kur hamë ne, nuk mund të ndotet çdo dy orë sepse nuk i kontrollon ende sfinkerat, etj. Nëse nevojat NUK i janë përmbushur, fëmija do të ndiej se bota është një vend ku nevojat nuk përputhen me të tijat dhe do të luftojë dramatikisht shumë derisa t’i përmbushë. Ndërsa fëmija rritet do të ngre rutinën e strukturën e tij. Ne mund t’i ndihmojmë ata që të organizojmë botën tonë rreth nevojave të tyre. Gradualisht, e ftojmë fëmijën që të përmbushë nevojat e tij duke iu përshtatur atyre të të gjithë familjes.
Shtatë janë dobitë e përdorimit të rutinës sipas Dr. Marcham (Dr. Marcham, LAURA; Peaceful Parent, Happy Siblings; 2015)
1. Rutina redukton ose eliminon luftën për pushtet
Kjo ndodh sepse ju nuk jeni duke komanduar fëmijën. Aktivitete si: larja e dhëmbëve, gjumi i drekës, fikja eTV-së për të ngrënë darkë, janë veprime që të gjithë ne i bëjmë në momente të caktuara. Kështu prindërit nuk do të jenë ata të “këqijtë” që e ndalojnë fëmijën të kënaqet, por që edhe vet ai është pjesë e këtyre rregullave.
2. Rutina i ndihmon fëmijët që të bashkëpunojnë
Rutina redukton ankthin për të gjithë. Ne të gjithë duam të dimë se çfarë vjen më pas. Ne do të na pëlqente që të paralajmëroheshim për tranzicionet që na ndodhin. Edhe fëmijët nuk duan që ne të bëhemi arbitrar, por t’i paralajmërojmë për ato që do të ndodhin dhe t’i reduktojmë stresin dhe ankthin e të papriturës.
3. Rutina i ndihmon fëmijët që të marrin përsipër përgjegjësitë e aktiviteteve, veprimeve të tyre.
Me kalimin e kohës, fëmijët mësojnë të lajnë dhëmbët e tyre, të bëjnë gati bagazhet etj., pa i kujtuar që t’i bëjnë këto veprime. Fëmijët e adhurojnë që të jenë të zotët e vetes. Kjo ndjenjë rrit sensin e tyre të aftësimit dhe të kompetencës. Fëmijët që ndjehen më shumë të pavarur dhe të zotët e vetes së tyre kanë më pak gjasa që të rebelohen dhe të jenë të paqëndrueshëm.
4. Fëmijët mësojnë konceptin e vlerësimit të gjërave më shumë. Ata mësojnë konceptin “Mezi po presin…”
…që është një koncept i rëndësishëm për t’i bërë ata të lumtur në raport me programin. Sa prej fëmijëve kanë dëshirë që të shkojnë tek lodrat? Shumë prej tyre mezi presin, por nëse fëmija e di se ky aktivitet zakonisht ndodh gjatë pasditeve, atëherë ata mezi presin që të vijë pasditja dhe e ndjekin ditën të qetë e të lumtur. KUJDES! Mos bëni premtime që nuk i mbani pasi kjo lumturi mund të kthehet në zhgënjim shumë të madh dhe në mungesë besimi.
5. Rutina e rregullt ndihmon fëmijët të kenë sensin e ndjekjes dhe përmbajtjes së programit.
6. Rutina i ndihmon prindërit që të ndërtojnë urat lidhëze midis atyre momenteve shumë të çmuara në marrëdhënien fëmijë-prind.
Ne të gjithë e dimë se na duhet të vihemi në kontakt me fëmijët tanë çdo ditë, por nëse fokusi jonë është që fëmijët duhet të ndjekin programin për t’i vënë ata në gjumë, atëherë ne humbasim qëllimin në vetvete që është mundësia për t’u vënë në kontakt me ata. Nëse ne vendosim disa rituale mundësish që të lidhemi me ata gjatë ditës këto do të kthehen në zakone. P.sh.: kur çohen në mëngjes kalo pak kohë në shtrat me secilin prej tyre, ose pak kohë përpara se të flenë. Kur ktheheni nga puna, jepini mundësi t’ju tregojnë ditën e tyre, duke i pasur në krahë dhe tregojini dhe ju për ndjesitë tuaja. Rituali, kur i bëni banjë fëmijës ose kur e nxirrni nga banja flitini për trupin e tyre dhe se si ishit ju në atë moshë. Kështu fëmijët mësojnë se si të ndërtojnë marrëdhënie me veten dhe me botën.
7. Programimi dhe rutina i ndihmon prindërit që të mbajnë qëndrueshmëri për krijimin e pritshmërive.
Si rezultat, familjet që krijojnë rutinë të shëndetshme për fëmijët e tyre krijojnë zakone sjelljeje të shëndetshme për të ardhmen psiko-afektive të fëmijëve.
(Nga: Drnt. Denata Toçe)
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.